PDZRK Karavasta-Seman
Nevoja për hartimin e Planit të Detajuar për Zonën me Rëndësi Kombëtare mes Lagunës së Karavastasë dhe Lumit Seman, vjen si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e vendimeve të Komitetit të Investimeve Strategjike (KIS) për miratimin e një sërë investimesh që prekin Zonën e Mbrojtur të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe Brezin Bregdetar.
Hartimi i PDZRK-së mes Lagunës së Karavastasë dhe Lumit Seman përbën një detyrim ligjor në bazë të përcaktimeve të Ligjit 107/2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, i ndryshuar, dhe VKM-së Nr. 686 datë 22.11.2017 “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit të Territorit”, Neni 32 i së cilës përcakton se:
- Zhvillimi i zonave të rëndësisë kombëtare në përputhje me kufizimet dhe kushtëzimet e legjislacionit sektorial, kryhet nëpërmjet lejeve të ndërtimit, në territore me kushte zhvillimi të paracaktuara si rezultat i proceseve të planifikimit të territorit;
- Kur zhvillimi propozohet në zona të paurbanizuara, territori përkatës pjesë e zonës së rëndësisë kombëtare duhet t’i nënshtrohet detyrimisht një planifikimi të detajuar e të posaçëm.
- Ky proces planifikimi kryhet nëpërmjet hartimit të Planit të Detajuar të Zonës me Rëndësi Kombëtare.
Përcaktimi për hartimin e PDZRK-së për territorin mes Karavastasë dhe Semanit është dhënë gjithashtu nga Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Divjakë, miratuar me Vendimin e KKT-së Nr. 9, datë 08.02.2017, ku ndodhet pjesa më e madhe e territorit të investimeve strategjike të miratuara.