Tirana është një qytet në transformim, i cili, përmes ndryshimit të vazhdueshëm, po përpiqet të përcaktojë një identitet të ri arkitektonik dhe urban. Në ndërtimet e reja, qasja ndaj arkitekturës bashkëkohore ndërkombëtare dhe integrimi i saj me artin mundëson krijimin e kushteve për një qytet të gjallë e krijues, të përshtatshëm për brezat e rinj.Përmes rehabilitmit së Aquaparkut të Tiranës, synimi është të rikthehet një aset me vlerë i jetës publike të qytetit — një pikë e rëndësishme referimi për breza të tërë, e lidhur ngushtë me natyrën, sportin dhe argëtimin. Projekti i rindërtimit fokusohet veçanërisht tek të rinjtë: duke krijuar kushte të përshtatshme për zhvillimin e aftësive të tyre sportive dhe forcimin e ndjenjës së komunitetit dhe lidhjeve sociale. Ky projekt paraqet gjithashtu një mundësi të madhe për të rishikuar jo vetëm arkitekturën e godinave, por edhe peizazhin dhe hapësirën publike — përmes zgjidhjeve inovative që favorizojnë përdorimin fleksibël përtej funksionit të përcaktuar të strukturës.
Një prioritet kyç i projektit është integrimi i Akuaparkut me kontekstin urban dhe natyror që e rrethon, përfshirë Parkun e Liqenit Artificial, Parkun Olimpik, Kopshtin Zoologjik dhe Botanik, si dhe zonat e banimit me funksione të përziera që kanë pasur zhvillim të rëndësishëm në këtë hapësirë. Integrimi i projektit me rrjetin e gjelbër, infrastrukturën e parkimeve publike dhe aksesin për këmbësorë e biçikleta do të sigurojë jo vetëm lidhje funksionale, por edhe sinergji sociale e mjedisore, duke e kthyer Akuaparkun në një qendër jetike të jetës urbane dhe rekreative të Tiranës. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i kësaj ndërhyrjeje është përditësimi i sistemeve teknike të kompleksit — një mundësi që mbart potencial të konsiderueshëm për dizajnin industrial dhe grafik të elementeve teknike dhe pajisjeve sportive të strukturës.
Për të arritur një projekt me vlerë, që shfrytëzon më së miri kreativitetin dhe inovacionin e profesionistëve vendas dhe ndërkombëtarë — dhe që mbledh idetë më të mira në arkitekturë — qyteti po organizon këtë konkurs ndërkombëtar të projektimit arkitektonik. Për këto arsye, ftojmë të gjitha studiot e interesuara të arkitekturës të marrin pjesë në konkurs dhe të kontribuojnë me ide e propozime që do të sjellin ndryshim kuptimplotë dhe të qëndrueshëm në këtë hapësirë të rëndësishme publike të kryeqytetit. Le ta ndërtojmë së bashku të ardhmen e Akuaparkut të Tiranës, duke krijuar një hapësirë që frymëzon, lidh dhe rigjallëron komunitetin tonë.