Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Hartimi i PDZRK-së për zonën me Rëndësi Kombëtare Baks-Rrjoll, Bashkia Shkodër, Rana e Hedhun dhe Tale, Bashkia Lezhë, Grykëderdhja e Ishmit, Bashkia Kurbin dhe Spille, Bashkia Rrogozhinë, kryhet me propozimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, dhe përbën një detyrim ligjor në bazë të përcaktimeve të Ligjit 107/2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, i ndryshuar dhe VKM 686/2017 “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit të Territorit”, e ndryshuar, Neni 32 i së cilës përcakton se:

1.     Zhvillimi i zonave të rëndësisë kombëtare në përputhje me kufizimet dhe kushtëzimet e legjislacionit sektorial, kryhet nëpërmjet lejeve të ndërtimit, në territore me kushte zhvillimi të paracaktuara si rezultat i proceseve të planifikimit të territorit.

2.     Kur zhvillimi propozohet në zona të paurbanizuara, territori përkatës pjesë e zonës së rëndësisë kombëtare duhet t’i nënshtrohet detyrimisht një planifikimi të detajuar e të posaçëm.

3.     Ky proces planifikimi kryhet nëpërmjet hartimit të Planit të Detajuar të Zonës me Rëndësi Kombëtare.

Referuar Nenit 33, pikat 1 dhe 2:

1.     Planet e detajuara për zonat me rëndësi kombëtare hartohen me qëllim mbrojtjen, ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave të rëndësisë kombëtare.

2.     Objekti i Planit të Detajuar për një Zonë të Rëndësisë Kombëtare është:

a)    Zona dhe/ose çështja e rëndësisë kombëtare në planifikimin e territorit apo pjesë të saj, të paprekura nga zhvillimi, në të cilat propozohen ndërhyrje me prioritet zhvillimi brenda kufizimeve ligjore e sektoriale.

b)    Investime të rëndësishme dhe strategjike që nxisin zhvillimin e territorit dhe kanë ndikim kombëtar.

 

Përcaktimi për hartimin e PDZRK-së për 5 zonat me Rëndësi Kombëtare Baks-Rrjoll, Rana e Hedhun, Tale, Grykëderdhja e Ishmit dhe Spille është dhënë gjithashtu nga Planet e Përgjithshme Vendore Bashkisë Shkodër, Lezhë, Kurbin dhe Rrogozhinë, miratuar me Vendime të KKT-së.

PDZRK është e domosdoshme të hartohet për të përcaktuar orientime dhe rregulla të detajuara për zhvillimin në Zonat e Rëndësisë Kombëtare si më sipër. Qëllimi kryesor i PDZRK-së është përcaktimi i orientimeve dhe rregullave të detajuara për zhvillimet dhe infrastrukturat në funksion të aktiviteteve ekonomike dhe turistike në territorin subjekt i tyre, duke siguruar bashkërendimin dhe respektimin e legjislacionit sektorial dhe dokumenteve të planifikimit në fuqi. PDZRK hartohet në zbatim të orientimeve strategjike të Planit të Integruar Ndër-Sektorial për Bregdetin, dhe detajon përcaktimet për zhvillime në funksion të turizmit bregdetar në zonat në fjalë. Sipas legjislacionit të sipërcituar në fushën e planifikimit të territorit, PDZRK qëndron në hierarkinë e planifikimit nën Planet Kombëtare Sektoriale, dhe mbi Planet e Përgjithshme Vendore. Si i tillë, PDZRK merr parasysh PPV Shkodër, Lezhë, Kurbin e Rrogozhinë, por rezervon të drejta për të rishikuar propozimet e PPV-ve, në zbatim të vizionit të PINS Bregdetit për zhvillimin turistik në rajon, të strategjisë kombëtare të turizmit dhe interesave për zhvillim në zonë, të koordinuara nga Ministria e linjës dhe Këshilli Kombëtar i Territorit.

Lexo më shumë