Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Newsroom

Ministrja Eglantina Gjermeni merr pjesë në Konferencën Botërore, HABITAT 3

I nderuar Kryetar,

Të nderuar Shkëlqesi,

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj,

Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, kam nderin t'i drejtohem kësaj seance plenare të Habitat III.

Ky është një rast i veçantë edhe për mua personalisht, pasi më jepet mundësia të përfaqësoj vendin tim në një ngjarje globale, e cila organizohet vetëm një herë në 20 vjet.

Agjenda e Re Urbane, për të cilën ne të gjithë kemi për të diskutuar dhe për t’u angazhuar politikisht, nuk është vetëm një grup objektivash, por më e rëndësishmja, është një vizion i përbashkët, që do të çojë vendet tona drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Ky angazhim universal, që përcakton prioritetet tona afatmesme dhe afatgjata, kërkon vendimmarrje politike, si dhe një platformë efektive që i adresohet nevojave dhe interesave të njerëzve. "Leave no One Behind", mos ler askënd mbrapa, është një filozofi me të cilën ne të gjithë pajtohemi, e cila frymëzon veprimet tona drejt një shoqërie më të drejtë, më të barabartë dhe përfshirëse.

Me një karrierë të gjatë në dedikim të aspekteve sociale të komunitetit dhe si një aktiviste për barazinë gjinore, unë e shoh këtë Agjendë të Re Urbane si një guidë të plotë, gjithëpërfshirëse, për të gjitha vendet tona, për të reduktuar varfërinë, për të siguruar barazinë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave, për të promovuar shoqërinë përfshirëse, për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve, si dhe për të nxitur rritjen ekonomike dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në kuadër të zbatimit të kësaj Agjende të Re Urbane dhe të Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm, Qeveria e Shqipërisë në vitin 2014 ndërmori Reformën Administrative Territoriale, e cila zvogëloi numrin e bashkive nga treqind e shtatëdhjetë e katër, në gjashtëdhjetë e një.

Paralelisht me këtë proces, Ministria e Zhvillimit Urban projektoi dhe miratoi kohët e fundit, Planin e Përgjithshëm Kombëtar të Territorit "Shqipëria 2030", ku shfaqet vizioni ynë për zhvillimin e qëndrueshëm në pesëmbëdhjetë vitet e ardhshme.

Pas zbatimit të reformës administrative territoriale, Qeveria gjithashtu mori iniciativën për të mbështetur autoritetet vendore në hartimin e planeve hapësinore për bashkitë e reja, për të maksimizuar rolin kyç të qyteteve dhe vendbanimeve njerëzore si drejtues të zhvillimit të qëndrueshëm, si në zonat urbane, ashtu edhe ato rurale.

Rilindja Urbane është një program tjetër qeveritar që po zbatohet në Shqipëri gjatë viteve të fundit, me qëllim ri-zhvillimin e qendrave të qyteteve dhe rrethinave. Përmes Rilindjes Urbane, ne jemi duke u përpjekur të transformojmë fizionominë e qyteteve tona, të zbatojmë strategji të reja që nxisin përmirësimin ekonomik dhe social. Kjo është një qasje që, hap pas hapi, do ta bëjë më të mirë kontekstin urban dhe do të ndikojë në cilësinë e jetës së njerëzve.

Nga ana tjetër, informaliteti dhe pabarazitë rajonale në Shqipëri, janë çështje që Qeveria jonë po përpiqet t’i adresojë nëpërmjet disa ndërhyrjeve, por që ende kanë ndikim të madh në komunitet dhe në standardin e jetesës.

Nga ana tjetër, Ministria e Zhvillimit Urban po i dedikohet strehimit, jo vetëm si një objektiv, por si një çështje që lidhet me të drejtat e njeriut. Me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, ne kemi përgatitur një Strategji Kombëtare të Strehimit, dhe aktualisht, është duke u finalizuar një ligj të ri për strehimin social. Të dyja këto akte do të rrisin mundësinë e qytetarëve shqiptarë për t’u afruar me strehimin e përballueshëm dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre.

Të gjitha këto procese dhe iniciativat që kam përmendur shkurtimisht, kanë të përbashkët një qasje ndër-aktive, përmes konsultimeve intensive me të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë përfaqësues nga pushteti vendor dhe qendror, nga bota akademike, nga bizneset, nga shoqëria civile dhe nga qytetarët. Kjo praktikë e mirë e ndërtuar deri më tani, pritet të konsolidohet më tej, në hapat e ardhshëm të zbatimit të Agjendës së Re Urbane, dhe do të garantojë një kontribut dhe pronësi më të gjerë nga të gjithë aktorët.

Shkëlqesia Juaj,

Shqipëria është një vend i vogël me një aspiratë të madhe për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, për të ndarë vlerat, historinë dhe trashëgiminë tonë kulturore, si dhe harmoninë fetare. Por ne jemi ende të vetëdijshëm për sfidat komplekse që shtrihen para nesh, prandaj, ne jemi të angazhuar fort për të vazhduar reformat tona dhe për të siguruar më tej transformimin dhe progresin për qytetarët shqiptarë.

Duke u kthyer pas 40 vjet, në Konferencën e Habitat I, në Vankuver, unë do të përfundoja këtë fjalim me një mesazh të dhënë nga Nënë Tereza, një humanitare e njohur nga Shqipëria, e cila ka thënë se, varfëria nuk ka vetëm të bëjë me të qenit të varfër ose të uritur, por me të qenit të lënë pas dore dhe prapa, të papërkujdesur.

Mesazhi i Nënë Terezës është ende aktual, që do të thotë se,  misioni ynë nuk është realizuar ende. Kjo është arsyeja pse kjo Agjendë e Re Urbane është e domosdoshme për t'u zbatuar nga të gjithë ne.

Ua detyrojmë këtë fëmijëve tanë!

Ju falënderoj,

DEKLARATA E QUITO-s MBI QYTETET E QËNDRUESHME DHE VENDBANIMET NJERËZORE PËR TË GJITHË

QUITO DECLARATION ON SUSTAINABLE CITIES AND HUMANS ETTLEMENTS FOR ALL

Faqa web e organizatës Habitat III

Takim në kuadër të fillimit të procesit të Hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, Mat

Në bashkinë Mat më datat 17.10.2016 u zhvillua takimi në kuadër të fillimit të procesit të Hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të bashkisë Mat.

Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues të organizuesit dhe donatorit “DLDP”, përfaqësues të AKPT-së, të studiove konsulente “Metropolis” si edhe përfaqësues të bashkisë.

Takimin e hapi përfaqësuesi i DLDP-së, ku u vu theksi mbi:

  • Rishikimi i Nismës për hartimin e PPV-së (për arsye të kalendarit të punës, pjesë e kontratës për hartimin PPV, duhen përshtatur afatet e përcaktuar tek dokumenti i Nismës).
  • Mbledhja e të dhënave, sipas kërkesave të kuadrit ligjor për hartimin e Raportit të Analizës dhe Vlerësimit të Territorit. Shfrytëzimi i të dhënave të projektit STAR për këtë qëllim.
  • Ngritja e një grupi pune, permanent në bashki që të ndjeki procesin e PPV-së.

U vendos që në datën 20 Tetor 2016, ora 10:00 të bëhet takimi i parë i grupit të punës ku do të jenë prezent përfaqësues të studios konsulente Metropolis si dhe stafi teknik i bashkisë Mat, ku do të diskutohet më konkretisht në lidhje me programin e punës i cili do të zbatohet gjatë hartimit të PPV.

Nga stafi i AKPT-së u theksua se përpara marrjes së nismës duhet të organizohet një dëgjesë publike duke respektuar afatet kohore sipas kuadrit ligjor në fuqi. Gjithashtu u garantua bashkëpunimi maksimal gjatë procesit të hartimit të PPV-së.

Përsa i përket përfshirjes së diasporës në procesin e hartimit të PPV, nga ana e bashkisë do caktohet zyra e Informacionit dhe Kulturës që do merren në vazhdimësi me këtë aspekt. Gjithashtu faqja zyrtare e bashkisë Mat, do përditësohet në vazhdimësi me të gjithë hapat konkrete të ecurisë së Planit, duke siguruar kështu jo vetëm një proçes transparent por mundësi për të gjithë grupet e interesit (përfshirë diasporën) për t’ u njohur me PPV-në.

Takimi i koordinimit në kuadër të hartimit të PPV-së për Bashkinë Pogradec, me focus liqenin e Ohrit.

Në kuadër të përgatitjes së dokumentacionit, për të zgjeruar pasurinë e Trashëgimisë Botërore edhe në pjesën shqiptare të rajonit të Liqenit të Ohrit, dhe të hartimit të PPV-së për bashkinë Pogradec paralelisht, u zhvillua një takim koordinimi, i organizuar mes ICOMOS Organit Këshillimor të UNESCO-s dhe Ministrisë së Kulturës, në prani të stafit të AKPT-së dhe studios konsulente për PPV-në Pogradec. Ky takim u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Kulturës, me datë 13.10.2016, ora 14:30. 

Objektivat e takimit:

  • Integrimi sa më i plotë i kërkesave të Trashëgimisë Botërore në hartimin e PPV-së;
  • Kriteret e mbrojtjes së liqenit të Ohrit, ato aktuale dhe të parashikuara pas zgjerimit të përfshirjes në listën e mbrojtur nga UNESCO;
  • Koordinim mes këtyre dy proceseve: PPV Pogradec me Manualin për Mirëmbajtjen dhe Rehabilitimin e Trashëgimisë së Ndërtimeve Tradicionale në pjesën Shqiptare të Rajonit të Liqenit të Ohrit.

Pikat kryesore ku u përqëndrua prezantimi ishin si më poshtë:

  • Manuali i konceptuar si kushtetuta e njohurive mbi mjetet rreth teknikave të ndërtimit, me qëllim që të sigurojë ata të cilët janë përfshirë në aspekte të saktësisë teknike, si dhe duhet të vihen në dispozicion të komunitetit profesional, me qëllim:
  1. Aplikimin e  përshtatshëm të riparimit dhe metoda e specifikime mbi restaurimin;
  2. Metodat e pranueshme profesionale të rehabilitimit;
  3. Integrimi i sistemeve të reja të ndërtimit në ndërtesat historike;
  4. Optimizimi i procesit të restaurimit në aspektin teknik, shoqëror dhe ekonomik.
  • Mirëmbajtja, ruajtja dhe rehabilitimi i ndërtesave tradicionale si në zonat urbane dhe ato rurale;
  • Përmirësimi i performancës së efikasitetit të energjisë së aseteve të ndërtuara, si tradicionaleve ashtu edhe atyre të viteve të fundit;
  • Zhvillimi i një strategjie për shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme në rajon, bazuar në “potencialin energjitik” dhe në ndjeshmërinë e mjedisit dhe të peizazhit.

Nga ana e pjesëmarrësve u ra dakord për shkëmbim informcioni të vazhdueshëm, në mënyrë për të patur një bashkëpunim më të ngushtë në javët e ardhshme të punës.

Workshop në kuadër të fillimit të procesit të Hartimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, Malësi e Madhe.

Në bashkinë Malësi e Madhe më datat 05-06.10.2016 u zhvillua “workshop-i” në kuadër të fillimit të procesit të Hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të bashkisë Malësi e Madhe.

Pjesëmarrës në workshop ishin përfaqësues të organizuesit dhe donatorit “DLDP”, përfaqësues të AKPT-së, të studiove konsulente si edhe përfaqësues të bashkisë Malësi e Madhe.

Data 05.10.2016

Dita e parë e takimit ishte e organizuar në formën e një seri vizitash në terren për të njohur nga afër territorin e bashkisë Malësi e Madhe, potencialin e saj sa i përket relievit (bregu i liqenit, fusha e Koplikut dhe Alpet), zonave të banuara urbane dhe rurale me karakter fushor (Kopliku, Bajza) dhe malor (Razma, Tamara, Hoti, Boga, Reçi, etj).

Pas një vizite të shkurtër në ambjentet e bashkisë në qytetin e Koplikut, u vijua në drejtim të fshatit Tamarë në pjesën veriore të bashkisë afër kufirit më Malin e Zi. Gjatë rrugës u vlerësuan investimet në infrastrukturë (rruga e re e asfaltuar drejt Tamarës, shëtitorja e re e Tamarës, infrastruktura sekondare), Leqet e Hotit dhe pamjet mahnitëse të grumbullit malor të alpeve, diversiteti mjedisor, etj.

Data 06.10.2016

Dita  e dytë përfshinte organizimin e një takimi midis stafit të bashkisë dhe ekspertit zvicerian Z. Alfred Wenger gjithashtu në praninë e ekspertëve të DLDP-së, ekspertëve të studios konsulente “Atelier 4” dhe koordinatorit të AKPT për bashkinë e Malësisë së Madhe.

Më pas fjalën e mori përfaqësuesja e studios konsulente, duke bërë një prezantim të gjetjeve të analizës fillestare të bërë nga ana e saj. Prezantimi përmbante:

  • Përcaktime nga Plani i Përgjithshëm Kombëtar;
  • Lidhja me planet e bashkive fqinje (PPV bashkia Shkodër);
  • Analiza e çdo njësie administrative pjesë përbërëse e territorit të bashkisë;
  • Pikat e forta të bashkisë;
  • Problematikat mjedisore;
  • Elementët e fortë territorial;
  • Infrastuktura e rinovuar dhe e degraduar.

Takimi i mbyll me shkëmbime informacionesh dhe mendimesh midis palëve.