Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Miratohet në KKT PKST Alpet, PPV Malësi e Madhe dhe PPV Tropojë

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi më datë 09 Dhjetor 2017, Planin Kombëtar Sektorial të Turizmit për rajonin e Alpeve dhe 2 Plane të Përgjithshme Vendore, për bashkinë Malësi e Madhe dhe bashkinë Tropojë. Planet e Përgjithshme Vendore për dy bashkitë u mbështetën financiarisht nga qeveria e Zvicrës, nëpërmejt programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (dldp). Ndërsa Plani Kombëtar Sektorial I Turizmit për rajonin e Alpeve u financua nga CEB, nëpërmjet FSHZH.

Alpet shqiptare janë ndër destinacionet më të bukura turistike, që Shqipëria ofron për vizitorë vendas dhe të huaj. Zhvillimi i turizmit në këtë zonë tashmë do të orientohet nga një plan turizmi i mirëstudiuar, qëllimi i të cilit është të ofrojë një perspektivë zhvillimi social-ekonomike të qëndrueshme për komunitetet e Alpeve Shqiptare. Masterplani i Alpeve prek 4 bashki dhe 12 Njësi Administrative. Plani përfshin 16 destinacione turistike, që janë ndërthurje e të gjithë potencialeve në dy anët e kufirit, mes Shqipërisë dhe Kosovës, synon përmirësimin e infrastrukturës, si dhe ofrimin e shërbimeve të reja dhe përmirësimin e atyre ekzistuese.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka ndjekur çdo hap të hartimit të PKST për Alpet, si edhe Planet e Përgjithshme Vendore, deri në miratimin e tyre, duke ofruar mbështetje teknike dhe duke koordinuar procesin me të gjithë palët e përfshira dhe grupet e interesit.

Për miratimin e VKM Nr. 686 datë 22.11.2017 “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit të Territorit”

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është autoriteti përgjegjës i ngarkur me ligj për të propozuar në Këshillin e Ministrave rishikimin e akteve apo hartimin e akteve të reja nënligjore për çështjet e planifikimit të territorit. Gjatë hartimit të Planeve Kombëtare dhe eksperiencave të para me Planet Vendore, është parë e nevojshme rishikimi i VKM Nr. 671, datë 29.07.2015 “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit”.

AKPT pas takimeve me palë të interesuara dhe autoritete vendore, ku janë prezantuar ndryshimet e propozuara dhe janë mbledhur mendime dhe sugjerime mbi këto ndryshime ka përmbyllur fazën e rishikimit të VKM Nr. 671, datë 29.07.2015 “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit” dhe ka paraqitur për miratim Draftin final të Rregullores së së Planifikimit në Këshillin e Ministrave, nëpërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Rregullorja e Planifikimit është miratuar në mbledhjen e datës 22.11.2017 në Këshillin e Ministrave. VKM Nr. 686 datë 22.11.2017 “Për miratimin e Rregullores së Planifikimit të Territorit” është botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 211, viti 2017.

Projekti BRIGAID [HORIZON2020], merr pjesë në Kongres-Ekspozitën Western Balkan Waste Solution (WBWS)

Projekti BRIGAID “BRIdging the Gap for Innovations in Disaster Resilience” pjesë e programit ‘Horizon2020’ të Komisionit Europian mori pjesë në Kongres- Ekspozitën e titulluar “Western Balkan Waste Solution” organizuar nga G&G Group dhe Klik Expo Group, më datë 24 dhe 25 Nëntor 2017.
 
Në këtë kongres por njëkohësisht edhe konferencë shkencore, projekti BRIGAID u prezantua me poster si dhe me materiale promovuese të vënë në dispozicion të interesuarve. Përfaqësimi dhe promovimi i projektit u realizua edhe gjatë takimeve të zhvilluara me përfaqësues të universiteteve, institucioneve, kompanive etj, në stendat individuale të tyre të pranishme në panair. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm: Përfaqësues të universiteteve shtetërore dhe private, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Turizimit, përfaqësues të kompanive private me objekt veprimtarie konsulencat mjedisore, përfaqësues të kompanive private me objekt ndërtimin e vendepozitimit të mbetjeve, si dhe kompani me objekt veprimtarie teknologjinë dhe novacionet për mjedisin, Organizata Jo-Fitimprurëse, Studentë, etj.
 
Projekti BRIGAID zgjoj interesin e pjesëmarrësve në këtë aktivitet; një projekt me risi alternative për të kapërcyer dëme ku zgjedhja nuk bën kompromis Fatkeqësitë Natyrore.

Projekti BRIGAID [HORIZON2020], merr pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti Kanadez i Teknologjisë (CIT)

Projekti BRIGAID “BRIdging the Gap for Innovations in Disaster Resilience” pjesë e programit ‘Horizon2020’ të Komisionit Europian, u prezantua me datë  02.11.2017 në konferencën e zhvilluar nga Instituti Kanadez i Teknologjisë (Canadian Institute of Technology (CIT) të titulluar:
“International Conference on Economics, Business Trends and Technologies (ICEBTT'2017)”.
 
Konferenca kishte në fokus promovimin e “Startup-eve dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm Ekonomik”. 
Në  konferencë u promovuan: zhvillimet më të fundit, novacionet, startup-et si dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SMEs). Gjithashtu konferenca ofroi mundësi pjesëmarrësve për të shkëmbyer eksperiencat, si dhe ishte një mundësi e mirë për njohjen me projektit BRIGAID dhe çfarë ky projekt ofron për vendin tonë. Pjesëmarrës në konferencë ishin studentë, kompani private, staf pedagogjik i “Institutit Kanadez të Teknologjisë” dhe i Kolegjit Universitar “Pavarësia Vlorë”.
 
Interesi për BRIGAID “Projekti i Novacioneve për Novatorët” shkoi përtej kësaj; përfaqësuesit e panelit drejtues ashtu dhe të ftuarit treguan gatishmërinë dhe dëshirën për t’u përfshirë në projekt, si bashkëpunëtor, novatorë, mbështetës të një procesi krijimi në ndihmë të zgjidhjeve për kapërcimin e katastrofave natyrore.