Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Takimi në kuadër të Platformës për Ruajtjen e Rajonit të Liqenit të Ohrit, si trashëgimi botërore

Në kuadër të përgatitjes së dokumentacionit, për të zgjeruar pasurinë e Trashëgimisë Botërore edhe në pjesën shqiptare të Rajonit të Liqenit të Ohrit, u zhvillua Takimi i 4ˉͭ ndërkufitar: Platforma e projektit "Drejt një qeverisje të përforcuar të trashëgimisë së përbashkët ndërkufitare natyrore dhe kulturore të Rajonit të Liqenit të Ohrit". Ky takimi i mbajtur për bashkëpunimin ndërkufitar është nismë e Bashkimit Europian dhe UNESCO-s, e cila synon të përforcojë ruajtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm në të gjithë Rajonin e Liqenit të Ohrit. Takimi u mbajt më datat 27 dhe 28 tetor 2016, në Strugë.

Pjesëmarrës në takim ishin përfaqësues të ICOMOS, IUCN, Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve të Kulturës, përfaqësues të AKPT-së, Ministria e Mjedisit, bashkia Pogradec, bashkia Strugë dhe bashkia Ohër.

Objektivat e takimit:

  • Shqyrtimi i progresit të bërë në zbatimin e projektit "Drejt një qeverisje të përforcuar të trashëgimisë së përbashkët ndërkufitare natyrore dhe kulturore të Rajonit të Liqenit të Ohrit";
  • Rënia dakord mbi hapat për të siguruar sinergji më të mëdha dhe komplementaritet mes planeve të menaxhimit të pronës ekzistuese të Trashëgimisë Botërore dhe zgjerimin e propozuar si dhe për të promovuar, kur është e përshtatshme, një udhëtim të përbashkët për procesin e zbatimit dhe vlerësimit.

Pikat kryesore ku u përqëndrua prezantimi ishin si më poshtë:

  • Nevoja për një bashkëpunim më intensiv mes qeverisjes lokale nga palët shqiptare dhe maqedonase, në mënyrë që iniciativa të tilla të na cojnë në mbrojtjen e plotë të liqenit;
  • Përgatitja e Planit të Menaxhimit për pronën Natyrore dhe Kulturore të Trashëgimisë Botërore të Rajonit të Liqenit të Ohrit.

Hapat e ardhshëm:

  • Nga ana e pjesëmarrësve u ra dakord për shkëmbim informcioni të vazhdueshëm, në mënyrë që të krijohet një bashkëpunim më i ngushtë në fazat e ardhshme të punës;
  • Në muajin Mars do të jetë takimi i radhës, ku do të prezantohen të dy Planet e Menaxhimit;
  • Sinergji në lidhje me GIZ, i cili është duke bërë projekte mbi zona të caktuara brënda hapësirës dhe territorit të propozuar për t`u marrë në mbrojtje të Liqenit të Ohrit dhe zonave përreth.
  • UNESCO sugjeron që duhet të ketë një Strukturë Operacionale nga të dyja palët qeverisëse.

Plane të reja vendore për 5 bashki, në Veri të Shqipërisë, brenda pranverës

Qeveria Zvicerane, përmes Programit Për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP), jep mbështetjen financiare dhe teknike për 5 bashki në Veri të Shqipërisë, për hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor. Pas Malësisë së Madhe, Tropojës dhe Matit, DLDP do të hartojë plane të përgjithshme vendore, PPV edhe për Klosin dhe Vaun e Dejës.

Kjo u bë e njohur sot, gjatë një vizite dhe takimi koordinues që programi realizoi në Reç të Malësisë së Madhe, ku morën pjesë Ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni, Ambasadori Zviceran Christopher Graf, si dhe drejtues të 13 bashkive në Veri dhe Veriperëndim të vendit.

 “Shqipëria ka hyrë në një rendje reformash (si ajo territoriale apo e decentralizimit), ndaj ka ardhur momenti që këto reforma të realizohen duke shfrytëzuar potencialet që vendi juaj ka. Qeveria Zvicerane mbështet decentralizimin e qeverisjes vendore, si në aspektin strategjik, ashtu edhe në mobilizimin e potencialeve social-ekonomike. Ndaj në fokusin tonë janë zonat rurale dhe zhvillimin e tyre, ashtu sikundër edhe planet vendore. Këtu kam rastin të konfirmoj se, do të japim mbështetjen tonë, që krahas 3 bashkive që ne mbështesim prej pak muajsh (Malësi e Madhe, Tropojë dhe Mat), të nisë puna për hartimin e planeve vendore edhe për Klosin dhe Vaun e Dejës”, - tha ambasadori Graf në fjalën e tij.

Duke e cilësuar një surprizë të këndshme, Ministrja Gjermeni falënderoi Qeverinë Zvicerane për bashkëpunimin në hartimin e dokumentit për zonat funksionale në Bashkinë e Malësisë së Madhe e tani edhe në financimin e PPV-ve, për 5 bashki.

“Hartimi i planeve vendore është një proces historik. Flasim për plane që nuk u bënë për më shumë se 20 vite, e që tani janë dokumente strategjikë që do të na shërbejnë për zhvillimin e zonave ku jetojmë. Plani i Përgjithshëm Vendor (PPV) është një instrument shumë i rëndësishëm, i cili do të përcaktojë vizionin dhe rregullat, për zhvillimin e qëndrueshëm të territoreve urbane dhe rurale. Në këtë këndvështrim, do kërkoja maksimalisht që nga bashkia dhe ekspertët e përfshirë nëpërmjet donatorit, si dhe me monitorimin nga AKPT, të ndërtohet një proces shumë gjithëpërfshirës konsultimesh dhe marrje mendimesh nga të gjithë aktorët dhe grupet e interesit”, - deklaroi Ministrja e Zhvillimit Urban, znj. Eglantina Gjermeni.

Brenda vitit 2016, 31 bashki do të kenë të përfunduara planet e tyre vendore, ku 26 prej tyre mbështeten financiarisht nga Qeveria Shqiptare, me një fond prej 560 milionë lekësh. 5 të tjera janë asistuar nga USAID. Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP), financim i Qeverisë Zvicerane ishte i pari që iu përgjigj kërkesës së Ministrisë së Zhvillimit Urban për të dhënë mbështetje teknike dhe financiare për 30 bashkitë ku ende nuk ka nisur puna për planet vendore. Me marrëveshjen e nënshkruar sot në Reç, mes Ministres Gjermeni dhe drejtuesve të Bashkive Klos e Vau i Dejës, në prani të Ambasadorit Graf, pritet që të nisë puna për hartimin e planeve vendore në këto dy njësi vendore.

Brenda pranverës së vitit të ardhshëm 5 bashkitë e financuara nga DLDP do të kenë të përfunduara planet e tyre. Ministrja Gjermeni bëri me dije se, brenda vitit 2017, të gjitha bashkitë në vend do të kenë planet e tyre. Gjithashtu, ajo theksoi se, për të gjitha ato njësi vendore, që nuk kanë ende plane, po parashikohet mundësia e përfshirjes në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Trajnim nga ekspertët e TAIEX, me temë “Menaxhimi dhe Administrimi i tokës”

Ministria e Zhvillimit Urban, në bashkëpunim me ekspertë sllovenë të “TAIEX-it, znj. Jelka Pirkovic dhe z. Franc Zakrajsek, zhvillojnë përgjatë datave 24 – 27 tetor 2016, trajnimi me temë "Menaxhimi dhe Administrimi i Tokës". Ky trajnim konsiston në ekspertizën e implementimin të instrumenteve të menaxhimit dhe administrimit të tokës, të propozuara në Ligjin nr. 107/2014, datë 31.7.2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” dhe në Dokumentin e Politikave, “Instrumentet financiare për zhvillimin e tokës”.

Kjo eksperiencë do të shërbejë për rritjen e kapaciteteve të punonjësve të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, në implementimin e instrumenteve të propozuara.

Në përfundim të trajnimit, në agjendën e dakordësuar me Komisionin Europian, parashikohet një vizitë në terren për të aplikuar në praktikë, një program eksperimental të instrumenteve për zhvillimin e tokës. 

Trajnimin e Administratorëve të NJVA për Bashkitë: Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Tropojë, Mat dhe Klos në kuadër të hartimit të PPV-së

Në kuadër të procesit të hartimit të dokumenteve të Planeve të Përgjithshme Vendore për pesë (5) bashkitë: Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Tropojë, Mat dhe Klos, u zhvillua        trajnimi i Administratorëve të NJVA për Bashkitë: Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Tropojë, Mat dhe Klos. Trajnimi u organizua nën koordinimin e Decentralization and Local Development Programme (DLDP) dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Ky takim u zhvillua në ambientet e Hotel Colosseo, Shkodër, ora 10:00. 

Qëllimi i trajnimit  ishte njohja me ecurinë e procesit të hartimit të Planeve Kombëtare dhe PPV për 31 bashkitë që priten të miratohen së shpejti dhe njohja mbi përgatitjen e dokumentacionit dhe aktorëve të nevojshëm për hartimin e PPV.

Prezantimi u fokusua në dy çështje kryesore:

  1. Zhvillimi i Territorit dhe Ndërlidhja me Planifikimin :
  • Plani i Përgjithshëm Vendor: kuadri ligjor për të gjitha zhvillimet brenda territorit administrativ të njësisë vendore (bashkisë);
  • Rëndësia e dokumentit të Planit të Përgjithshëm Vendor në zhvillimin e territorit për 15 vitet e ardhshme;
  • Krijimi i kushteve për një zhvillim të qëndrueshëm në territor;
  • Rëndësia e bashkëpunimit dhe kontributit të administratorëve të NJA për mbledhjen e informacionit nga terreni dhe grupet e interesit, në fazën e Analizës dhe Vlerësimit të Territorit.
  1. Përcaktimet ligjore mbi Planifikimin në Nivel Vendor dhe Rëndësia e Konsultimeve Publike:
  • Dokumentet përbërëse të planit;
  • Drejtimi i zhvillimit sipas pesë (5) sistemeve;
  • Instrumentet e konsultimit të drafteve të planit;
  • Rendësia e konsultimeve me grupet e interesit dhe Publikun e Gjerë;
  • Forumet e Bashkërendimit dhe rëndësia e tyre.

U njoftua se në muajin Shkurt, DLDP do të organizojë takim me diasporën në SHBA, ku ka shoqata konkrete për bashkitë: Malësi e Madhe dhe Tropojë. Gjithashtu njoftoi se për Bashkinë Vau i Dejës parashikohet që fillimi i procesit për PPV të jetë rreth Janarit 2017.