Që prej 1 Shtatorit 2016 aplikimi për leje ndërtimi në të gjithë Shqipërinë është i detyrueshëm vetëm në mënyrë elektronike. Që prej kësaj do të date, çdo qytetar apo biznes duhet të aplikojë vetëm në portalin e-Albania për t'u pajisur me leje ndërtimi. Është përgjegjësi kyçe e bashkive dhe institucioneve për dhënien e lejeve në kohë, pa vonesa dhe sorollatje të qytetarëve. Kjo për vetë faktin se, pas vënies në funksionim të sistemit online për lejet e ndërtimit, bashkia nuk duhet të kërkojë nga qytetarët dokumentacionin që e disponon vetë administrata publike.
Sistemi elektronik i lejeve do të bëjë të mundur realizimin e shërbimit me një ndalesë për lejet e ndërtimit (One Stop Shop): aplikimi do t’i dërgohet bashkisë dhe bashkia do të kryeje vete – përmes sistemit - të gjithë bashkërendimin me institucionet e tjera publike, me afate të qarta dhe pa vonesa (nëse institucionet nuk përgjigjen brenda 10 ditësh, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje).
- Afati i shqyrtimit të lejes së ndërtimit nga bashkia është 15 ditë, ndërsa institucionet e tjera që duhet të japin mendimin e tyre në lidhje me lejen duhet te përgjigjen brenda 10 ditëve pune.
- Në rast se institucionet publike nuk i japin përgjigje bashkisë brenda 10 ditëve pune, miratimi/pëlqimi i tyre konsiderohet i dhënë në heshtje dhe bashkia mund të vijojë më tej me shqyrtimin e aplikimit.
- Në çdo rast të mungesës së përgjigjes nga bashkia brenda 60 ditësh nga dorëzimi i kërkesës së aplikuesi, sistemi gjeneron vendim për miratimin në heshtje.
- Bashkërendimi me të gjitha institucionet që duhet të japin mendimin e tyre mbi lejen e ndërtimit (p.sh. IMK, ZRPP, Shërbimi Arkeologjik, etj.) do të kryhet përmes sistemit elektronik të lejeve nga bashkia përgjegjëse. Mbledhja e tarifave të shërbimit për të gjitha institucionet do te kryhet nga bashkia, si zyrë e shërbimit me një ndalesë, përmes sistemit
- Përmes sistemit, do të sigurohet njoftimi i vazhdueshëm i aplikuesve lidhur me statusin e kërkesës së tyre
- Me ngritjen e sistemit, sigurohet unifikimi i procedurave dhe standardizimi i formateve për të gjitha bashkitë në sistem.
- Sistemi do të kryejë përllogaritjen automatike të afateve të shqyrtimit të kërkesës dhe do të evidentojë dhe informojë nëpunësit për vonesat e mundshme
Për të kryer aplikimin, qytetarët do të regjistrohen në portalin e-Albania duke mundësuar përdorimin e shërbimit të aplikimit online të e-lejeve. Gjatë aplikimit do të realizohet ndërlidhja me institucionet e tjera publike nëpërmjet databazës së ZRPP, QKR, DPGJC në formë automatike për të marrë dhe validuar të dhënat e aplikuesit.
Për tu njohur me procedurat për aplikim për leje ndërtimi kliko këtu:
Comments