Bashkia Himarë, në bashkëpunim me GIZ, organizoi ditën e Shtunë në Lukovë, Olive Fest, të shqipëruar “Festa e Ullirit”.
Festa u shoqërua me disa aktivitete paralele, si konkursi i vjeljes së ullirit, miksimi dhe degustimi i vajit, panairi i produkteve vendase me bazë ulliri, etj. Festa shërbeu për t’u paraqitur banorëve një shembull të suksesshëm të shfrytëzimit të potencialit të fshatit të tyre dhe për të treguar vlerat e produktit të ullirit përtej përdorimit klasik në kuzhinë.
Në festë ishin të pranishëm edhe stafi i AKPT-së që punon për Planin e Detajuar të Lukovës - Atelier Lukova, Grupi i Punës së Akademisë 100+ Fshatrat - lot 21, si edhe Koordinatorja Kombëtare e Programit “100 Fshatrat”, të cilët sollën në festë punën për modelin e zhvillimit të Lukovës.
Dita e Festës së Ullirit, e cila mblodhi rreth vetes vizitorë të shumtë, si edhe shumë banorë të Lukovës, u përdor edhe si platformë për prezantimin e projekt-ideve për zhvillimin e Lukovës dhe për diskutim me pjesëmarrësit.
Në mbyllje, pjesëmarrësit u ftuan për një shëtitje informuese me ndalesa në pikat kyçe dhe më tërheqëse të fshatit, ku grupi i Atelier Lukova pati mundësinë të shpjegonte projekt-idetë e propozuara për to. Secila ide u materializua në banera outdoor, të cilët do të qëndrojnë në hapësirat e Lukovës për disa ditë, për të tërhequr vëmendjen dhe informuar të gjithë banorët e Lukovës.
Olive Fest është një organizim që vjen për herë të parë në Lukovë dhe synon të kthehet në traditë të përvitshme prej banorëve vendas me qëllim ofrimin e një produkti turistik gjithëvjetor.
Comments