Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Newsroom

Seminar mbi planifikimin e mbrojtjes nga aksidentet industriale

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit më datë 16 dhe 17 maj 2018 mori pjesë në seminarin e organizuar nga UNECE (Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Europën), në bashkëpunim me EIB (Bankën Europiane të Investimeve) dhe qeverinë Belge, ku u diskutua mbi:Pikat kryesore dhe aktorët kyçë në kuadrin e Konventës për aksidentet industriale dhe Komisionin e menaxhimit të përdorimit të tokës dhe strehimit.

Seminari i zhvilluar gjatë dy ditëve, kishte si qëllim të sigurojë një integrim më të madh të sigurisë industriale, planifikimit të përdorimit të tokës dhe procedurave të vlerësimit mjedisor, duke qenë në gjendje për të marrë vendime të koordinuara për parandalimin e aksidenteve dhe zvogëlimin e rrezikut. Për këtë qëllim, u prezantuan studime praktike të rasteve që tregojnë përvojat e Palëve pjesëmarrëse dhe mësimet e nxjerra në bashkëpunimin midis planifikimit të përdorimit të tokës dhe sigurisë industriale për parandalimin e aksidenteve industriale.

Rastet e studimeve vunë në dukje sesi vendimet e planifikimit të përdorimit të tokës ndikohen nga marrja në konsideratë e sigurisë industriale dhe treguan mundësi bashkëpunimi midis planifikuesve të përdorimit të tokës dhe ekspertëve të sigurisë industriale.

Konkluzionet dhe rekomandimet e nxjerra nga seminari janë si më poshtë:

  • Shfrytezimi i platformës së ngritur nga UNECE për njoftimin e vendeve anëtare dhe nënshkruese të kontratës për mbrojtjen dhe parandalimin e fatkeqësive nga aksidentet industriale  gjatë rasteve të ngjashme.
  • Rëndësia e transparencës në vendimarrje dhe realizimi i dëgjesave me publikun me qëllim përfshirjen e vendimeve të publikut në rastet e vendosjes së investimeve industriale që mund të paraqesin rrezik për popullatën.
  • Përfshirja dhe zbatimi i rregullave të SENDAI framework në vendimarrjen mbi lokacionin dhe përdorimin e tokës për qellime të industrisë.
  • Vlerësimi Strategjik mjedisor si një mjet i domosdoshëm dhe që ndihmon në qartësimin mbi vendimarrjen për lokacionin e përdorimeve industriale.
  • Përdorimi i tokës në planifikim si një instrument me shumë alternativa për të adresuar funksionet e papërputhshme midis përdorimeve industriale dhe të banimit, tregëtisë rekreacionit etj.

Promovimi i Botimit të Akademisë Verore Atelier Albania 2017 "Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë"

Në aktivitetin promovues mes miqsh dhe kolegësh, u prezantua libri me titull “Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë”, botim ky i dalë nga studentët e Akademisë Verore të Atelier Albania 2017, i cili tenton të krijojë një vizion për zhvillimin e turizmit në Luginën e Lumit të Vjosës. 

Ky botim/ studim synon të ndihmojë profesionistët e fushës së zhvillimit, sipërmarrësit dhe politikë-bërësit të përfytyrojnë një program turizmi për Luginën e Vjosës që nuk do të “minojë” produktin e saj më të çmuar: qetësinë.

Pesë planet e biznesit që pasojnë, përmbajnë një program ku janë akorduar me shumë kujdes trashëgimia kulturore, përsosmëria e kuzhinës, arti bashkëkohor dhe monumentet e natyrës të shpërndara në të gjithë luginën. Katër nga këto plane janë sipërmarrje të ndryshme turizmi, ndërsa e pesta është një strukturë “ombrellë”, që do të menaxhojë ndërmarrjet dhe do të mbikëqyrë zgjerimin e tyre me kalimin e kohës. Secili prej planeve të biznesit parashtron protokollet e menaxhimit, analizat e tregut, strategjitë dhe parashikimet financiare.

Thelbi i këtij libri është të artikulojë një Shqipëri të mundshme rurale ku mirëqenia e banorëve është e barabartë me ato të homologëve të tyre urbanë. Kjo qasje për planifikimin e turizmit rural duhet të zbatohet gjerësisht në Shqipëri. Ky libër është specifik për kushtet e Luginës së Vjosës, por përcakton vlera që janë të zbatueshme më gjerë në vend. Në fakt, strategjia e botimit parashtron një vizion për mënyrën se si e mendojmë të ardhmen e asaj që duhet të jetë vetë jeta e fshatit.

Tryezë mbi zbatimin e Planeve të Përgjithshme Vendore nëpërmjet Planeve të Detajuara Vendore

Në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, zbatimi i PPV-ve përfshin përgatitjen e Planeve të Detajuara Vendore dhe aplikimin e instrumenteve financiare për zhvillimin e tokës. 
Me datë 10, 11, 15 dhe 16 Maj, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit me mbështetjen e projektit të USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore asistoi bashkitë e përfshira në procesin e hartimit të PDV-ve dhe instrumenteve financiare të zhvillimit të tokës duke i njohur me kërkesat ligjore, praktike dhe metodologjike për hartimin e Planeve të Detajuara Vendore, të bazës përkatëse të informacionit dhe të studimeve të fizibilitetit në mbështetje të tyre.

Me datë 10 dhe 11 qëllimi i tryezës ishte:

  • Të prezantojë kuadrin ligjor mbi hartimin e Planeve të Detajuara Vendore nga Bashkitë;
  • Të prezantojë shembuj dhe eksperienca të mëparshme të metodologjive të ndryshme të hartimit të PDV-ve;
  • Të prezantojë iniciativën e bashkive Elbasan dhe Fier, të cilat me mbështetjen e projektit të USAID, po hartojnë studime të fizibilitetit dhe ecurinë e procesit deri më tani.

Me datë 15 dhe 16 qëllimi i tryezës ishte:

  • Regjistri Kombëtar i Planifikimit të Territorit në lidhje me bazën ligjore, organizimin dhe rolet, e-platforma, e-harta, workflow dhe datamodeli i PDV-ve;
  • Metodologjia e mbledhjes së të dhënave dhe analizave të nevojshme për PDV duke u ndalur në Gjeoreferimin, konvertimin e të dhënave nga CAD në GIS, modelet për përllogaritjen e treguesve të zhvillimit, etj;

Pjesë e tryezës ishin përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, të projektit PLGP të USAID, si edhe specialistë të fushës së planifikimit dhe zhvillimit të territorit si edhe ekspertë GIS për 25 Bashkitë të cilat i kanë të miratuar dhe janë duke i zbatuar Planet e Përgjithshme Vendore. 

Takim pune me kolegët e 16 bashkive për Planet e Përgjithshme Vendore

Sapo kanë nisur përgatitjet konkrete për hartimin e PPV-ve të bashkive Fushë-Arrëz, Has, Bulqizë, Peqin, Roskovec, Patos, Mallakastër, Selenicë, Memaliaj, Tepelenë, Libohovë, Finiq, Delvinë, Pustec, Maliq, Devoll.

Tryeza e diskutimit të AKPT-së, mblodhi kësaj radhe përfaqësues të zyrave të planifikimit të këtyre bashkive, për t’i bërë një pasqyrë të procesit të hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore, si edhe për të ndarë aspekte nga eksperiencat e mëparshme. Takimi i organizuar në formën e një sërë prezantimesh, vuri theksin në këto aspekte kryesore:

  • Legjislacioni në fushën e planifikimit;
  • Parimet e planifikimit dhe zhvillimit të territorit;
  • Aktorët përgjegjës në procesin e planifikimit dhe përgjegjësitë përkatëse;
  • Procesi i hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor;
  • Proceset e miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor dhe hyrja në fuqi e tij;
  • Problematikat e hasura në eksperiencat e mëparshme;
  • Përmirësimi i pjesëmarrjes së publikut në procesin e planifikimit dhe vendimmarrjes;
  • Regjistri Kombëtar i Planifikimit të Territorit dhe mënyra e funksionimit të tij;
  • Sistemi E-Planifikimi dhe Workflow i procesit të PPV-ve;
  • Gjeoportali dhe të dhënat hapësinore, mënyra e funksionimit të tij;
  • Datamodeli i PPV-ve.

16 bashkitë e reja, të cilat kanë lidhur Akt-Marrëveshjet me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për financim për procesin e hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore, janë në procesin e marrjes së Nismës, e cila i paraprin hartimit të dokumentit të PPV-së. Fillimi i  këtij procesi, shënon një mbulim 100% të territorit të Shqipërisë me Plane Vendore, sipas ndarjes Administrative-Territoriale.