Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Manifest

Ky konkurs ndërkombëtar projektimi dhe ndërtimi është një thirrje për të imagjinuar hapësira ku arkitektura bëhet njëkohësisht strehë dhe horizont. Në qendër të tij qëndron krijimi i një Kampusi të ri për Fëmijët, i konceptuar jo si institucion, por si një shtëpi, ku fëmijët pa kujdes prindëror mund të rriten me dinjitet, siguri dhe ndjenjë përkatësie. Është një mundësi për të krijuar një komunitet shtëpish të vogla dhe hapësirash të përbashkëta që ushqejnë intimitetin dhe identitetin, duke u hapur njëkohësisht drejt kopshteve, lojës dhe mësimit. Kampusi duhet të mishërojë gjithëpërfshirjen, aksesueshmërinë dhe qëndrueshmërinë mjedisore, duke vendosur një standard të ri për kujdesin social publik në Shqipëri.

Paralelisht, konkursi kthehet drejt bërthamës urbane të Tiranës, ku një zhvillim i ri multifunksional do të ngrihet si një pikë referimi bashkëkohore. I vendosur në një pozicion të dukshëm pranë Stadiumit “Air Albania”, ky projekt duhet të harmonizojë mikpritjen, punësimin dhe biznesin, shërbimet, tregtinë dhe argëtimin, banesat dhe parkimin në një tërësi dinamike. Ai duhet të kontribuojë në siluetën urbane të qytetit, duke pasuruar njëkohësisht nivelin e rrugës me hapësira të lira, të bollshme dhe të ndërlidhura

Konkursi adreson kështu dy tema kryesore në dy site të dallueshme: Kampusin e ri të Fëmijëve dhe Zhvillimin e ri multi-funksional. Së bashku, këto dy projekte përfaqësojnë një mundësi unike për të krijuar vepra arkitektonike me vlerë të lartë sociale dhe rëndësi urbane, duke forcuar rolin e Tiranës si qytet i kujdesit, inovacionit dhe zhvillimit. Konkurrentëve u kërkohet të ofrojnë propozime për të dyja sitet brenda një dorëzimi të vetëm, duke siguruar që secili të trajtohet me rigorozitet arkitektonik dhe ndjeshmëri kontekstuale. Së bashku, Kampusi i Fëmijëve dhe Godina e Përzier përfaqësojnë ambicien e Shqipërisë për të bashkuar përgjegjësinë sociale me inovacionin urban—duke dëshmuar se arkitektura mund ti shërbejë grupeve më të pambrojtur dhe njëkohësisht, të frymëzojë qytetin.

Projekti i përgjithshëm për Kompleksin e Inspektorateve dhe Kampusin e ri të Fëmijëve “Zyber Hallulli” bën pjesë në nismën më të gjerë të Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC) për të rizhvilluar dhe menaxhuar pronat shtetërore. Kjo nismë synon të modernizojë infrastrukturën publike, duke adresuar njëkohësisht nevoja sociale urgjente. Nga njëra anë, parashikohet ndërtimi i një zhvillimi multifunksional që të bashkojë inspektoratet kryesore të Shqipërisë—të punës, shëndetësisë, sigurisë ushqimore, mjedisit, mbikëqyrjes teknike dhe tregut—brenda një strukture të vetme bashkëkohore. Ky qendërzim synon të përmirësojë efikasitetin, transparencën dhe aksesin e qytetarëve,duke reduktuar burokracinë dhe rreziqet e korrupsionit. Nga ana tjetër, projekti i përgjigjet drejtpërdrejt një nevoje sociale të hershme: zëvendësimit të shtëpisë së vjetruar dhe të papërshtatshme “Zyber Hallulli” me një kampus të ri që mund t’u ofrojë fëmijëve pa kujdes prindëror një mjedis jetese dinjitoz, të sigurt dhe modern.

Ky vizion po zhvillohet nën një model partneriteti publik–privat, ku një partner privat do të financojë ndërtimin në këmbim të të drejtave zhvillimore mbi një pronë tjetër shtetërore. Kjo siguron qëndrueshmëri pa e ngarkuar buxhetin e shtetit. Modeli mbështetet mbi precedentë nga disa vende evropiane—Italia, Sllovenia, Franca, Gjermania dhe Serbia—që kanë kombinuar me sukses reformën institucionale me investimin social përmes komplekseve të integruara dhe multifunksionale.

Shkarko

Klikoni emertimin e dokumentave perkates per aksesimin e tyre