Në datën 10 Shtator, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në bashkëpunim me Bashkinë Himarë dhe me mbështetjen e GIZ, organizoi punëtorinë e parë mbi përmbajtjen e Planit të Detajuar Vendor (PDV) për Lukovën, i cili hartohet në zbatim të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë dhe i ndërthurur me aktivitetin e Akademisë 100+ Fshatrat.
Pjesëmarrja në punëtori ishte e gjerë dhe e plotë. Morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Himarë, drejtoresha e AKPT-së dhe stafi i përfshirë në studim, drejtuesi i GIZ në Tiranë, z. Hans-Juergen Cassens, koordinatorja kombëtare e Programit “100 Fshatrat”, ekspertë dhe pedagogë të Universiteteve partnere, punonjës të administratës vendore e qendrore dhe sigurisht, mjaft banorë të Lukovës.
Diskutimet me pjesëmarrësit u zhvilluan kryesisht rreth nevojës për përmirësimin e infrastrukturës, shfrytëzimin e potencialit bujqësor, potencialit turistik dhe mundësive për përshtatje të godinave ekzistuese në funksione të reja. Vetë punëtoria u zhvillua në hapësirat e shkollës 9-vjeçare të Lukovës, duke dëshmuar në këtë mënyrë gjithashtu se si hapësirat ekzistuese në fshat mund t’u përshtaten programeve të ndryshme në mënyrë që të vendosin maksimalisht në përdorim potencialin e tyre.
Punëtoria me komunitetin rezultoi e frytshme dhe si rrjedhojë e vlerësojmë të suksesshme; nxiti mjaft diskutim mes banorëve, duke frymëzuar disa prej tyre për sipërmarrje të reja. Gjatë aktivitetit u vu re qartë se Lukoviotët janë të vetëdijshëm dhe tejet krenarë për vlerat që mbart fshati i tyre, një faktor ky që është thelbësor dhe mund të mbështesë pozitivisht përpjekjet për rigjallërimin dhe zhvillimin e Lukovës, në kuadër të Programit Kombëtar “100 Fshatrat”.
Comments