Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Deri më tani

Një ndër drejtimet në të cilat ka punuar Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, nëpërmejt strukturës Atelier Albania, është edhe komunikimi me publikun e gjerë dhe atë të specializuar përmes ekspozitave. Ato kanë shërbyer si një mjet informimi rreth procesit planifikues e  historikut të tij,  e gjithashtu si një platformë ku janë shkëmbyer ide e mendime mbi territorin dhe fenomenet shoqërore e politike të lidhura me të.

Iniciativa për të krijuar ura të komunikimit publik, nëpërmjet mjeteve të artit, lindi si nevojë dhe dëshirë njëkohësisht, në një periudhë kur planifikimi i territorit po rimerrte rëndësinë që meriton në nivel institucional dhe në publik.

Rrugëtimi i komunikimit artistik të çështjeve të territorit, ka nisur me hapjen e ekspozitës së parë “EVOKED”, me datë 22 Shkurt 2016, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe Universitetin e Barit. Ajo qëndroi e hapur pranë Galerisë FAB, Universiteti i Arteve, për disa javë. Qëllimi i kësaj ekspozite ishte diskutimi rreth realitetit të ndërtimeve informale, të papërfunduara, fenomen të cilin e ka (pasur) prezent edhe Italia, dhe projektimi i një të ardhme të mundshme për integrimin e tyre me pejsazhin dhe jetën komunitare. Ekspozita ishte momenti kulmor i një procesi pune hulumtuese të 32 arkitektëve shqiptar dhe italian, të cilët punuan në çift për të njohur, ilustruar dhe krijuar të shkuarën dhe të ardhmen e 16 strukturave informale të gjetura në pejsazhin e bukur të bregdetit tonë. Ekspozita u shoqërua edhe me një botim, i cili përveç se ilustron procesin dhe punët e përftuara, ofron edhe disa shkrime interesante nga drejtues të lartë publik dhe akademikë të arkitekturës. Botimi është një mjet po ashtu shumë i vlefshëm komunikimi i punës tonë, i cili punon përtej kohëzgjatjes së ekspozitës.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Urban, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka shpalosur Vizionin për zhvillimin e territorit të Shqipërisë për 15 vitet e ardhshme nëpërmjet ekspozitës “Ditari i një hapësire_Shqipëria 2030”. E konceptuar në 15 tema dhe forma të ndryshme ekspozimi,  ajo u çel më 21 Prill 2016 dhe qëndroi e hapur për publikun për 7 muaj, në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ekspozita u paraqit si një udhëtim në kohë dhe hapësirë, si një ditar ku shkruhet historia e territorit, si një prezantim i vizionit të zhvillimit nëpërmjet 3 planeve kombëtare: Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial i Zonës ekonomike Tiranë-Durrës dhe Plani i Integruar Ndërsektorial për brezin Bregdetar; por nuk mbaroi aty. Ajo u zhvillua më tepër dhe mori formën e një vendi që tregon për Shqipërinë, formimin e vendbanimeve të saj, thesaret që ajo mbart, si dhe dëmtimin që i kemi shkaktuar territorit. Ekspozita komunikoi me imazhe dhe video, me instalaciona dhe një model 3-dimensional, me objekte të ndryshme të nxjerra nga arkivat të trajtuara si vepra arti dhe nëpërmjet hapësirave të dedikuara ??për diskutim, edukim, informim dhe vetëdije. Një ndër mjediset e ekspozitës u tranformua me datë 14 Qershor 2016, duke u kthyer në një sallë të veçantë mbledhje të Këshillit Kombëtar të Territorit, ku u miratuan 3 Planet e para kombëtare, Shqipëria 2030.

Ekspozita më e fundit dhe ndër më të veçantat e organizuara nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Atelier Albania ishte ekspozita e Akademisë “100+ Fshatrat”, në kuadër të Programit “100 Fshatrat”. Ekspozita e konceptuar në formën e një hapësire të hapur, e cila fton në të cilindo kalimtar, qëndroi e hapur gjatë ditëve të fundvitit, 27 – 31 Dhjetor 2018, në Pavijonin mes Kullës së Sahatit dhe Bibliotekës Kombëtare. Qëllimi i ekspozitës ishte pezantimi i përmbledhur i punës së gjatë dhe të frytshme të pothuajse 200 personave të cilët u bënë pjesë e Akademisë në periudhën Gusht – Dhjetor. Akademia 100+ Fshatrat mblodhi në një frymë të re bashkëpunimi institucionet publike, pedagogët, studentët e ekspertët e fushave të ndryshme duke i vendosur në tryeza të përbashkëta për të shpalosur vizionin për të ardhmen e fshatit shqiptar. Secili nga grupet e punës ndërtoi një model zhvillimi bazuar në burimet e fshatit dhe kapitalin social e njerëzor të tij, duke patur në thelb organizimin e komunitetit dhe krijimin e një zinxhiri përgjegjësish dhe bashkëpunimesh për të arritur zhvillimin. Këto modele u prezantuan në ekspozitë duke treguar vetëm majën e ajsbergut të produkteve të Akademisë. Puna e plotë e secilit grup të Akademisë është duke u përgatitur për botim. Secili fshat dhe secili rajon do të ketë botimin e tij të dedikuar, me shpjegime të plota që do të tregojnë rrugën për të arritur zhvillim dhe prosperitet.

Procesi i planifikimit është një proces kompleks dhe përfshin një tërësi aspektesh dhe drejtimesh të ndryshme strategjike për zhvillimin e territorit. Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Atelier Albania janë në punë të vazhdueshme për të komunikuar përsëri aspekte të veçanta të këtij procesi për të gjithë komunitetet, duke synuar informimin e tyre sa më të gjerë.