Ministria e Zhvillimit Urban (MZHU) dhe USAID, (Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar) përmes një eventi festiv përmbyllën miratimin e pesë planeve të para të përgjithshme vendore në Shqipëri. Eventi ishte edhe një mënyrë për të përgëzuar të gjitha palët e përfshira në këtë arritje historike, duke përfshirë stafin e Ministrisë, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, bashkitë Elbasan, Fier, Berat, Lushnjë dhe Kuçovë, dhe paneleve këshillimore të qytetarëve në bashkitë përkatëse.
Në këtë aktivitet u nënvizua edhe njëherë se planet nuk janë vetëm dokumentet teknike, por përbëjnë një qasje të rëndësishme strategjike për të përfshirë aktorët kryesorë lokale në zhvillimin e komuniteteve të tyre.
“Ministria e Zhvillimit Urban është duke përgatitur aktualisht një Udhëzim për mënyrën dhe procedurat e zbatimit të Planeve të Përgjithshme Vendore që po miratohen, më qellimin që t'u vijë në ndihmë Bashkive për çështje që kërkojnë bashkërendim me institucionet qendrore. Udhëzimi fokusohet, në mënyrë të veçantë, në trajtimin e procedurave që lidhen me zhvillimet urbane, të parashikuara nga planet në tokë bujqësore dhe zonat e rëndësisë kombëtare. Vleresojmë se ky udhëzim do të lehtësojë punën e bashkive dhe do të forcojë bashkerendimin institucional, në nivel qendror dhe vendor, për zbatimin e planeve të miratuara, duke bërë sa më të ndjeshëm impaktin e planifikimit hapësinor në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Ministrja Gjermeni në fjalën përshëndetëse.
Planet e Përgjithshme Vendore, të cilat brenda vitit 2017 do t’i kenë 43 bashki në vend krijojë parakushtet për zhvillim të mirë të qytetit. Suksesi varet nga zbatimi i tyre, transparenca dhe llogaridhënia e procesit dhe se sa të hapur do të jenë aktorët për të monitoruar dhe vlerësuar zbatimin si dhe për të ndërmarrë veprime korrigjuese. Këto plane shërbejnë gjithashtu, si një platformë që u mundëson grupeve të interesuara të mbajnë bashkitë të përgjegjshme dhe të sigurojnë që vendimet për zhvillimin e qytetit janë marrë në mënyrë transparente dhe kostoja e përfitimet nga këto zhvillime janë të njohura për publikun e gjerë.
Që nga fillimi i vitit 2015 USAID ka mbështetur 5 bashki për përgatitjen e planeve të përgjithshme vendore duke organizuar mbi 63 konsultime publike dhe fokus grupet me mbi 550 aktorë lokalë.
Comments