Në datat 17-18 Nëntor në Leuven, Belgjikë u mbajt takimi i dytë periodik për të diskutuar mbi ecurinë e projektit BRIGAID ( Bridging the Gap for Innovations in Disaster Resilience). Ky projekt është pjesë e programit “Horizon2020” i Komisionit Europian, ku Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është përzgjedhur partnere.

Takimi i mbajtur ishte pjesë e takimeve periodike (çdo 6 muaj) që do të zhvillohen në harkun kohor të 4 vjeteve. Ditën e parë të takimit u diskutua mbi ecurinë dhe masat që janë ndërmarrë deri tani për projektin si edhe për hapat e mëtejshëm që do merren. Gjatë ditës së dytë të takimit u organizua një vizitë në terren për të kuptuar më tepër mbi menaxhimin e qëndrueshëm të ujërave urban.

Qëllimi i BRIGAID është të përthithë ide inovative mbi 3 komponentë kryesorë të ndryshimeve klimatike si, përmbytjet, thatësirat dhe moti ekstrem. Mes ideve të ndryshme, projekti do të përzgjedhë disa prej tyre, të cilat do të zhvillohen dhe do të testohen. Idetë e sukseshme do të ndihmohen që të dalin në treg dhe të bëhen të disponueshme në mënyrë që në momente fatkeqësish natyrore të luajnë rolin e tyre për të zbutur apo shmangur dëmët e mundshme.

 

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është i vetmi partner Shqiptar në projekt dhe detyra e saj si institucion publik në nivel qëndror, është ‘skanimi i terrenit’ për identifikimin e ideve dhe aktorëve publik apo privat të cilët punojnë për të gjeneruar risi lidhur me situata që rrjedhojnë nga ndryshimet klimatike. AKPT do të kontribuojë më pas gjatë zbatimit të rezultateve të projektit si ndërmjetësuese dhe transmetuese e tyre tek autoritetet vendore dhe rajonale, të cilat janë më të ekspozuara ndaj rrezikut të mundshëm që sjellin ndryshimet klimatike. AKPT do të ndihmojë gjithashtu edhe gjatë testimit të produkteve on-site, do të sigurojë të dhëna për të përmirësuar risitë, si dhe do ndihmojë në fushatat e shpërndarjes, ndërgjegjësimit dhe marketimit të projektit BRIGAID/ Horizon2020.