Sot, datë 14.12.2016, u miratua nga Keshilli i Ministrave, Plani i  Përgjithshëm Kombëtar "Shqipëria 2030", dokumenti i parë kombëtar për planifikimin e territorit.
 
Pas një pune të palodhur, gati dy vjeçare të stafit  të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban, u  finalizua një proces mjaft i rëndësishëm që vendos themelet për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. 
Miratimi i Planit të Përgjithshëm Kombëtar, si një akt ligjor, ofron jo vetëm një klimë besimi për zhvillim të integruar, cilësor e afatgjatë, por  dëshmon njëkohësisht vullnetin për vendimmmarrje koherente me parimet e planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. 
Përkushtimi, serioziteti, profesionalizmi, pjesëmarrja dhe transparenca, janë tiparet kryesore që kanë karakterizuar punën për hartimin e këtij dokumenti. Megjithatë, kurorëzimi i kësaj pune serioze dhe të kualifikuar në një dokument ligjor është vetëm hapi i parë. Sfida që shfaqet përpara është zbatimi i tij.
Kjo është një përgjegjësi jo vetëm për  institucionet shtetërore të nivelit qendror apo vendor, por për çdo shtetas që kërkon një të ardhme më të mirë për veten e pasardhësit. Ndaj shumë shpejt do të sjellim për të gjithë të interesuarit, akademikët e shtetarët, botimin zyrtar të këtij dokumenti. Ndërkohë që kopja elektronike e tij do të jetë e aksesueshme nga faqja zyrtare e AKPT-së, si edhe në Regjistrin Kombëtar të Territorit.