Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

THIRRJE PËR APLIKIM AASA '17

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) ka hapur thirrjen për aplikime në Akademinë Verore Atelier Albania '17 (AASA '17), e cila do të ketë në fokus Luginën e Vjosës.
Afati i pranimit: 5 Korrik, ora 23:59

AA Summer Academy '17

gusht 20 – shtator 24

--------------------------------

2 javë në Përmet

3 javë në Tiranë

--------------------------------

Çfarë është AASA?

Akademia Verore e Atelier Albania (AASA), nisi në vitin 2015 si një forum për të zbuluar mënyra të reja edukimi të planifikimit urban dhe për të përpunuar një qasje kritike për zhvillimin e turizmit. Qëllimi i AASA është të jetë pika lidhëse mes dy llojeve të njohurisë; njohuri teknike të planifikuesve urbanë (“njohuri e përpunuar”), dhe “njohuri personale,” bazuar në eksperiencën e banorëve vendas.* Këto njohuri të dy llojeve të ndryshme nuk kanë bazë hierarkike, por janë në thelb të ndryshme. Mbështetur nga dialogu në terren, AASA punon për përcaktimin e një platforme të përbashkët, ku qëllimet e shtetit për zhvillimin e turizmit mund të takohen me interesat e banorëve vendas, duke ilustruar skenarë të ndryshëm ku qëllimet konvergjojnë.

*John Friedmann “The Transactive Style of Planning,” 1973


Qëllimi i AASA ‘17

“Akademia Verore AA'17” zhvillohet në kuadër të zbatimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit dhe procesit të planifikimit vendor të Bashkive Këlcyrë, Kolonjë dhe Përmet. Qëllimi i këtij ushtrimi kërkimor, me fokus në Luginën e Vjosës, është të nxjerrë në pah projektet dhe aktivitetet që mund të zhvillohen në këtë luginë për të stimuluar rritjen e fluksit të vizitorëve, duke përdorur me kujdes, efikasitet dhe përgjegjshmëri potencialin që ofron natyra dhe kultura vendase.


Mënyra e aplikimit

Dërgo portfolio (format A4 , max. 10 fq., madhësia max. e dok. 5MB) dhe CV në adresën aasa@planifikimi.gov.al me titull “AASA '17: aplikim emër mbiemër”. Kandidatët e përzgjedhur do të intervistohen.

Kursi do të pranojë pesë studentë.


Afati i pranimit të aplikimeve është data 5 Korrik, ora 23:59 dhe ofertat e pranimit do të dërgohen jo më vonë se 26 Korrik.


Aftësitë e kërkuara

Eksperiencë në punë kërkimore dhe shkrim në shqip e anglisht, skicim, komunikim dhe marrje e kujdesshme e shënimeve. Puna do të zhvillohet në grup, ndaj aftësia për të diskutuar aktivisht me kolegët është domosdoshmëri.


Akomodimi në Përmet dhe udhëtimi do të mundësohen nga organizatorët. Studentët do të marrin dieta ditore për ditët jashtë Tirane. Produkti i kursit do të jetë një botim dygjuhësh.

Faleminderit!

Ju mirëpresim!

 AASA '17 Thirrje e Hapur

Termat e Referencës për studentët pjesëmarrës të AASA '17

AASA'17 Call Poster

Terms of Reference for participating studens

Workshop në kuadër të bashkërendimit të Planeve Vendore dhe Planit Kombëtar Sektorial për sektorin e turizmit në rajonin e Apleve

Në vijim të Forum të Bashkërendimit të Planifikimit në Nivel Qëndror, më datë 08.06.2017, në orën 13:30 pranë Hotel Tirana u zhvillua workshopi me fokus specifik bashkërendimin të Planeve Vendore dhe Planit Kombëtar Sektorial Turistik për Alpet.

Në workshop ishin prezentë përfaqësues të studiove konsulente për hartimin e planit sektorial dhe Planeve Vendore, përfaqësues të AKPT-së, përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë, Turizmit, Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, si edhe përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në cilësinë e porositësit të Planit Kombëtar Sektorial të Turizmit për Alpet.

Ky takim kishte për qëllim koordinimin e propozimeve midis Planeve të Përgjithshme Vendore të Bashkive Malësi e Madhe, Vau Dejës, Shkodër dhe Tropojë me Planin Kombëtar Sektorial të Turizmit për Alpet. E gjitha kjo është në funksion të një produkti gjithëpërfshirës dhe të bashkërenduar, ku duhet të harmonizohen mirë politikat qendrore me vizionin rajonal dhe nevojat e iniciativat lokale.

Workshopi u organizua në dy pjesë.

Gjatë pjesës së parë u organizua diskutimi midis studiove konsulente të përfshira në procesin e hartimit të planeve në nivel vendor (PPV) dhe kombëtar (PKS).

Gjatë pjesës së dytë u organizua diskutimi midis studiove konsulente dhe përfaqësuesve të institucioneve në nivel qendror.

Takime të kësaj natyre, do të ketë përsëri, deri në miratim të PKS-së, edhe me institucione të tjera e grupe të tjera interesi.

Shkëmbim experience me planifikues Armenë

Me datë 7 Qershor 2017, në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, u organizua një takim me një delegacion planifikuesish nga Armenia. Në takim ishin pjesëmarrës përfaqësues të AKPT-së dhe 25 planifikues Armenë, përfaqësues të institucioneve të niveleve të ndryshme të planifikimit, qendror, rajonal e vendor.

Synimi i takimit ishte shkëmbimi i eksperiencave të procesit të planifikimit të territorit. Nga AKPT u krye një prezantim mbi progresin që është arritur në fushën e planifikimit në Shqipëri në vitet e fundit. Theksi u vendos në hartimin e planeve të para kombëtare për zhvillimin e territorit, si Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial i Bregdetit dhe Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë-Durrës, proces ky mjaft i rëndësishëm në vendosjen e themeleve për zhvillimin e qëndrueshëm të territorit.

Projekt i ndërmarrë nga AKPT,  i cili u pa me rëndësi nga planifikiuesit Armenë ishte edhe organizimi i 10 konkurseve ndërkombëtare për tematika të rëndësishme të zhvillimit urban në Shqipëri, të cilat janë parë jo vetëm në aspektin urban por edhe në atë ekonomik e social. Konkurset tanimë janë përmbledhur në disa botime, të cilat janë një bazë e mirë për të gjithë aktorët, lidhur me zhvillimin e zonave të ndryshme në vend.  

Prezantimi i procesit të planifikimit u mbyll me iniciativa të tjera të AKPT-së, të cilat janë të rëndësishme për pjesëmarrjen dhe informimin publik, si: dëgjesat publike të planeve kombëtare, ekspozita “Evoked” dhe ekspozita “Ditari i një hapësire”.

Aktivitet për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

Me datë 1 Qershor 2017, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, organizoi një aktivitet dedikuar planifikimit të territorit dhe fëmijëve.

Në rendin e ditës së aktiviteteve u vizitua Atelieja e Edukimit, pranë Galerisë Kombëtare të Arteve. Synimi i vizitës ishte njohja e fëmijëve nëpërmjet pikturës me qytetin ku jetojnë dhe me parimet bazë të planifikimit të një hapësire. Aktiviteti u kurorëzua me vendosjen në një telajo të vetme të qytetit të së ardhmes, nga sytë e fëmijëve nëpërmjet mediumit të pikturës.