Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Akademia 100+ Fshatrat: Workshopi #2 i Adakemisë 100+ Fshatrat

Në datat 23 dhe 25 Tetor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në kuadër të Programit “100 Fshatrat”, organizoi workshopin #2, me pjesëmarrjen e 13 grupeve të punës nga 3 universitete partnere, përfaqësues të institucioneve publike pjesë e Programit 100 Fshatrat, akademikë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës, Universiteti i Durrësit, Dega Marketing, si edhe ekspertë të tjerë të ftuar për të dhënë kontributin e tyre për modelet e zhvillimit të 100+ fshatrave.

Workshopi 2-ditor i Akademisë 100+ Fshatrat vjen në vijim të punës së nisur në muajin Gusht 2018 për hartimin e modeleve të zhvillimit të Fshatrave, në bashkëpunim të ngushtë me stafet akademike dhe studentore të Universitetit Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Universiteti Polis, Universiteti Epoka, Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Objektivi kryesor i këtij workshopi ishte njohja me draftet e para të modeleve të zhvillimit të fshatrave dhe projekt-propozimet konkrete, dhe po ashtu konsultimi tematik i tyre me të gjithë aktorët pjesëmarrës.

Krahas prezantimeve, të cilat u transmetuan ‘live’ në kanalin Shqipëria2030/AKPT, u zhvilluan edhe tryeza të rrumbullakëta për diskutime sipas temave të veçanta, me kontributin e specialistëve të fushave nga institucionet publike përkatëse dhe universitetet.

Temat kryesore që u diskutuan ishin:

  • Kultura / Etnografia / Historia

  • Natyra / Mjedisi

  • Ekonomia / Turizëmi / Marketingu

  • Bujqësia-Blegtoria / Produktet Lokale / Ushqimi

Workshop #2 për 8 grupet e tjera të Akademisë 100+Fshatrat do të zhvillohet në datën 9 Nëntor, pranë Universitetit Polis, ku grupet e punës së ngritura pranë këtij universiteti do të kenë një proces të ngjashëm prezantimesh dhe diskutimesh.

Planet e Përgjithshme Vendore: Lidhen kontratat dhe nis puna për Planet e Përgjithshme Vendore të 16 Bashkive të fundit

Në datën 15 Tetor, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, lidh kontratat me 5 Studio Konsulente për të nisur punën për Planet e Përgjithshme Vendore të 16 Bashkive të fundit:

Has, Fushë-Arrëz, Bulqizë, Peqin, Patos, Roskovec, Mallakastër, Memaliaj, Tepelenë, Selenicë, Libohovë, Finiq, Delvinë, Pustec, Maliq dhe Devoll.

Brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm, i gjithë territori plotësohet me PPV, që do të jenë platforma zhvillimi për 15 vitet e ardhshme për mënyrën sesi do të zhvillohen Njësitë e Qeverisjes Vendore, në zonat rurale dhe urbane.

AKPT do të asistojë teknikisht procesin e hartimit të planeve, si institucioni me përgjegjësi kombëtare në fushën e planifikimit të territorit.

Ky është raundi i katërt i hartimit të planeve vendore, pas reformës administrative territoriale. Punë e mirë është bërë në raundet e mëparshme, por kemi nxjerrë edhe mësime, të cilat do të na udhëheqin për të kryer procese edhe më të mira planifikimi territori.

PËRFSHIRJA E KOMUNITETIT NË ZHVILLIMIN URBAN TË KSAMILIT - NJË QASJE E RE

Në datat 26 dhe 27 Shtator, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në bashkëpunim me Superwien, Urban Design Lab, Bashkinë Sarandë, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë u bënë bashkë për jetëzimin e projektit të Bankës Botërore, PIUED, duke organizuar punëtori me grupet e interesit të komuniteti në Ksamil, mbi zhvillimin urban të qëndrueshëm të Ksamilit në të ardhmen.

Gjatë aktiviteteve dy-ditore u diskutuan me pjesëmarrësit ndërhyrjet prioritare sipas komunitetit me fokus përmirësimin e infrastrukturës, shfrytëzimin e potencialit turistik në zgjatjen e sezonit, si dhe mundësive për zhvillimin e ekonomisë lokale me kultivuesit e midhjeve, peshkimit dhe artizanëve të zonës.

Punëtoritë me komunitetin dhe nxënësit e shkollës së mesme rezultuan të frytshme, ku u nxitën mjaft diskutime mes banorëve për përmirësimin e gjendjes ekzistuese të Ksamilit. Në përmbyllje të punëtorive u organizua më datë 27 Shtator, në orën 18:00, prezantimi i hapur në Ksamil, ku banorëve Ju tregua e prezantua idetë e para të frymëzuara nga bashkëbisedimet e zhvilluara me komunitetin e Ksamilit në datat 26-27 shtator. 

Projekti BRIGAID prezantohet në ditën e informimit për programin “Horizon2020 InfoDay”

Përfaqësues të projektit BRIGAID pranë AKPT prezantojnë projektin në ditën e informimit për programin Horizon2020, në kuadër të ftesës së drejtuar nga organizatorët e këtij takimi Komisioni Europian në Shqipëri dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.

Më datë 21 shtator 2018, në Hotel Rogner Tiranë u organizua takimi informues për programet Horizon2020, mënyrat e aplikimit për këto programe, procedurat dhe përfitimet që ka përfshirja në këto programe.

Pas ftesës së organizatorëve për të prezantuar projekte të suksesshme të këtij programi në Shqipëri; përfaqësues të njësisë së projektit në AKPT pranuan ftesën dhe prezantuan BRIGAID si një projekt interesant, sfidues dhe i suksesshëm për vet tematikën dhe zhvillimin e tij.

Interesi për ecurinë e projekteve të programit Horizon2020 si dhe për ecurinë e BRIGAID ishte si i koordinatorëve të këtyre programeve në Shqipëri por edhe të kërkuesve dhe përfaqësuesve të universiteteve cilët objektiv kanë inovacionit dhe shkencën.

Në përfundim të prezantimit dhe ditës informuese për programin Horizon2020 u shpërndanë tek të pranishmit informacionin mbi projektin dhe inovacionet shqiptare të thirrjes së tretë (të fundit) të projektit. Gjithashtu të pranishmit në këtë takim shfaqën interesin për të qënë të informuar në vazhdim mbi ecurinë e BRIGAID dhe të aktiviteteve të këtij projekti në Shqipëri.