Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Manifest

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, një prej institucioneve më prestigjioze dhe dinamike të arsimit të lartë në Shqipëri, qëndron sot në një momenti historik të zhvillimit të tij. I konceptuar me një vizion modern dhe një model organizimi të veçantë në panoramën e arsimit shqiptar, ky universitet është kthyer në një vatër të rëndësishme formimi akademik dhe profesional për mijëra të rinj nga mbarë vendi. 

Në një kohë kur Shqipëria përshpejton ritmet e saj drejt integrimit europian dhe përqafimit të standardeve ndërkombëtare, arsimi i lartë mbetet një shtyllë themelore e këtij transformimi. Universiteti “Aleksandër Moisiu” aspiron të vendosë një standard të ri për universitetet shqiptare: i integruar dhe gjithëpërfshirës, ndërkombëtar dhe inovator. Kjo thirrje për hartimin e masterplanit të zgjerimit të kampusit dhe projektimin e infrastrukturave të nevojshme të tij, shënon fillimin e një procesi ambicioz modernizimi që kapërcen përmasat fizike të infrastrukturës. Administrata e Universitetit kërkon të projektojë një vizion të ri për mënyrën sesi mësohet, bashkëjetohet dhe bashkëveprohet në hapësirat akademike. Përmes strukturimit të një programi që ndërlidh mjedise studimi, kërkimi, banimi, rekreacioni, sporti dhe bashkëjetese komunitare, synohet krijimi i një ekosistemi dije dhe inovacioni përtej kufijve akademik, duke u bërë një pjesë e pandashme e identitetit dhe së ardhmes së qytetit. 

Ky ekosistem do të karakterizohet gjithashtu nga vetë-mjaftueshmëria funksionale dhe ekonomike, me hapësira dhe shërbime që jo vetëm mbështesin jetën universitare, por gjenerojnë të ardhura, krijojnë vende pune dhe ofrojnë funksione të hapura për komunitetin, duke forcuar qëndrueshmërinë afatgjatë të kampusit. 

Synohet që infrastruktura e re e zgjeruar do të mbështesë rritjen e kapaciteteve arsimore dhe kërkimore të universitetit, duke e pozicionuar atë jo vetëm si një qendër edukimi, por edhe si një pol tërheqës për zhvillimin ekonomik, teknologjik dhe urban të qytetit të Durrësit. Kampusi do të ofrojë një kornizë të re për jetën studentore, duke garantuar një përvojë universitare të integruar dhe dinjitoze për të gjithë studentët, nga vendi dhe jashtë. 

Ky është vizioni për një universitet që i përket jo vetëm të sotmes, por edhe dekadave të ardhshme. Një universitet që reflekton aspiratat e një shoqërie që beson në dije, si e vetmja rrugë drejt zhvillimit të qëndrueshëm, në integrim dhe përfshirje, si themele të përparimit dhe në transparencë, si garanci për cilësinë akademike. Kjo tani është ftesa për të menduar një të ardhme që ndërtohet sot, në kampusin e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në mes të Durrësit që rritet, si një qytet i cili do të vazhdojë të luaj një rol kritik në Shqipërinë e së ardhmes. 

Zgjerimi i kampusit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe hartimi i një masterplani të ri, nuk është vetëm një nevojë infrastrukturore, por një projekt vizionar që i përgjigjet dinamizmit të Durrësit dhe objektivave kombëtare për zhvillim. Ky masterplan do të përfshijë jo vetëm mjedise bashkëkohore mësimore dhe kërkimore, por edhe hapësira për inkubatorë biznesi, laboratorë inovacioni, qendra për bashkëpunim ndërkombëtar dhe ambiente që zbehin kufirin mes universitetit dhe qytetit. 

Në të njëjtën kohë, programi do të integrojë një sërë funksionesh komplementare, si qendra multifunksionale, shërbime kulturore dhe sportive, rezidenca studentore, si dhe elementë tregtarë që do të mundësojnë funksionimin afatgjatë të kampusit dhe forcimin e rolit të tij jo vetëm si një nyje urbane por si një qytet në miniaturë. Në këtë mënyrë, universiteti bëhet një pjesë integrale e ekosistemit të inovacionit në vend dhe rajon (i ndërlidhur me Durana Tech Park Innovation Hub) , duke ndikuar në formësimin e një Durrësi të ri, një qytet universitar, i gjallë, i aftë të tërheqë talent, investime, dije dhe partneritete të qëndrueshme. Rrënjët e thella të Durrësit si qendër historike kulturore dhe porta kryesore detare e vendit, kombinuar me rolin e ri të universitetit si nyje e dijes dhe inovacionit, e vendosin këtë qytet në një pozitë unike për të udhëhequr valën e re të zhvillimit në Shqipëri.

Shkarko

Klikoni emertimin e dokumentave perkates per aksesimin e tyre