Në aktivitetin promovues mes miqsh dhe kolegësh, u prezantua libri me titull “Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë”, botim ky i dalë nga studentët e Akademisë Verore të Atelier Albania 2017, i cili tenton të krijojë një vizion për zhvillimin e turizmit në Luginën e Lumit të Vjosës.
Ky botim/ studim synon të ndihmojë profesionistët e fushës së zhvillimit, sipërmarrësit dhe politikë-bërësit të përfytyrojnë një program turizmi për Luginën e Vjosës që nuk do të “minojë” produktin e saj më të çmuar: qetësinë.
Pesë planet e biznesit që pasojnë, përmbajnë një program ku janë akorduar me shumë kujdes trashëgimia kulturore, përsosmëria e kuzhinës, arti bashkëkohor dhe monumentet e natyrës të shpërndara në të gjithë luginën. Katër nga këto plane janë sipërmarrje të ndryshme turizmi, ndërsa e pesta është një strukturë “ombrellë”, që do të menaxhojë ndërmarrjet dhe do të mbikëqyrë zgjerimin e tyre me kalimin e kohës. Secili prej planeve të biznesit parashtron protokollet e menaxhimit, analizat e tregut, strategjitë dhe parashikimet financiare.
Thelbi i këtij libri është të artikulojë një Shqipëri të mundshme rurale ku mirëqenia e banorëve është e barabartë me ato të homologëve të tyre urbanë. Kjo qasje për planifikimin e turizmit rural duhet të zbatohet gjerësisht në Shqipëri. Ky libër është specifik për kushtet e Luginës së Vjosës, por përcakton vlera që janë të zbatueshme më gjerë në vend. Në fakt, strategjia e botimit parashtron një vizion për mënyrën se si e mendojmë të ardhmen e asaj që duhet të jetë vetë jeta e fshatit.
Comments