Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën Tiranë-Durrës

Plani i Përgjithshëm Kombëtar ka identifikuar zonën Tiranë-Durrës si një ndër hapësirat më të rëndësishme ekonomike në vend dhe në rajonin e Ballkanit. Për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm territorial dhe urban të kësaj zone, Ministria e Zhvillimit Urban, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, ndërmori nismën për hartimin e Planit të Integruar Ndërsektorial për zonën Tiranë-Durrës. Nisur prej tipareve komplekse që shfaq ekonomia urbane dhe morfologjia e territorit, si dhe duke marrë parasysh sfidat e shumta dhe veprimet që duhen harmonizuar në të, plani është përcaktuar si ndërsektorial dhe i integruar.

PINs Tiranë-Durrës vjen si përgjigje e zhvillimit social-ekonomik territorial në 25 vitet e fundit dhe shërben si udhëzues për zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor të rajonit, duke nxitur ekonominë dhe përmirësuar mjedisin.

PINs Tiranë-Durrës synon të drejtojë zhvillimin e territorit përmes një vizioni që do të funksionojë si emërues i përbashkët për njësitë e qeverisjes vendore (NJQV). Gjithashtu, plani do të shërbejë si një udhëzues për NJQV-të, për koordinimin mes tyre të politikave, projekteve dhe planeve të tyre vendore, si dhe për koordinim e bashkërendim vertikal. Ky plan do të jetë korniza e tyre referuese gjatë procesit të hartimit të planeve të përgjithshme vendore, por dhe të projekteve strategjike. Plani synon të jetë edhe një garanci për investitorët dhe bizneset e huaja, të cilët kanë interes të përfshihen në zhvillimin e mëtejshëm të rajonit metropolitan Tiranë-Durrës.

Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën Tiranë-Durrës përfshin territorin e disa bashkive si: Tirana, Durrësi, Kamza, Vora, Shijaku dhe Kruja.

Lexo më shumë