Në kuadër të hartimit dhe finalizimit të Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit 2017-2022, në ambjentet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes, u zhvillua takimi konsultativ mbi draftin e Strategjisë me përfaqësues nga institucionet qëndrore: Kryeministria, Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Ministria e Kulturës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit si dhe GIZ Albania. Ky takim synoi njohjen me përditësimet mbi Draft-Strategjinë dhe punën e bërë nga ekspertët, si dhe mundësinë për dhënien e komenteve ose sugjerimeve përkatëse.
SZHT 2017-2022 është një dokument strategjik në sektorin e turizmit, i cili është mbështetur mbi Strategjinë e Turizmit 1993-2010, Strategjinë e Turizmit 2002-2012 dhe Strategjinë Sektoriale të Turizmit 2007-2013, për të ofruar një kornizë të përforcuar të zhvillimit dhe menaxhimit të turizmit në Shqipëri.
Objektivat e takimit:
- Shqyrtimi dhe prezantimi i progresit të bërë mbi finalizimin e Draft-Strategjisë.
- Konsultimi dhe bashkëbisedimi mbi çështjet, të cilat mund të reflektohen në Strategji, sipas çështjeve të interesit nga ana e secilit institucion qëndror të pranishëm.
Dokumenti SZHT 2017-2022 është bazuar te Strategjia Sektoriale e Turizmit 2007-2013, e cila është në prag miratimi dhe ka konkluduar të gjitha fazat e hartimit dhe konsultimeve.
Gjatë prezantimit u shpjegua ndarja e kapitujve, ku kapitulli i parë (Kushtet aktuale, Dokumentat strategjike në vite, Ecuria e sektorit të turizmit) dhe kapitulli i dytë ( Vizioni, politikat dhe qëllimet strategjike ) ishin ruajtur sipas SST 2007-2013, por kapitulli i tretë (Objektivat e politikës dhe produktet madhore) ishte ndryshuar plotësisht, ndërsa kapitulli i katërt (Burimet financiare) dhe kapitulli i pestë (Llogaridhënia, monitorimi dhe analiza vlerësuese) janë ende të papërfunduar për arsye se duhet përcaktuar Plani i Veprimeve dhe i Implementimit të Strategjisë.
Në përfundim u vendos për afatet e mëposhtme:
- Ditën e hënë, datë 21.11.2016 do të mbyllen ato kapituj që janë ende të papërfunduar.
- Deri ditën e mërkurë, datë 23.11.2016 priten kontributet dhe sugjerimet mbi Draftin, nga pjesëmarrësit apo përfaqësuesit nga institucionet qëndrore.
- Përmbyllja e një drafti të konsoliduar të Strategjisë brënda muajit nëntor.
Comments