Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Planifikimi

Procesi i Planifikimit të territorit synon të sigurojë:

  • zhvillim të qëndrueshëm të territorit, nëpërmjet përdorimit racional të tokës dhe të burimeve natyrore;
  • balancim të përdorimit të burimeve natyrore, të nevojave ekonomike e njerëzore dhe interesave publikë e privatë;
  • zhvillim ekonomik, shoqëror e kulturor në nivel kombëtar e vendor;
  • harmonizim të zhvillimit të territorit, sipas parimeve të qëndrueshmërisë, me ruajtjen dhe mbrojtjen e biodiversitetit dhe zonave me status të posaçëm;
  • eleminimin e barrierave, për një përdorim të sigurt, të barabartë e të pavarur të hapësirave nga të gjithë personat, përfshirë ata me aftësi të kufizuar ose grupe të veçanta, për të cilët janë të nevojshme zgjidhje teknike apo pajisje të veçanta.

Procesi i planifikimit është një cikël i vazhduar që vendos në një marrëdhënie të ndërsjellë dhe të ndërvarur të gjitha dokumentet e planifikimit, të cilat përbëjnë instrumente që u përgjigjen dinamikave të aktivitetit njerëzor dhe territorit.

Në kuadër të konsolidimit të Reformës Administrative Territoriale dhe pajisjes së bashkive të reja me instrumentet e nevojshme për qeverisjen e mirë dhe të qëndrueshme të territorit, Qeveria Shqiptare nëpërmjet ministrisë përgjegjëse për planifikimin e territorit dhe AKPT-së, ka ndërmarrë nismën për mbështetjen e pushtetit vendor për mbulimin e të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë me Plane të Përgjithshme Vendore.

Për një proces sa më transparent në informimin e publikut mbi proceset planifikuese në territor në vazhdimësi, Qeveria Shqiptare dhe AKPT kanë ngritur sistemin elektronik e-Planifikimi, sistem i cili trajton proceset e planifikimit si procese të hapura konsultimi dhe informimi, për të arritur në atë që quhet planifikim dhe vendimmarrje me pjesëmarrje të gjerë publike.

Bëjmë me dije se i gjithë procesi i nisjes, konsultimit, bashkërendimit dhe miratimit të Planeve të Detajuara Vendore (PDV) nga bashkitë realizohet vetëm nëpërmjet sistemit elektronik e-planifikimi, sipas procedurave të përcaktuara në Udhëzimin Nr. 4 datë 09.07.2019 të Drejtorit të Përgjithshëm të AKPT-së “Për realizimin e procesit të nisjes, konsultimit, bashkërendimit dhe miratimit të dokumenteve të planeve të detajuara vendore (PDV) nëpërmjet Regjistrit Kombëtar të Planifikimit të Territorit- sistemi elektronik e-planifikimi”, që nga data 02.09.2019. 

 

Regjistri Kombëtar i Planifikimit të Territorit 

Me ndryshimet e fundit ligjore në fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, si edhe me krijimin e dy agjencive të veçanta të dedikuara për secilin nga këto dy procese (planifikimin dhe lejedhënien) ka ndryshuar gjithashtu edhe konceptimi i organizimit dhe administrimit të Regjistrit, duke u ndarë në dy sisteme të veçanta, ku njëri i shërben proceseve të planifikimit dhe tjetri proceseve të lejedhënies. Konkretisht: Regjistri Kombëtar i Planifikimit të Territorit (RKPT), ose e-Planifikimi dhe e-Lejet.

Regjistri Kombëtar i Planifikimit të Territorit është organizuar në vetvete mbi bazën e dy komponentëve kryesore:

  1.  Platforma e ndërveprimit ndërinstitucional
  2.  Harta interaktive GIS.

RKPT me strukturën dhe funksionalitetet e tij të reja do të mundësojë më shumë transparencë në proceset e planifikimit, pasi do të mundësojë aksesimin e lehtë nga ana e publikut në informacionet që lidhen me proceset dhe përmbajtjen e dokumenteve të planifikimit.  

Platforma e Ndërveprimit Ndërinstitucional të Regjistrit Kombëtar të Planifikimit të Territorit, e-platforma, është ngritur me qëllim realizimin e bashkërendimit të proceseve planifikuese, duke nisur nga ndërmarrja e nismës për hartimin e dokumenteve të planifikimit deri në miratimin përfundimtar të tyre.

e-platforma është e dedikuar vetëm për përdorues punonjës në administratën vendore dhe qëndrore. Për akses në e-platformën e Regjistrit Kombëtar të Planifikimit të Territorit është e nevojshme që përdoruesit të zotërojnë një llogari aktive, (username/password).

Aktualisht, aksesi do të kryhet nëpërmjet link-ut:

http://172.24.35.17/npr/login.aspx?ReturnUrl=%2fnpr%2fdefault.aspx 

Përdoruesit, të cilët nuk zotërojnë një llogari të hapur në RKPT, por janë të pajisur me një VPN, mund të aksesojnë për t'u njohur me materialet e botuara në të nëpërmjet link-ut:

172.24.35.4

Publiku i gjerë, i interesuar të ndjekë dhe të informohet lidhur me proceset planifikuese në territor, ka në dispozicion e-hartën. Kjo hartë në formatin GIS paraqet informacionet hapësinore për gjendjen ekzistuese dhe atë të planifikuar të territorit, mbi infrastrukturën, ndërtesat, infrastrukturën inxhinierike, projektet strategjike, etj. Gjithashtu, në e-hartën paraqiten informacione bazë të marra nga shërbimet e ASIG si: ortofotot, ndarjet administrative, zonat e mbrojtura, etj.

AKPT kryen në mënyrë periodike përditësimin e sistemit elektronik e-platforma, sipas strukturës së dokumenteve të planifikimit, për secilin autoritet përgjegjës të planifikimit në nivel qendror dhe vendor.       

Njëkohësisht është në proces hartimi i Rregullores së Regjistrit Kombëtar të Planifikimit të Territorit, ku do të përcaktohen rregullat për administrimin dhe mirëmbajtjen e të dhënave, strukturës si dhe detyrimeve të autoriteteve përgjegjëse të planifikimit të territorit, për sa i përket mirëmbajtjes dhe botimit të dokumenteve dhe të dhënave në Regjistrin Kombëtar të Planifikimit të Territorit.