Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin
Plani i integruar ndërsektorial do të jetë kushtetuta e zhvillimit të rajonit të bregdetit, i cili do të nxisë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, integritet social dhe mbrojtje të pasurive natyrore për 15 vitet e ardhshme. Zona bregdetare është pasuri kombëtare dhe si e tillë është jo vetëm subjekt interesi i pronarëve e banorëve që jetojnë në këtë territor, por i të gjithë shqiptarëve.
Kjo hapësirë bregdetare duhet të studiohet e të trajtohet si:
• binom det-tokë, aset i rëndësishëm kombëtar dhe pjesë e integruar e rrjetit mesdhetar;
• hapësirë e mirëmenaxhuar, ku harmonizohen nevojat për zhvillim ekonomik dhe nevojat lokale me domosdoshmërinë e mbrojtjes së aseteve kulturore, natyrore dhe historike;
• destinacion autentik, i shumëllojshëm dhe i pastër.
Plani i Integruar Ndërsektorial për Brezin Bregdetar jep vizionin e zhvillimit të vijës bregdetare. Ai orienton zhvillimet sektoriale me rëndësi kombëtare në fushën e turizmit, mjedisit, transportit, energjisë, bujqësisë, kulturës etj., si dhe zhvillimet urbane në territoret që administrohen nga bashkitë.
Plani synon gjithashtu të vendosë një raport më të mirë midis kërkesave për investime të biznesit me zhvillimin e qëndrueshëm të territorit, mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurive historike, trashëgiminë kulturore, zonat natyrore të mbrojtura dhe njëkohësisht të parandalojë investimet në zona që shfaqin rrezik për jetën, natyrën e mjedisin.