Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Çift-Konkurse për Zhvillimin e Pronës Publike

Manifest

Tirana ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm që nga kalimi në një ekonomi tregu pas vitit 1991. Qyteti mishëron dinamikat e evolucionit të Shqipërisë, duke strehuar tani pothuajse 1 milion banorë, që përbëjnë më shumë se një të tretën e popullsisë së përgjithshme të vendit. Trajektorja e zhvillimit afatgjatë strategjik të Tiranës bie në kontrast me dy dekadat e rritjes spontane dhe relativisht të pakontrolluar, duke synuar krijimin e një kryeqyteti vizualisht unik, kulturalisht të gjallë dhe ekonomikisht tërheqës për rajonin dhe më gjerë.

Qyteti ka përjetuar një rritje të madhe në zhvillimin urban gjatë dekadës së fundit, falë besimit të rritur në stabilitetin ekonomik të Shqipërisë. Kjo ka tërhequr investime të huaja intensive që, së bashku me nismat e qeverisë, kanë transformuar Tiranën në një qendër të aktivitetit ekonomik dhe diversitetit kulturor.

Si rezultat, tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë ka pësuar një rritje të ndjeshme, sidomos në segmentet e zyrave dhe banesave. Ky trend është pasojë e një kërkese të lartë për ambiente të reja dhe të përshtatshme për biznese dhe jetesë.

Zhvillimi i shpejtë dhe procesi i integrimit evropian e kanë bërë një sektor publik që funksionon mirë, një nevojë të domosdoshme për të ruajtur trajektoret aktuale të zhvillimit. Sot, një pjesë e madhe e infrastrukturës administrative ndodhet në ndërtesa të amortizuara në prona shtetërore, të ndërtuara me cilësi të ulët gjatë shekullit të njëzetë. Paralelisht ka edhe nga ato institucione, të cilat janë të detyruara të sigurojne ambjentet e punës duke marrë me qira hapësira nga tregu.

Përveç amortizimit nga koha e shkuar, shumë prej këtyre ndërtesave pësuan dëmtime strukturore gjatë tërmetit të vitit 2019. Për më tepër, këto ndërtesa janë projektuar në një epokë tjetër dhe për një mentalitet tjetër pune, duke i bërë ato të papërshtatshme për hapësirat bashkëkohore të punës që kërkohen sot.

Megjithatë, këto prona qeveritare përfaqësojnë pasuri me vlerë të konsiderueshme ekonomike. Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC), e themeluar nga Qeveria Shqiptare dhe e krijuar si një korporatë me publikun si përfitues të synuar, ka për detyrë transformimin e tyre përmes mekanizmave financiarë për të shfrytëzuar vlerën e tyre ekonomike.

Në këtë përpjekje të gjerë për të rindërtuar një pjesë të madhe të administratës publike, AIC do të jetë organi koordinues për të realizuar procesin në bashkëpunim me zhvilluesit e sektorit privat. Në këmbim të së drejtës për të zhvilluar pronat e amortizuara, të papërdorura, apo të liruara, këta zhvillues do të financojnë zhvillimin e një numri klasterash qeveritare duke ofruar hapësira pune moderne, të aksesueshme dhe efikase për një numër agjencish shtetërore që aktualisht punojnë në hapësira të pamjaftueshme apo papërshtatshme.

Ky konkurs synon të gjenerojë propozime për të realizuar këtë vizion të dyfishtë të përmirësimit të mjediseve administrative dhe zhvillimit multifunksional të disa zonave në qytet. Synohen projekte inovative që harmonizojnë kërkesat e ndryshme programatike, por me një qasje relativisht fleksibël për të akomoduar përdorime të ardhshme.

Kjo nismë synon të ofrojë një zgjidhje dinamike, efikase dhe të realizueshme për larminë e sfidave që paraqiten në një projekt kaq kompleks dhe ambicioz. Në këtë mënyrë krijohen një sërë përfitimesh, duke përfshirë:

>  Transformimi i hapësirave dhe godinave të vjetra në zona të zhvilluara në objekte referencë për qytetin

>  Rritja e vlerave imobiliare në zonat përreth

>  Shtimi i aktiviteteve të biznesit në zonë

>  Godina me standarde të larta dhe teknologjitë e fundit; të afta për të tërhequr banorë dhe biznese të profileve të ndryshme demografike

>  Përmirësimi i shërbimeve qeveritare dhe të administratës si rezultat i një infrastrukture të përditësuar

>  Rritja e efikasitetit operacional për institucionet publike

>  Përmirësimi i standardeve të punës për funksionarët publikë

>  Krijimi i hapësirave dinamike dhe inkluzive për komunitetin e gjërë

>  Zhvillimi dhe testimi i koncepteve të reja ekonomike të bazuara mbi përfitime të përbashkëta

>  Harmonizimi i infrastrukturës së re me zhvillimet e reja të qëndrueshme e teknologjike