Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Akademia 100+ Fshatrat: Workshopi #1 i Adakemisë 100+ Fshatrat

Në datën 14 Shtator, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në kuadër të Programit “100 Fshatrat”, organizoi workshopin #1, me pjesëmarrjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, 13 grupeve të punës nga universitetet partnere, akademikë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Gjeologjisë, Departamenti i Gjeografisë, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Fondi i Financimeve dhe Investimeve në Turizëm, si edhe ekspertë të tjerë të ftuar për të dhënë kontributin e tyre për modelet e zhvillimit të 100+ fshatrave.

Workshopi i Akademisë 100+ Fshatrat vjen në vijim të punës së nisur në muajin Gusht 2018 dhe gjetjeve në terren nga grupet e punës, për hartimin e modeleve të zhvillimit të Fshatrave, në bashkëpunim të ngushtë me stafet akademike dhe studentore të Universitetit Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Polis, Universiteti Epoka, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Objektivi kryesor i këtij ëorkshopi ishte njohja me analizën e situatës bazë në terren si dhe indiciet e para të modeleve të zhvillimit, dhe po ashtu konsultimi tematik i tyre me të gjithë aktorët pjesëmarrës.

Krahas prezantimeve, të cilat u transmetuan ‘live’ në kanalin Shqipëria2030/AKPT, u zhvilluan edhe diskutime sipas temave të veçanta, me kontributin e specialistëve të fushave nga institucionet publike përkatëse dhe universitetet.

Workshop #2 pritet të zhvillohet në datën 23 Tetor, dhe objektivi i tij do të jetë njohja me draftet e para të modeleve të zhvillimit të fshatrave dhe projekt-propozimet konkrete.

Çelja e Dhomës së Planit të Lukovës

Në datën 10 shtator, si vijim i punëtorisë së zhvilluar në Lukovë me banorët vendas, u bë edhe çelja e Dhomës së Planit të Lukovës, e cila mbart logon Atelier Lukova.

Gjatë prezantimit të Dhomës së Planit ishin prezentë, përpos vendasve, përfaqësues të Bashkisë Himarë, drejtoresha e AKPT-së, drejtuesi i GIZ në Tiranë, z. Hans-Juergen Cassens, koordinatorja kombëtare e Programit “100 Fshatrat”, administratori i Njësisë Lukovë dhe kryeplaku i fshatit.

Dhoma e Planit është donacion i GIZ për Fshatin, me vizionin dhe dëshirën se do të kontribuojë në procesin e planifikimit me pjesëmarrje dhe si rrjedhojë në zhvillimin e qëndrueshëm të Lukovës.

Dhoma e Planit është një hapësirë, e cila ilustron dhe jep informacion mbi procesin e hartimit të modelit të zhvillimit të Lukovës. Ajo përmban informacione të ndryshme lidhur me planifikimin dhe potencialin turistik të fshatit dhe zonave përreth. Dhoma, e cila ndodhet në katin përdhe të godinës administrative të Lukovës, do të shërbejë gjithashtu dhe si një hapësirë për të mirëpritur çdo sugjerim prej banorëve dhe për të lehtësuar përcjelljen e shqetësimeve të tyre.

Kjo është hera e parë që një nismë e tillë ndërmerret në Lukovë dhe urojmë që të nxisë sa më shumë ndërveprim me vendasit, por edhe turistët. Çdo sugjerim, kritikë a mendim i tyre do të merret në konsideratë gjatë hartimit të Planit të Detajuar Vendor të Lukovës.

Dhoma e Planit të Lukovës do të jetë një model, i cili do të ndiqet dhe në fshatrat e tjerë pjesë e Programit Kombëtar “100 Fshatrat”.

Punëtori me Publikun në Lukovë

Në datën 10 Shtator, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në bashkëpunim me Bashkinë Himarë dhe me mbështetjen e GIZ, organizoi punëtorinë e parë mbi përmbajtjen e Planit të Detajuar Vendor (PDV) për Lukovën, i cili hartohet në zbatim të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë dhe i ndërthurur me aktivitetin e Akademisë 100+ Fshatrat.

Pjesëmarrja në punëtori ishte e gjerë dhe e plotë. Morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Himarë, drejtoresha e AKPT-së dhe stafi i përfshirë në studim, drejtuesi i GIZ në Tiranë, z. Hans-Juergen Cassens, koordinatorja kombëtare e Programit “100 Fshatrat”, ekspertë dhe pedagogë të Universiteteve partnere, punonjës të administratës vendore e qendrore dhe sigurisht, mjaft banorë të Lukovës.

Diskutimet me pjesëmarrësit u zhvilluan kryesisht rreth nevojës për përmirësimin e infrastrukturës, shfrytëzimin e potencialit bujqësor, potencialit turistik dhe mundësive për përshtatje të godinave ekzistuese në funksione të reja. Vetë punëtoria u zhvillua në hapësirat e shkollës 9-vjeçare të Lukovës, duke dëshmuar në këtë mënyrë gjithashtu se si hapësirat ekzistuese në fshat mund t’u përshtaten programeve të ndryshme në mënyrë që të vendosin maksimalisht në përdorim potencialin e tyre.

Punëtoria me komunitetin rezultoi e frytshme dhe si rrjedhojë e vlerësojmë të suksesshme; nxiti mjaft diskutim mes banorëve,  duke frymëzuar disa prej tyre për sipërmarrje të reja. Gjatë aktivitetit u vu re qartë se Lukoviotët janë të vetëdijshëm dhe tejet krenarë për vlerat që mbart fshati i tyre, një faktor ky që është thelbësor dhe mund të mbështesë pozitivisht përpjekjet për rigjallërimin dhe zhvillimin e Lukovës, në kuadër të Programit Kombëtar “100 Fshatrat”.

DEKLARATË PËR SHTYP - PËRGËNJESHTRIM

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit përgënjeshtron deklaratën e zëdhënëses për shtyp të Partisë Demokratike, në lidhje me përfshirjen e një punonjësi të kësaj agjencie, në realizimin e videos së transmetuar më datë 01.09.2018, mbi përcaktimet e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë.

Sqarojmë se, informacioni i pretenduar si informacion i rezervuar nga zëdhënësja për shtyp e zyrës së Partisë Demokratike është informacion, i cili është lehtësisht i aksesueshëm në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit www.planifikimi.gov.al

Referuar përmbajtjes së videos së transmetuar nga zyra e Partisë Demokratike, saktësojmë se, për të aksesuar hartën GIS nuk është i nevojshëm logimi nëpërmjet serverit pasi, në faqen zyrtare të AKPT ofrohet ndër të tjera dhe Shërbimi e-Harta, i cili është një shërbim i hapur, në dispozicion të publikut të gjerë të interesuar mbi ecurinë e proceseve planifikuese në territor.

Kjo hartë në formatin GIS paraqet informacionet hapësinore për gjendjen ekzistuese dhe atë të planifikuar të territorit, mbi infrastrukturën, ndërtesat, infrastrukturën inxhinierike, projektet strategjike, etj. Gjithashtu, në e-Harta paraqiten informacione bazë të marra nga shërbimet e ASIG si: ortofotot, ndarjet administrative, zonat e mbrojtura, etj.

Ritheksojmë edhe njëherë se, asnjë punonjës i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, nuk është i përfshirë në realizimin e videos së transmetuar. Imazhet e shfaqura në video përmbajnë informacione të hapura për publikun, të cilat mund të aksesohen lehtësisht nga çdo person i interesuar, duke vizituar faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.