Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Takim konsultativ në kuadër të finalizimit të Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit 2017-2022

Në kuadër të hartimit dhe finalizimit të Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit 2017-2022, në ambjentet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes, u zhvillua takimi konsultativ mbi draftin e Strategjisë me përfaqësues nga institucionet qëndrore: Kryeministria, Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Ministria e Kulturës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit  si dhe GIZ Albania. Ky takim synoi njohjen me përditësimet mbi Draft-Strategjinë dhe punën e bërë nga ekspertët, si dhe mundësinë për dhënien e komenteve ose sugjerimeve përkatëse.

SZHT 2017-2022 është një dokument strategjik në sektorin e turizmit, i cili është mbështetur mbi Strategjinë e Turizmit 1993-2010, Strategjinë e Turizmit 2002-2012 dhe Strategjinë Sektoriale të Turizmit 2007-2013, për të ofruar një kornizë të përforcuar të zhvillimit dhe menaxhimit të turizmit në Shqipëri.

Objektivat e takimit:

  • Shqyrtimi dhe prezantimi i progresit të bërë mbi finalizimin e Draft-Strategjisë.
  • Konsultimi dhe bashkëbisedimi mbi çështjet, të cilat mund të reflektohen në Strategji, sipas çështjeve të interesit nga ana e secilit institucion qëndror të pranishëm.

Dokumenti SZHT 2017-2022  është bazuar te Strategjia Sektoriale e Turizmit 2007-2013, e cila është në prag miratimi dhe ka konkluduar të gjitha fazat e hartimit dhe konsultimeve.

Gjatë prezantimit u shpjegua ndarja e kapitujve, ku kapitulli i parë (Kushtet aktuale, Dokumentat strategjike në vite, Ecuria e sektorit të turizmit) dhe kapitulli i dytë ( Vizioni, politikat dhe qëllimet strategjike ) ishin ruajtur sipas SST 2007-2013, por kapitulli i tretë (Objektivat e politikës dhe produktet madhore) ishte ndryshuar plotësisht, ndërsa kapitulli i katërt (Burimet financiare) dhe kapitulli i pestë (Llogaridhënia, monitorimi dhe analiza vlerësuese) janë ende të papërfunduar për arsye se duhet përcaktuar Plani i Veprimeve dhe i Implementimit të Strategjisë.

Në përfundim u vendos për afatet e mëposhtme:

  • Ditën e hënë, datë 21.11.2016  do të mbyllen ato kapituj që janë ende të papërfunduar.
  • Deri ditën e mërkurë, datë 23.11.2016 priten kontributet dhe sugjerimet mbi Draftin, nga pjesëmarrësit apo përfaqësuesit nga institucionet qëndrore.
  • Përmbyllja e një drafti të konsoliduar të Strategjisë brënda muajit nëntor.

Mbyllja e ekspozitës “Ditar i një hapësire”

“Ditar i një hapësire” është ekspozita e organizuar nga  Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Ministria e Zhvillimit Urban për vizionin Shqipëria 2030. Ekspozita u çel në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe qëndroi e hapur  për 7 muaj duke tërhequr gjatë kësaj periudhe më shumë se 5 mijë vizitorë të fushave të ndryshme si: arkitektë, planifikues, studentë, nxënës e profesionistë të ndryshëm, ku një pjesë e mirë ndër ta ishin edhe të huaj.

Përveç shpalosjes së Vizionit Shqipëria 2030, vizionit për 15 vitet e ardhshme të drejtimit të zhvillimit të territorit të Shqipërisë, kjo ekspozitë i prezantoi publikut edhe një këndvështrim mbi planifikimin në tokën shqiptare duke nisur nga viti 500 p.e.s deri në ditët e sotme, për formimin e vendbanimeve në Shqipëri si edhe për thesaret që ajo mbart.

Në mjediset e ekspozitës u bë një ndër mbledhjet më të veçanta të Këshillit Kombëtar të Territorit, ku u miratuan dokumentet strategjikë pjesë e Vizionit Shqipëria 2030: Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë – Durrës.

Ceremonia e mbylljes së DITAR u zhvillua në praninë e Ministres së Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, drejtuesve të agjencive ndërkombëtare që bashkëpunojnë me MZHU dhe AKPT, profesionistëve të ndryshëm që kanë kontribuar në proceset e punës për Vizionin Shqipëria 2030 dhe ngritjen e ekspozitës, si edhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Fjalën e hapjes së ceremonies e mbajti znj. Gjermeni, e cila vlerësoi edhe njëherë punën e palodhur të kryer nga stafi i AKPT-së dhe i Ministrisë së Zhvillimit Urban, si edhe përmendi rëndësinë që mbajti në vetvete kjo ekspozitë për të gjithë vizitorët. U bë një falenderim i veçantë për të gjithë bashkëpunëtorët që ishin një ndihmesë për çeljen dhe mbarëvajtjen me sukses të saj.

Kjo ekpozitë nuk u pa si një proces tashmë i përfunduar, por si një shtysë për ndërmarrjen e projekteve dhe aktiviteteve të reja me qëllim sensibilizimin për mbrojtjen e territorit dhe natyrës sonë.

Informacioni i prezantuar në DITAR dhe dokumentet e lidhura me të do të kalohen në një hapësirë virtuale, e cila mund të vizitohet në çdo kohë dhe në vazhdimësi. Për këtë hapësirë po punohet nga AKPT.

Takimi për prezantimin e zonimit të ri të Rezervatit Natyror të Menaxhuar (RNM) të Liqenit të Shkodrës, Shkodër

Në qytetin e Shkodrës në ambjentet e Hotel “Rozafa” më datë 04.11.2016 në orën 10:00, u zhvillua takimi përmbyllës i projektit dhe prezantimi i zonimit të ri të Rezervatit Natyror të Menaxhuar (RNM) të Liqenit të Shkodrës.

Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues të AKPT-së, bashkisë Shkodër, AKZM-së, AdZM-së Shkodër, IUCN ECARO dhe profesorë nga Universiteti i Shkodrës.

Pikat kryesore të trajtuara gjatë këtij takimi ishin:

  • Me miratimin e ligjit të ri për zonat e mbrojtura në vitin 2017 do të bëhet rishpallja e të gjitha zonave të mbrojtura të Shqipërisë.
  • Rizonimi i RNM Liqeni i Shkodrës është kryer në përputhje me standardet evropiane.
  • Situata e liqenit të Shkodrës, e krahasuar me pjesën malazeze të liqenit, nuk është në gjendje të mirë për disa arsye:   
  1. Janë pakësuar sasitë e peshqëve;
  2. Shtimi i specieve të huaja;
  3. Përqëndrimi i metaleve të rënda dhe ndotësve organik –kimik është rritur;
  4. Rritja e eutrofikimit/ derdhja e ujrave të zeza në liqen.
  • Liqeni i Shkodrës ofron mjaft mundësi për zhvillimin e ekoturizmit dhe sporteve të natyrës si:
  1. marshimi;
  2. kanotazhi;
  3. lundrimi;
  4. alpinizmit në zonat malore përreth;
  5. alpinizimi ekstrem në guroret e braktisura;
  6. paragliding;
  7. kampim;
  8. piknike;
  9. birdwaching;
  10. peshkim sportiv.
  • Territori kombëtar dhe ai përreth RNM Liqeni i Shkdrës i është nënshtruar dhe po i nënshtrohet procesit të planifikimi territorial si në anën shqiptare ashtu edhe në atë malazeze.
  • Prezantime të punës së bërë nga aktorë të ndryshëm që zhvillojnë aktivitetin e tyre përreth liqenit të Shkodrës si në Shqipëri ashtu edhe në Mal të Zi për çështje si:
  1. monitorimi i Pelikanit kaçurrel;
  1. trajnime të rojtarëve të liqenit, mbështetja e tyre me logjistik;
  2. krijimi i software-it për regjistrimin e veprave penale në liqeni, si peshkimi ilegal (300kg/ditë në zonën  malazeze) me dinamit dhe rrymë elektrike, ndërtimet pa leje, etj;
  3. Në zonën malazeze është në proces hartimi i Planit Hapësinor me qëllim të posaçëm në turizëm.

Takimi u mbyll me diskutime të lira mbi problematikat e lidhura me liqenin në përditshmërinë e përdorueve të tij. 

Trajnim nga ekspertët e USAID, me temë “Instrumentët financiarë për Zhvillimin e Territorit dhe Planet e Përgjithshme Vendore”

USAID Albania, në mbështetje të programit “ Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” (PLGP), zhvilloi në datën 3 Nëntor 2016 trajnimin me temën “Instrumentët financiarë për Zhvillimin e Tokës dhe Planet e Përgjithshme Vendore”, pranë ambjenteve të hotel D’Oro City.

Pjesëmarrës në trajnim ishin përfaqësues të programit të PLGP-së dhe përfaqësues të AKPT-së. Trajnimi u mbajt nga eksperti i USAID-it, Tony Favro. Ky trajnim konsiston në ekspertizën e implementimin të instrumenteve të menaxhimit dhe administrimit të tokës, të propozuara në Ligjin nr. 107/2014, datë 31.7.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe në Dokumentin e Politikave, “Instrumentet financiare për zhvillimin e tokës”.

Kjo eksperiencë do të shërbejë për rritjen e kapaciteteve të punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, në implementimin e instrumenteve të propozuara.

Në përfundim të trajnimit u morën 4 raste studimi, mbi të cilat u punua nga pjesëmarrësit në trajnim, për zgjidhjen e problematikave të shfaqura në secilin rast në bazë të instrumentave financiare të propozuara.