24/01/2025
Sportet kanë qenë gjithmonë në zemrën e kulturës dhe traditës së qyteteve shqiptare, duke shërbyer si një urë lidhëse për komunitetin, e cila bashkon grupe të ndryshme demografike nën entuziazmin dhe emocionet e forta kolektive të eventeve sportiv. Në aktualitetin e zhvillimit të shpejtë të Tiranës dhe transformimit të saj në një kryeqytet të një kalibri vërtet botëror, është më e rëndësishme se kurrë të vlerësojmë rolin e mundshëm të infrastrukturës sportive si një katalizator për zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor. Një nga këto monumente të trashëgimisë sportive, i cili mbetet ende një potencial i fjetur, është Stadiumi "Selman Stërmasi" në Tiranë.
I ndërtuar në vitin 1956 dhe i emëruar pas një prej figurave më të rëndësishme të futbollit shqiptar, ky stadium ka qenë një qendër kryesore për futbollin në Shqipëri. Stadiumi ka shërbyer për dekada si shtëpia e KF Tiranës, duke pritur disa nga ndeshjet më të rëndësishme dhe emocionuese në historinë e futbollit shqiptar. Për shumë vite, ka pasur një lidhje të fortë me tifozët dhe qytetarët, duke u bërë një simbol i identitetit dhe krenarisë së tyre. Megjithatë, ndërsa Tirana ka përjetuar një zhvillim të shpejtë dhe standardet ndërkombëtare për infrastrukturën sportive kanë evoluar, është bërë e qartë se stadiumi ka nevojë për një transformim të thellë për të vazhduar të jetë një arenë e denjë për sportin dhe komunitetin.
Rijetëzimi i Stadiumit "Selman Stërmasi" është një mundësi për të rijetëzuar këtë simbol kombëtar dhe për t'i dhënë atij një rol të ri dhe të rëndësishëm në jetën e Tiranës bashkëkohore. Ky projekt synon të transformojë stadiumin në një strukturë bashkëkohore, që do të përmbushë standardet teknike të stadiumeve ndërkombëtare, por edhe një diapazon të larmishëm të nevojave të komunitetit më gjerësisht. Përpos programit të hapësirave sportive; projekti i ri i stadiumit mund të prezantojë një vizion të ri dhe ambicjoz të një qendre multifunksionale ku sporti, kultura dhe aktivitetet sociale ndërthuren në harmoni të plotë.
Përvoja e suksesshme e rizhvillimit të stadiumeve të tjera në Shqipëri tregon se një qasje e re dhe inovative ndaj projektimit të stadiumeve mund të sjellë përfitime të shumta për komunitetin dhe qytetin. Stadiumet e rikonstruktuara janë jo vetëm arenat e reja sportive, por edhe hapësira të hapura për publikun, të integruara me dinamika të gjalla urbane që nxisin zhvillimin ekonomik dhe social. Rijetëzimi i Stadiumit "Selman Stërmasi" do të ndjekë këtë qasje, duke krijuar një hapësirë ku aktivitetet sportive, shoqërore dhe kulturore do të bashkëjetojnë, duke i dhënë qytetit një nyje të re urbane ku jeta zhvillohet gjatë gjithë ditës dhe vitit.
Kjo përpjekje për rinovim do të ketë gjithashtu një ndikim të ndjeshëm në ekonominë lokale. Me një infrastrukturë të përmirësuar, stadiumi do të jetë në gjendje të presë ngjarje sportive të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar, duke gjeneruar të ardhura përmes shitjes së biletave, sponsorizimeve dhe turizmit sportiv. Për më tepër, krijimi i hapësirave të reja për aktivitete shoqërore, kulturore dhe tregtare do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të komunitetit lokal, duke ofruar mundësi të reja për punësim dhe përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët e Tiranës.
Ky projekt nuk është vetëm për të përmbushur nevojat e momentit; ai synon të sigurojë që Stadiumi "Selman Stërmasi" të mbetet një simbol i rëndësishëm për brezat e ardhshëm. Procesi i rijetëzimit do të ruaj rolin e Stadiumit në historinë e futbollit shqiptar, si dhe do të sigurojë vazhdimin e trashëgimisë e tij për brezat e ardhshëm. Ndërkohë, do të integrohen teknologji dhe materiale moderne për të garantuar qëndrueshmërinë dhe funksionalitetin e stadiumit për dekadat që vijnë.
Stadiumi "Selman Stërmasi" është më shumë se një ndërtesë; ai është një pjesë e rëndësishme e identitetit të qytetit dhe një simbol i kulturës dhe historisë sportive të Shqipërisë. Rijetëzimi i tij është një hap i domosdoshëm për të siguruar që ky simbol të vazhdojë të luajë një rol qendror në jetën e qytetit dhe të vendit. Ky është një moment unik për të investuar në të ardhmen e Stadiumit dhe për ta transformuar në një destinacion ku aktivitetet sportive, shoqërore dhe kulturore sintetizohen në një program të integruar, duke i dhënë një shtysë të re zhvillimit të qytetit të Tiranës dhe të Shqipërisë.