Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit më datë 16 dhe 17 maj 2018 mori pjesë në seminarin e organizuar nga UNECE (Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën), në bashkëpunim me EIB (Bankën Europiane të Investimeve) dhe qeverinë Belge, ku u diskutua mbi:Pikat kryesore dhe aktorët kyçë në kuadrin e Konventës për aksidentet industriale dhe Komisionin e menaxhimit të përdorimit të tokës dhe strehimit.
Seminari i zhvilluar gjatë dy ditëve, kishte si qëllim të sigurojë një integrim më të madh të sigurisë industriale, planifikimit të përdorimit të tokës dhe procedurave të vlerësimit mjedisor, duke qenë në gjendje për të marrë vendime të koordinuara për parandalimin e aksidenteve dhe zvogëlimin e rrezikut. Për këtë qëllim, u prezantuan studime praktike të rasteve që tregojnë përvojat e Palëve pjesëmarrëse dhe mësimet e nxjerra në bashkëpunimin midis planifikimit të përdorimit të tokës dhe sigurisë industriale për parandalimin e aksidenteve industriale.
Rastet e studimeve vunë në dukje sesi vendimet e planifikimit të përdorimit të tokës ndikohen nga marrja në konsideratë e sigurisë industriale dhe treguan mundësi bashkëpunimi midis planifikuesve të përdorimit të tokës dhe ekspertëve të sigurisë industriale.
Konkluzionet dhe rekomandimet e nxjerra nga seminari janë si më poshtë:
- Shfrytezimi i platformës së ngritur nga UNECE për njoftimin e vendeve anëtare dhe nënshkruese të kontratës për mbrojtjen dhe parandalimin e fatkeqësive nga aksidentet industriale gjatë rasteve të ngjashme.
- Rëndësia e transparencës në vendimarrje dhe realizimi i dëgjesave me publikun me qëllim përfshirjen e vendimeve të publikut në rastet e vendosjes së investimeve industriale që mund të paraqesin rrezik për popullatën.
- Përfshirja dhe zbatimi i rregullave të SENDAI framework në vendimarrjen mbi lokacionin dhe përdorimin e tokës për qellime të industrisë.
- Vlerësimi Strategjik mjedisor si një mjet i domosdoshëm dhe që ndihmon në qartësimin mbi vendimarrjen për lokacionin e përdorimeve industriale.
- Përdorimi i tokës në planifikim si një instrument me shumë alternativa për të adresuar funksionet e papërputhshme midis përdorimeve industriale dhe të banimit, tregëtisë rekreacionit etj.
Comments