Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin

Plani i integruar ndërsektorial do të jetë kushtetuta e zhvillimit të rajonit të bregdetit, i cili do të nxisë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, integritet social dhe mbrojtje të pasurive natyrore për 15 vitet e ardhshëm. Plani i Integruar Ndërsektorial për bregdetin u hartua duke bashkërenduar të gjitha politikat ndërsektoriale që prekin këtë rajon. Një element i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi me të gjithë aktorët dhe grupet e interesit. Hartimi i Planit udhëhiqet nga qëllimi parësor, që bregdeti shqiptar të shndërrohet në një destinacion të rëndësishëm të turizmit në Mesdhe, për mbrojtjen dhe vlerësimin e mjediseve të tij, trashëgimisë dhe identitetit natyror e kulturor, ku sektori i turizmit është i mirë integruar në një ekonomi të diversifikuar rajonale, e cila siguron begati dhe mirëqenie për banorët e saj.

Qëllimet

  1. Të ruajë integritetin ekologjik duke vendosur kufizime të qëndrueshme për përdorimin e burimeve dhe të pasurive natyrore.
  2. Të sigurojë në mënyrë të drejtë që pasuritë natyrore të jenë të barabarta për brezat e ardhshëm.
  3. Të sigurojë menaxhimin në mënyrë të drejtë e të barabartë nga autoritetet që kanë në juridiksion zonat ndërkufitare.
  4. Të njohë dhe të mbështesë një gamë të gjërë vlerash të zonave përkatëse, si: ekonomike, kulturore dhe ekologjike.
  5. Të sigurojë transparencë në hartimin e vendimeve dhe marrëveshjeve.
  6. Të nxitë partneritetin dhe bashkëpunimin publik dhe privat.
  7. Të mundësojë rritjen e kapaciteteve profesionale në fushën e planifikimit të territorit.
  8. Të mundësojë një mekanizëm/metodik? për mbledhjen, analizën dhe përfshirjen e të dhënave nga burime të ndryshme si reagimet publike edhe rishikimet nga ekspertët.

Vizioni

Bregdeti si binom det-tokë, aset i rëndësishëm kombëtar dhe pjesë e integruar e rrjetit mesdhetar, hapësirë e mirëmenaxhuar, ku harmonizohen nevojat për zhvillim ekonomik dhe nevojat locale me domosdoshmërinë e mbrojtjes së aseteve kulturore, natyrore dhe historike, destinacion autentik, i shumëllojshëm dhe i pastër.

Parimet

  1. Mbrojtja e zonave me rëndësi ndërkombëtare dhe kombëtare mjedisore dhe kulturore (parqe kombëtare); monitorimi i kujdesshëm dhe përmirësimi i kushteve në zonat me rrezik erozioni, rrëshqitjeje, përmbytjeje
  2. Projektet prioritare ndërkombëtare; lidhja e infrastrukturës me korridoret ndërkombëtare (porte, aeroporte, hekurudha, korridore-autostrada); zhvillimi i infrastrukturës kombëtare dhe zhvillimi i transportit publik.
  3. Mbrojtja e 6 shtresave të tokës bujqësore, shtresa e ullishtave, shtresa e tarracave frutore, shtresa e vreshtarisë, shtresa e kullotave dhe shtresa e pyjeve.
  4. Evidentimi i zonave me përparësi zhvillimin e turizmit sipas legjislacionit sektorial në fuqi për turizimin; rijetësimi, rigjenerimi dhe zhvillimi i lokaliteteve të vjetra, të braktisura apo me zhvillim sezonal.
Lexo më shumë