Në datën 10 shtator, si vijim i punëtorisë së zhvilluar në Lukovë me banorët vendas, u bë edhe çelja e Dhomës së Planit të Lukovës, e cila mbart logon Atelier Lukova.
Gjatë prezantimit të Dhomës së Planit ishin prezentë, përpos vendasve, përfaqësues të Bashkisë Himarë, drejtoresha e AKPT-së, drejtuesi i GIZ në Tiranë, z. Hans-Juergen Cassens, koordinatorja kombëtare e Programit “100 Fshatrat”, administratori i Njësisë Lukovë dhe kryeplaku i fshatit.
Dhoma e Planit është donacion i GIZ për Fshatin, me vizionin dhe dëshirën se do të kontribuojë në procesin e planifikimit me pjesëmarrje dhe si rrjedhojë në zhvillimin e qëndrueshëm të Lukovës.
Dhoma e Planit është një hapësirë, e cila ilustron dhe jep informacion mbi procesin e hartimit të modelit të zhvillimit të Lukovës. Ajo përmban informacione të ndryshme lidhur me planifikimin dhe potencialin turistik të fshatit dhe zonave përreth. Dhoma, e cila ndodhet në katin përdhe të godinës administrative të Lukovës, do të shërbejë gjithashtu dhe si një hapësirë për të mirëpritur çdo sugjerim prej banorëve dhe për të lehtësuar përcjelljen e shqetësimeve të tyre.
Kjo është hera e parë që një nismë e tillë ndërmerret në Lukovë dhe urojmë që të nxisë sa më shumë ndërveprim me vendasit, por edhe turistët. Çdo sugjerim, kritikë a mendim i tyre do të merret në konsideratë gjatë hartimit të Planit të Detajuar Vendor të Lukovës.
Dhoma e Planit të Lukovës do të jetë një model, i cili do të ndiqet dhe në fshatrat e tjerë pjesë e Programit Kombëtar “100 Fshatrat”.
Comments