Në datat 27-31 Dhjetor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në kuadër të Programit “100 Fshatrat” do të organizojë Ekspozitën Akademia “100+ Fshatrat”.
Kjo ekspozitë do të hapet për të gjithë të interesuarit ditën e Enjte, 27 Dhjetor, ora 17:00, Pavijoni mes Kullës së Sahatit dhe Bibliotekës Kombëtaredhe, dhe do të qëndrojë aty deri më datë 31 Dhjetor.
Akademia 100+ Fshatrat është një proces që na ‘përqafoi’ me optimizëm të gjithëve. Është një eksperiencë plot emocione që mblodhi së bashku në një sinergji bashkëpunimi të re institucionet publike, pedagogët, studentët e ekspertët dhe na vendosi të gjithëve në mendime e ëndërrime për të ardhmen e fshatit shqiptar.
Në fillimet e saj të gjithë e dinim që po ndërmerrnim një projekt ambicioz, rezultatet e të cilit ishin jo krejtësisht të qarta. Por sidoqoftë, më të guximshmit dhe largpamësit plot vetëbesim iu bashkuan nismës për të dhënë kontributin e tyre për hartimin e modeleve të zhvillimit të fshatrave, pjesë e Programit kombëtar për zhvillimin rural “100 Fshatrat”.
Pothuajse 200 persona u bënë pjesë e Akademisë në periudhën Gusht – Dhjetor dhe një përmbledhje të punës së tyre të gjatë dhe të frytshme, dëshirojmë ta bëjmë publike këtë fundvit, për të gjithë ju dhe ata që do të kalojnë në Sheshin Skënderbej këto ditë festive.
Pjesëmarrja juaj në këtë aktivitet është e rëndësishme për ne dhe për mbarëvajtjen e Programit, prandaj Ju ftojmë të bëheni pjesë e kësaj ekspozite për tu njohur më nga afër me arritjet e Programit “100 Fshatrat”.
Rezultati i plotë i Akademisë do të përmblidhet në botime të veçanta për çdo fshat, të cilat do të bëhen publike në muajin Shkurt 2019.
Comments