Plani i Përgjithshëm Kombëtar
Plani i Përgjithshëm Kombëtar (PPK) "Shqipëria 2030" është instrumenti më i lartë i planifikimit territorial në Shqipëri, i cili adreson në mënyrë të integruar çështjet e planifikimit, duke e parë territorin shqiptar si një të tërë.
Plani i Përgjithshëm Kombëtar vjen jo vetëm si përmbushje e një detyrimi ligjor, por edhe si domosdoshmëri për të realizuar objektivat e programit të qeverisë për rritje të mirëqenies së qytetarëve dhe rritjes ekonomike të vendit, nëpërmjet zbutjes së pabarazive, forcimit të partneritetit strategjik me vendet fqinje dhe zbatimit të politikave, që forcojnë konkurrencën e sektorëve ekonomikë, duke garantuar në këtë mënyrë integrimin në Bashkimin Europian.
PPK paraqitet në një moment të rëndësishëm të riorganizimit territorial për Shqipërinë si një instrument që mbështet dhe mundëson zbatimin cilësor të reformës administrative territoriale. Ai përbën një platformë të rëndësishme për rajonet dhe bashkitë e reja në hartimin e planeve të tyre rajonale e vendore.
Dokumenti i PPK-së do të jetë subjekt vlerësimi, në përshtatje me faktorët e rinj socialë, ekonomikë dhe mjedisorë:
- çdo 3 vjet, sipas kornizës kohore të PBA-së;
- në fund të çdo 5-vjeçari, sipas kornizës kohore të SKZHI-së.
Puna e institucioneve përgjegjëse për përditësimin e këtij dokumenti, do të jetë e vazhdueshme dhe progresive. Përshtatja e dokumentit të PPK-së me kuadrin e ri ligjor që do të vijojë të miratohet, ligje apo VKM, të cilat përcaktojnë rregulla të mëtejshme për mbrojtjen, zhvillimin dhe menaxhimin e territorit, do të jetë e menjëhershme dhe nëpërmjet një procesi transparent.