Informimi dhe Transparenca
Ligji për të Drejtën e Informimit rregullon të drejtën e njohjes së publikut me informacionin që prodhohet ose mbahet nga autoritetet publike duke nxitur integritetin, transparencën dhe përgjegjshmërinë e institucioneve.
Ligji për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik përcakton rregullat dhe procedurat për të drejtën e ripërdorimit të të dhënave të hapura, për qëllime fitimi ose jo, të dokumenteve që mbahen nga organet e sektorit publik ose sipërmarrjet publike në Republikën e Shqipërisë, me synim nxitjen e inovacionit në ofrimin e produkteve dhe të shërbimeve.
Ligji për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për aksesin në dokumente zyrtare synon arritjen e një uniteti më të madh ndërmjet anëtarëve të KE-së mbi përcaktimin e rregullave për mbrojtjen dhe ushtrimin e të drejtës për akses në dokumentet zyrtare.
Ligji për njoftimin dhe konsultimin publik rregullon procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik të projektligjeve, projektdokumenteve strategjike kombëtare dhe vendore, si dhe politikave me interes të lartë publik, rregullat procedurale që duhen zbatuar për të garantuar transparencën dhe pjesëmarrjen e publikut në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse nga organet publike, me synim nxitjen e transparencës, përgjegjshmërisë dhe integritetit të autoriteteve publike.