Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Projekti BRIGAID/AKPT: Organizim i dy punëtorive lidhur me Analizën Financiare dhe Studimin e tregut për inovacione Kombëtare

Partneri Shqiptar në BRIGAID, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, vijon punën për të siguruar një koordinimin sa më të denjë dhe gjithëpërfshirës në mbështetje të hapave të projektit të paracaktuara nga liderët e konsorciumit.

Më datat 18 deri më 22 Shkurt, ishin në Tiranë partner të projektit Z. Gerardo Anzaldua (Ecologic Institute dhe lider i paketës së gjashtë të punës) dhe Znj. Linde Boekhoudt (përfaqësuese e kompanisë “The Founding Company”).

Partnerët së bashku me AKPT, organizuan punëtoritë me dy inovatorë Shqiptar me qëllimin kryesor hartimin e planit të biznesit dhe aq më tepër vlerësimin e tregut për inovacione për rastin e Shqipërisë. Ky proces vlerësimi është sfidë por njëkohësisht edhe një risi që projekti BRIGAID ofron, i cili duhet të përkrahet nga ata të cilët nuk duan që kërkimi i tyre të mbetet vetëm në letra, por të shkoj më tej.

AKPT u angazhua që këto punëtori të ishin frytdhënëse për kërkuesin shqiptar ashtu edhe për vetë iniciativat e projektit. Ky angazhim, kjo risi e projektit nuk përfundon në këto punëtori, por është një proces i shtrirë në kohe i cili do të ketë vazhdimisht mbështetjen e AKPT-së.

Projekti BRIGAID/AKPT: Organizimi i 3 forumeve të diskutimit për 3 problematikat kryesore të projektit: Përmbytjet, Thatësirat dhe Motit Ekstrem

Njësia e projektit BRIGAID pranë AKPT, me përfundimin e vitit kalendarik, organizoi më datat 17, 19 dhe 21 Dhjetor 2018, Tre Forume Interaktive Diskutimi, në kuadër edhe të tre tematikave që trajton projekti: Përmbytjet, Thatësirat dhe Motit Ekstrem.

Qëllimi i organizimit të këtyre forumeve ishte prezantimi i dymbëdhjetë inovacioneve shqiptare, tashmë në projekt, si zgjidhje/ide të qëndrueshme bashkëkohore dhe të përballueshme financiarisht, kundrejt autoriteteve kombëtare, institucioneve, akademikëve dhe të gjithë atyre të cilët janë të parët që përballen me situatat emergjente.

Në këto forume ishin të ftuar të prezantonin inovatorët kombëtare në projekt sipas tematikës që ata propozojnë për zgjidhje dhe të pranishëm për diskutim e oponencë ishin përfaqësues të institucioneve shtetërore, agjencive, përfaqësues të universiteteve dhe akademisë.

Në përfundim të këtyre forumeve, u renditën anët pozitive dhe negative të zgjidhjeve të propozuara, aspektet ligjore tek të cilat këto zgjidhje mbështeten, si dhe mbështetjet që mund ti vijnë inovacioneve nga aktorët e pranishëm.

Këto forume ishin një mundësi e mirë për të gjithë aktorët, të cilët kishin shansin (rastin) të ndanin në një tavolinë diskutimi, mendimet, përvojat dhe nevojat praktike në sektorin e fatkeqësive natyrore kombëtare.

Në kuadër të vazhdimësisë së projektit do të zhvillohen edhe një sërë aktivitetesh të tjera ku përfshihen punëtori, takime, simpoziume, orë edukative, ligjërata, etj.

Akademia 100+ Fshatrat: Ekspozitë

Në datat 27-31 Dhjetor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në kuadër të Programit “100 Fshatrat” do të organizojë Ekspozitën Akademia “100+ Fshatrat”.

Kjo ekspozitë do të  hapet për të gjithë të interesuarit ditën e Enjte, 27 Dhjetor, ora 17:00, Pavijoni mes Kullës së Sahatit dhe Bibliotekës Kombëtaredhe, dhe do të qëndrojë aty deri më datë 31 Dhjetor.

Akademia 100+ Fshatrat është një proces që na ‘përqafoi’ me optimizëm të gjithëve. Është një eksperiencë plot emocione që mblodhi së bashku në një sinergji bashkëpunimi të re institucionet publike, pedagogët, studentët e ekspertët dhe na vendosi të gjithëve në mendime e ëndërrime për të ardhmen e fshatit shqiptar.

Në fillimet e saj të gjithë e dinim që po ndërmerrnim një projekt ambicioz, rezultatet e të cilit ishin jo krejtësisht të qarta. Por sidoqoftë, më të guximshmit dhe largpamësit plot vetëbesim iu bashkuan nismës për të dhënë kontributin e tyre për hartimin e modeleve të zhvillimit të fshatrave, pjesë e Programit kombëtar për zhvillimin rural “100 Fshatrat”.

Pothuajse 200 persona u bënë pjesë e Akademisë në periudhën Gusht – Dhjetor dhe një përmbledhje të punës së tyre të gjatë dhe të frytshme, dëshirojmë ta bëjmë publike këtë fundvit, për të gjithë ju dhe ata që do të kalojnë në Sheshin Skënderbej këto ditë festive.

Pjesëmarrja juaj në këtë aktivitet është e rëndësishme për ne dhe për mbarëvajtjen e Programit, prandaj Ju ftojmë të bëheni pjesë e kësaj ekspozite për tu njohur më nga afër me arritjet e Programit “100 Fshatrat”.

Rezultati i plotë i Akademisë do të përmblidhet në botime të veçanta për çdo fshat, të cilat do të bëhen publike në muajin Shkurt 2019.

DEKLARATË PËR SHTYP - PËRGËNJESHTRIM

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit përgënjeshtron deklaratën për shtyp të zëdhënëses së Partisë Demokratike Znj. Ina Zhupa, në lidhje me përfshirjen e një punonjësi të kësaj agjencie, në realizimin e videos së transmetuar më datë 22.12.2018, mbi përcaktimet e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë.

Sqarojmë se, informacioni i pretenduar nga zëdhënësja për shtyp e zyrës së Partisë Demokratike, si informacion i rezervuar dhe autentik i nxjerrë nga sistemi elektronik i agjencisë, është informacion, i cili është lehtësisht i aksesueshëm në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit www.planifikimi.gov.al

Referuar përmbajtjes së videos së transmetuar nga zyra e Partisë Demokratike, saktësojmë edhe një herë ashtu sikurse në Deklaratën për Shtyp-Përgënjeshtrim të datës 04.09.2018 se, për të aksesuar hartën GIS nuk është i nevojshëm logimi nëpërmjet serverit pasi, në faqen zyrtare të AKPT ofrohet ndër të tjera dhe Shërbimi e-Harta, i cili është një shërbim i hapur, në dispozicion të publikut të gjerë të interesuar mbi ecurinë e proceseve planifikuese në territor.

Kjo hartë në formatin GIS paraqet informacionet hapësinore për gjendjen ekzistuese dhe atë të planifikuar të territorit, mbi infrastrukturën, ndërtesat, infrastrukturën inxhinierike, projektet strategjike, etj. Gjithashtu, në e-Harta paraqiten informacione bazë të marra nga shërbimet e ASIG si: ortofotot, ndarjet administrative, zonat e mbrojtura, etj.

Ritheksojmë edhe njëherë se, asnjë punonjës i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, nuk është i përfshirë në realizimin e videos së transmetuar. Imazhet e shfaqura në video përmbajnë informacione të hapura për publikun, të cilat mund të aksesohen lehtësisht nga çdo person i interesuar, duke vizituar faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.

Për sa më sipër, deklarata për shtyp e Znj. Ina Zhupa zëdhënëse e Partisë Demokratike, nuk janë gjë tjetër veçse, një disinformim i përsëritur i publikut dhe krijimi i perceptimit të gabuar të tij, duke cënuar publikisht në media emrin dhe imazhin e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.