Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Platforma e Monitorimit për zbatimin e Planeve

Termi “monitorim”, mund të interpretohet si  proces "kontrolli" ose "vëzhgimi në vazhdimësi" dhe do të thotë  mbledhje e vazhdueshme, vlerësim, interpretim dhe sigurim i të dhënave të përshtatshme, indikatorëve apo ngjarjeve si bazë për vendimmarrje në lidhje me planifikimin e territorit.

Përqasja e monitorimit tonë lidhet me zbatimin e parimeve kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm që përcaktohen në planet në nivel kombëtar dhe vendor për territorin e Shqipërisë dhe gjithashtu për vlerësimin e zbatimit të projekteve strategjike të shprehura në këto dokumente.

Aktiviteti i monitorimit shërben gjithashtu për të mbështetur menaxhimin e zonave të vendbanimit si edhe modernizimin për administrimin e tyre.

Në fushën e planifikimit hapësinor, monitorimi shërben për informimin mbi:

  1. Sigurimin e informacionit për publikun dhe politik-bërësit mbi zhvillimet hapësinore.
  2. Rritjen e vetëdijes së publikut dhe politikës për një shfrytëzim më të ndërgjegjshëm të tokës dhe burimeve natyrore.
  3. Rritjen e motivimit të publikut dhe politikanëve drejt një angazhimi më të lartë për zhvillimin e rajonit të tyre.
  4. Zhvillimet problematike në territor dhe nëpërmjet skenarëve të parashikimeve tregojnë nevojën për veprimet e përshtatshme në fushën e planifikimit hapësinor.

Metodologjia

Me qëllim monitorimin e zhvillimit të territorit në përputhje me dokumentin "Shqipëria 2030", referuar bazës ligjore “Për planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, Ligji 107/2014 i ndryshuar, dokumentit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar për territorin dhe aktivitetit të AKPT-së për koordinimin dhe mbështetjen e pushtetit vendor për hartimin e planeve të përgjithshme vendore, sugjerohen këto instrumente monitorimi:

  1. Seti i Indikatorëve (treguesëve) kombëtarë;
  2. Matrica për zbatimin e projekteve strategjike kombëtare (burimi PPK);
  3. Matrica për zbatimin e projekteve strategjike vendore (burimi PPV).

Kërkesa kryesore në lidhje me zgjedhjen e treguesve është se ata duhet të jenë të qartë dhe të lehtë për t’u interpretuar, territorialisht të rëndësishëm, të zbatueshëm, të matshëm dhe të kenë kuptim nga pikëpamja analitike.