Ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, mori pjesë sot, në takimin e parë kombëtar mbi krijimin e rrjetit të bashkëpunëtorëve “BRIGAID”, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në bashkëpunim me Ambasadën e Vendeve të Ulta në Tiranë.
Qëllimi i projektit “Brigaid” është përthithja e ideve inavative mbi tre komponetë kryesorë të ndryshimeve klimatike si: përmbytjet, thatësirat dhe moti ekstrem, një nismë kjo që lidh inovatorët, kërkuesit, akademinë, njerëzit me ide, me institucionet, nëpërmjet disa produkteve që japin zgjidhje praktike e të shpejta në situatat e katastrofave.
Në fjalën e saj, Ministrja Gjermeni u shpreh se, në këtë mandat të parë qeverisës reformat që janë ndërmarrë në kuadër të planifikimit kombëtar dhe vendor apo dhe zbatimit të projekteve konkrete siç është dhe rasti i Projektit BRIGAID, formësojnë vizionin “Shqipëria 2030”. Konkretisht, të tre planet kombëtare të miratuara tashmë prej mëse një viti, ofrojnë piketat për hartimin e projekteve konkrete strategjike, që garantojnë menaxhimin racional të tokës dhe burimeve natyrore, si dhe harmonizimin e të gjithë faktorëve që ndikojnë në jetën social-ekonomike të qytetarëve. Sipas saj, qoftë tre planet kombëtare, si dhe planet vendore që brenda vitit 2017 do të jenë të hartuara për 43 bashki dhe brenda vitit 2018, ne angazhohemi ta përmbyllim këtë proces edhe për 18 bashkitë e tjera, përcaktojnë qartazi zhvillimin që do të marrë territori në 15 vitet e ardhshme në shërbim të rritjes së sektorëve kryesorë të ekonomisë kombëtare si turizmi, bujqësia, energjitika, transporti.
Për të mos e lënë hartimin e instrumenteve të planifikimit vetëm në nivel kombëtar kjo Qeveri ndërmori dhe një tjetër nismë që i vjen në ndihmë bashkive për të pasur të hartuar dhe miratuar planet e tyre vendore.
Gjithashtu këto instrumente shërbejnë si amortizator për të minimizuar faktorërt që sjellin ndryshimet klimatike si erozioni, eficienca e energjisë apo emetimet e dioksidit të karbonit për lëvizjet alternative.
Ndër të tjera këto plane kanë të inkorporuar edhe instrumente të rëndësishme që garantojnë mbrojtjen e mjedisit me fokus të veçantë zonat e mbrojtura, kohezionin social dhe zhvillimin e integruar urban dhe rural.
Aktualisht sipërfaqja e zonave të mbrojtura të Shqipërisë është 15% e territorit kombëtar. Gjithashtu Shqipëria bën pjesë në korridorin e Gjelbërt Europian ndaj dhe përgjegjësia jonë për ruajtjen dhe promovimin e këtyre artifakteve natyrore është akoma më e madhe. Ndaj dhe përfshirja e ndryshimeve klimaterike në instrumentat e planifikimit dhe politikave të zhvillimit urban është një komponent i rëndësishëm për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm mjedisor, social dhe ekonomik të vendit.
“Duke e parë edhe në këtë aspekt, ky projekt do të jetë edhe një vlerë e shtuar për të gjithë instrumentat e planifikimit në rang kombëtar dhe vendor”, u shpreh znj. Gjermeni.
E pranishme në këtë takim, ishte edhe Ambasadorja e Vendeve të Ulëta në Tiranë, znj. Dewi Van De Weerd.
Comments