PDQ EXPO ALBANIA
Plani i Detajuar Qendror (PDQ) i zonës “Expo Albania” është një dokument planifikimi që synon të udhëheqë zhvillimin e territorit përreth qendrës së re “Expo Albania”. Ai orienton zhvillimin e zonës drejt qëndrueshmërisë, përmes përcaktimit të zonimeve, treguesve dhe rregullave për një zhvillim urban dhe ekonomik të kontrolluar.
“Expo Albania” synon të shfrytëzojë potencialin e zonës për krijimin e një hapësire moderne të dedikuar ekspozitave, panaireve dhe veprimtarive kulturore e ndërkombëtare, duke nxitur zhvillimin kulturor e krijues, si dhe shkëmbimin ndërkombëtar.
PDQ-ja do të fokusohet në ruajtjen e karakteristikave peizazhistike, të cilat do të shërbejnë si elemente kryesore udhërrëfyese për zhvillimin e ardhshëm të zonës. Gjithashtu, ajo do të synojë nxitjen e përgjegjësisë mjedisore përmes përdorimit të teknologjive të gjelbra dhe mbrojtjes së karakterit periferik të territorit.
PDQ-ja e zonës “Expo Albania” do të përcaktojë kuadrin strategjik për hartimin dhe zbatimin e tij, duke dalluar qartë objektivat e planifikimit të territorit përreth nga ato të zhvillimit të vetë qendrës së re të panaireve. Qëllimi kryesor i planit nuk është vetëm të mbështesë funksionimin e qendrës së re, por, mbi të gjitha, të mbrojë dhe të promovojë karakterin unik peizazhistik dhe agroturistik të zonës. Në këtë mënyrë synohet të shmangen zhvillimet intensive, të papërshtatshme ose të palidhura me funksionin e ri, si dhe zhvillimet e pakontrolluara, të cilat mund të cenojnë trashëgiminë mjedisore dhe potencialin ekonomik të territorit.

