Porto Palermo mbart sot, brenda një prej peizazheve më të veçanta të bregdetit Jonian, gjurmët e dy historive shumë të ndryshme. Nga njëra anë, Kalaja e Ali Pashë Tepelenës dhe peizazhi historik i gjirit; nga ana tjetër, një infrastrukturë ushtarake e ndërtuar gjatë Luftës së Ftohtë, në një nga periudhat e izolimit më të thellë të Shqipërisë.
Tuneli i nëndetëseve dhe ish-baza ushtarake e Porto Palermos janë pjesë e kësaj trashëgimie të vonë. Të ndërtuara për një funksion ushtarak dhe për një realitet politik që nuk ekziston më, këto struktura kanë humbur pjesën më të madhe të përdorimit të tyre fillestar, por kanë mbetur si dëshmi fizike të një periudhe të rëndësishme dhe të vështirë të historisë së vendit.
Sot lind mundësia për t'u dhënë atyre një rol të ri.
Me nismën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, dhe me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare, Konkursi Ndërkombëtar i Projektimit për Porto Palermon synon të eksplorojë transformimin e kësaj infrastrukture të Luftës së Ftohtë në një infrastrukturë të kujtesës, kulturës dhe vizitës, duke e hapur atë ndaj publikut dhe duke e integruar në eksperiencën më të gjerë të Gjirit të Porto Palermos.
Në qendër të konkursit është muzealizimi i Tunelit të Nëndetëseve dhe transformimi i tij në një muze kushtuar Luftës së Ftohtë dhe historisë që kjo infrastrukturë përfaqëson. Ish-kazermat ushtarake do të rijetëzohen për të mbështetur funksionimin e muzeut dhe eksperiencën e vizitorëve, përfshirë mundësinë e qëndrimit për një ose disa ditë në vetë strukturat e ish-bazës. Qëllimi nuk është krijimi i një destinacioni konvencional turistik bregdetar, por i një forme mikpritjeje të lidhur ngushtë me historinë, kulturën, peizazhin, kuriozitetin dhe aventurën e të qenit në Porto Palermo.
Kjo ndërhyrje zhvillohet në një kontekst të jashtëzakonshëm dhe njëkohësisht të brishtë. Gjiri, peizazhi tokësor dhe mjedisi detar janë pjesë e një zone të mbrojtur; Kalaja e Porto Palermos është tashmë një destinacion i rëndësishëm kulturor; ndërsa një pjesë e ish-kompleksit ushtarak do të vazhdojë të përdoret periodikisht nga Forcat Detare Shqiptare. Propozimi duhet t'i kuptojë këto realitete jo si elemente të izoluara, por si shtresa të së njëjtës eksperiencë territoriale.
Konkursi kërkon një vizion të integruar për Tunelin, ish-bazën dhe marrëdhënien e tyre me peizazhin dhe Gjirin e Porto Palermos. Ndërhyrjet fizike do të përqendrohen në zonat e përcaktuara të ish-kompleksit ushtarak, ndërsa propozimi duhet të mendojë përtej kufirit të tyre, duke ndërtuar një eksperiencë vizitori që lidh muzeun me Kalanë e Porto Palermos, gjiret e vogla, peizazhin dhe asetet e tjera kulturore e historike të territorit përreth.
Sfida është të transformohet një vend i krijuar dikur për t'u fshehur, për t'u mbyllur dhe për t'u mbrojtur, në një vend për t'u zbuluar, ku historia mund të lexohet, peizazhi mund të përjetohet dhe Porto Palermo mund të fitojë një jetë të re pa humbur atë që e bën të pazëvendësueshëm.