Ministria e Zhvillimit Urban, në bashkëpunim me ekspertë austriakë të “TAIEX-it, z. Bernd Schuh dhe z. Rudolf Schicker nga Instituti Austriak për Planifikimin Hapësinor OIR, do të zhvillojnë përgjatë datave 27 – 30 mars 2017, trajnimin me temë "Monitorimi dhe Vlerësimi i Planeve Kombëtare dhe Vendore".
Ky trajnim konsiston në analizimin e praktikave më të mira ekzistuese të vendeve të zhvilluara, në këtë rast Austria, dhe në propozimin e një serie mekanizmash për monitorimin dhe implementimin e planeve kombëtare dhe vendore. Asistenca e TAIEX-it do të fokusohet në planet kombëtare dhe sektoriale duke i kushtuar rëndësi të veçantë organizimit të territorit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe krijimit të mundësive ekonomike. Nga aspekti i legjislacionit të planeve do të diskutohet mbi përdorimin e tokës, mbrojtjen e mjedisit, transportin, shërbimet, analizën territoriale etj.
Kjo eksperiencë do të shërbejë për rritjen e kapaciteteve të punonjësve të Ministrisë së Zhvillimit Urban, të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, në zhvillimin e strategjive dhe direktivave për monitorimin dhe implementimin e planeve.
Comments