Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Takimet për workshopin “Local Tourism Strategies” organizuar nga GIZ

Workshopi i organizuar nga GIZ, u mbajt në Himarë, Konispol dhe Vlorë, respektivisht në datat 27 Shtator, 28 Shtator dhe 29 Shtator. Tematika e workshopit ishte mbledhja e një grupi pune nga aktorë të ndryshëm, për konkretizimin e ideve mbi realizimin e disa skenarëve të mundshëm për zhvillimin e turizmit.

Në takime morrën  pjesë: përfaqësues të GIZ; dy ekspertë turizmi të studios “gutundgut”, kontraktuar nga GIZ; përfaqësues nga biznesi privat (akomodim, gastronomi, etj); përfaqësues nga AKPT; përfaqësues nga administrata lokale; ekspertë të fushave të ndryshme në sektorin e turizmit (guida, campers, etj).

Takimet filluan me një prezantim të shkurtër  nga  Znj.Valbona Koçi, përfaqësuese e GIZ, e cila shprehu rëndësinë e workshopit dhe impaktet që do të ketë projekti në zhvillimin e turizmit.

Më pas takimet vijuan me punën në grup ku organizimi i workshopit u realizua nga ekspertët e turizmit.

Hapi i parë i ushtrimit ishte vendosja në hartë e atraksioneve dhe potencialeve që ndodheshin në njësi.

Hapi i dytë vazhdoi duke ndarë në dy grupe pjesëtarët e sallës për të përzgjedhur përmes disa imazheve kategorinë e turizmit që realizohej më tepër në këtë njësi si dhe destinacioni nga vinin turistët. Për kategoritë e përzgjedhura u dha mundësia e votimit nga salla ku çdo anëtar mund të zgjidhte 2 kategori turizmi.

Hapi i tretë konsistoi në mbledhjen e rezultateve të ushtrimit të dytë dhe hartimin e guidave turistike “Dream Trip” 3-5 ditore nga grupi i punës sipas kategorive të ndryshme të turizmit.

Konkluzion:

  • Në takimet që u realizuan në të tre bashkitë u vu në fokus rëndësia e integrimit të këtyre strategjive të turizmit me Planin e Bregdetit dhe me Planet e Përgjithshme Vendore .
  • U theksua rëndësia që ka zhvillimi i transportit detar për zhvillimin e zonës bregdetare.
  • Gjatë workshop-it u theksua rëndësia e zgjatjes së sezonit turistik dhe diversifikimit të tij.
  • Pjesëmarrja ishte e gjerë dhe në fund të workshop-it dolën rezultate konkrete në mbështetje të zhvillimit të strategjive lokale të turizmit

1 Shtator, aplikim elektronik për leje ndërtimi

Që prej 1 Shtatorit 2016 aplikimi për leje ndërtimi në të gjithë Shqipërinë është i detyrueshëm vetëm në mënyrë elektronike. Që prej kësaj do të date, çdo qytetar apo biznes duhet të aplikojë vetëm në portalin e-Albania për t'u pajisur me leje ndërtimi. Është përgjegjësi kyçe e bashkive dhe institucioneve për dhënien e lejeve në kohë, pa vonesa dhe sorollatje të qytetarëve. Kjo për vetë faktin se, pas vënies në funksionim të sistemit online për lejet e ndërtimit, bashkia nuk duhet të kërkojë nga qytetarët dokumentacionin që e disponon vetë administrata publike.

Sistemi elektronik i lejeve do të bëjë të mundur realizimin e shërbimit me një ndalesë për lejet e ndërtimit (One Stop Shop): aplikimi do t’i dërgohet bashkisë dhe bashkia do të kryeje vete – përmes sistemit - të gjithë bashkërendimin me institucionet e tjera publike, me afate të qarta dhe pa vonesa (nëse institucionet nuk përgjigjen brenda 10 ditësh, kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje).

  • Afati i shqyrtimit të lejes së ndërtimit nga bashkia është 15 ditë, ndërsa institucionet e tjera që duhet të japin mendimin e tyre në lidhje me lejen duhet te përgjigjen brenda 10 ditëve pune.
  • Në rast se institucionet publike nuk i japin përgjigje bashkisë brenda 10 ditëve pune, miratimi/pëlqimi i tyre konsiderohet i dhënë në heshtje dhe bashkia mund të vijojë  më tej me shqyrtimin e aplikimit.
  • Në çdo rast të mungesës së përgjigjes nga bashkia brenda 60 ditësh nga dorëzimi i kërkesës së aplikuesi, sistemi gjeneron vendim për miratimin në heshtje.
  • Bashkërendimi me të gjitha institucionet që duhet të japin mendimin e tyre mbi lejen e ndërtimit (p.sh. IMK, ZRPP, Shërbimi Arkeologjik, etj.) do të kryhet përmes sistemit elektronik të lejeve nga bashkia përgjegjëse. Mbledhja e tarifave të shërbimit për të gjitha institucionet do te kryhet nga bashkia, si zyrë e shërbimit me një ndalesë, përmes sistemit
  • Përmes sistemit, do të sigurohet njoftimi i vazhdueshëm i aplikuesve lidhur me statusin e kërkesës së tyre
  • Me ngritjen e sistemit, sigurohet unifikimi i procedurave dhe standardizimi  i formateve për të gjitha bashkitë në sistem.
  • Sistemi do të kryejë përllogaritjen automatike të afateve të shqyrtimit të kërkesës dhe do të evidentojë dhe informojë nëpunësit për vonesat e mundshme

Për të kryer aplikimin, qytetarët do të regjistrohen në portalin e-Albania duke mundësuar përdorimin e shërbimit të aplikimit online të e-lejeve. Gjatë aplikimit do të realizohet ndërlidhja me institucionet e tjera publike nëpërmjet databazës së ZRPP, QKR, DPGJC në formë automatike për të marrë dhe validuar të dhënat e aplikuesit.

 Për tu njohur me procedurat për aplikim për leje ndërtimi kliko këtu:

https://www.youtube.com/watch?v=sDVNshdJBB4

Gjermeni: Brenda vitit 26 bashki me plane të përgjithshme vendore

Brenda këtij viti, 26 bashki do të ketë të hartuara dhe të miratuara Planet e Përgjithshme vendore. Ky është objektivi final për Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, të cilat po monitorojnë procesin e hartimit të 26 PPV, të mbështetura financiarisht e teknikisht nga Qeveria, me një fond prej 560 milion lekësh. Ministrja Eglantina Gjermeni gjatë takimit me drejtues të 26 bashkive dhe përfaqësues të studiove vendase dhe të huaja, që kanë punuar për këto plane theksoi se, brenda vitit 2016 duhet të finalizohet procesi i hartimit, diskutimit në publik dhe miratimit në Këshillat Bashkiakë, e më pas miratimi në Këshillin Kombëtar të Territorit të planeve vendore. 

“Duke mirëkuptuar faktin, që hartimi i PPV u bë në një kohë relativisht të shkurtër, si dhe duke besuar fort se, të gjitha dokumentat që ju keni draftuar duhet të diskutohen në publik me grupet e interesit, për të qenë pjesë e debateve kemi vendosur shtyrjen prej 6 javësh të afatit, për dërgimin për miratim të draft – planeve. Ky është maksimumi i mundshëm, që ne mund t’ju ofrojmë për hir të interesit publik dhe kjo për faktin se, jo thjesht është detyrim ligjor, por sepse ne vërtetë besojmë se procesi për hartimin dhe miratimin e këtyre planeve duhet të jetë gjithëpërfshirës, transparent dhe të paraqesë nevojat dhe interesat e qytetarëve”, tha Ministrja Gjermeni në fjalën e saj. Ajo kërkoi në mënyrë të veçantë përfshirjen në të gjitha hallkat e procesit të anëtarevë të këshillave bashkiakë. “Pavarësisht situatës aktuale politike, me gjithcka po ndodh këto ditë me reformën në drejtësi , unë lutem që të mos e reflektoni këtë situatë në punën për përfundimin e planeve vendore. Ato janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e komuniteteve që ju përfaqësoni, janë baza për një zhvillim të  mirëmenaxhuar. Anëtarët e  këshillave bashkiakë duhet t’I bëni pjesë të procesit, të diskutimeve, që në momentin që planet vendore të prezantohen në këto këshilla të keni mbështetjen dhe votën e tyre”, deklaroi Ministrja në takimin me drejtuesit e bashkive dhe studiot.

Në Janar të këtij viti u firmosën marrëveshjet për hartimin e planeve vendore mes MZHU, studiove fituese vendase dhe ndërkombëtare si dhe 26 bashkive: Lezhë, Kurbin, Krujë, Kukës, Durrës, Vorë, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Ura Vajgurore, Poliçan, Skrapar, Gjirokastër, Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol, Librazhd, Përrenjas, Cërrik, Pogradec, Korçë, Tiranë dhe Shkodër. Këto bashki përfitojnë asistencë financiare dhe teknike nga buxheti i shtetit për hartimin e Planeve të Përgjithshme Vendore. Ndërkohë, 5 bashki të tjera: Fier, Lushnjë, Berat, Kuçovë dhe Elbasan po asistohen nga USAID për planet vendore. 

Pak javë më parë, Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (dldp) financuar nga Qeveria Zvicerane i është përgjigjur interesimit për asistencë financiare dhe teknike për bashkinë  e Malësisë së Madhe, në hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor.