“Ditar i një hapësire” është ekspozita e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Ministria e Zhvillimit Urban për vizionin Shqipëria 2030. Ekspozita u çel në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe qëndroi e hapur për 7 muaj duke tërhequr gjatë kësaj periudhe më shumë se 5 mijë vizitorë të fushave të ndryshme si: arkitektë, planifikues, studentë, nxënës e profesionistë të ndryshëm, ku një pjesë e mirë ndër ta ishin edhe të huaj.
Përveç shpalosjes së Vizionit Shqipëria 2030, vizionit për 15 vitet e ardhshme të drejtimit të zhvillimit të territorit të Shqipërisë, kjo ekspozitë i prezantoi publikut edhe një këndvështrim mbi planifikimin në tokën shqiptare duke nisur nga viti 500 p.e.s deri në ditët e sotme, për formimin e vendbanimeve në Shqipëri si edhe për thesaret që ajo mbart.
Në mjediset e ekspozitës u bë një ndër mbledhjet më të veçanta të Këshillit Kombëtar të Territorit, ku u miratuan dokumentet strategjikë pjesë e Vizionit Shqipëria 2030: Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin dhe Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë - Durrës.