Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Plani Kombëtar Sektorial në fushën e Turizmit për Rajonin e Alpeve shqiptare

Një ndër prioritetet më të rëndësishëm në kontekstin e planifikimit të vendit është edhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm, veçanërisht në rajonin e Alpeve Shqiptare, rajon ky i spikatur për lloje të ndryshme të turizmit rural dhe malor i cili sot po ndeshet me një zhvillim të vrullshëm.

Planet Kombëtare Sektoriale, sipas ligjit të planifikimit të territorit, hartohen me qëllim zhvillimin strategjik të një ose më shumë sektorëve sipas fushave të kompetencës. Sektori kryesor i planifikimit në këtë dokument është turizmi, kështu plani në vetvete do të formulojë një kornizë afatgjatë për zhvillimin e turizmit me anë të politikave e strategjive, planifikimit, forcimit institucional, legjislacionit dhe rregullores, zhvillimit të produkteve dhe diversifikimit, marketingut dhe promovimit, infrastrukturës së turizmit, zhvillimit të burimeve njerëzore dhe socio-kulturore.

Plani për turizmin do të hartohet më synimin për të rritur burimet njerëzore të kualifikuara dhe të trajnuara, në sektorët publik e privat, për të shërbyer dhe menaxhuar industrinë e turizmit në mënyrë të qëndrueshme dhe konkurruese në përputhje me standartet ndërkombëtare, për të përmirësuar kapacitetet menaxhuese të burimeve njerëzore, për të përforcuar sistemin arsimor dhe trajnimet, dhe për të arritur një standart cilësie.

Përmirësimi i industrisë së turizmit përfshin edhe cilësinë e produkteve dhe të shërbimeve (akomodimin, restorantet, guidat turistike, operatorët turistik, etj), me qëllim rritjen e kërkesës kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, promovimin e konkurrueshmërisë brenda kësaj industrie dhe prodhimin e informacioneve të besueshme e të vlefshme mbi standardet e cilësisë.

Ndikimi kryesor i këtij plani nuk do të jetë vetëm në industrinë e turizmit, por me anë të kësaj të fundit, qëllimi shkon përtej dhe arrin në dimensione ekonomike e sociale, në aspektin e kërkesës (origjina e vizitorëve, karakteristikat e vizitës, konsumimi i produkteve dhe shërbimeve) dhe ofertës (karakteristikat e industrisë vendase të turizmit, produktet përkatëse, përdorimi i kapitaleve) duke drejtuar kështu politikat e turizmit dhe planifikimin e territorit në këtë zonë.

Rajoni i Alpeve shqiptare, duke u karakterizuar nga një përqendrim i madh e i shumëllojshëm i burimeve natyrore, ka filluar të jetë nën trysninë e kërkesës së lartë për përdorim e shfrytëzim të resurseve të tij. Nëse kjo trysni nuk kontrollohet dhe orientohet në kohë, rrezikon të prodhojë zhvillim jo të qëndrueshëm dhe të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme pasuritë natyrore, ekosistemet shumë specifike të rajonit si dhe rrezikon degradimin e vazhdueshëm të peizazhit rural e natyror.

Këshilli Kombëtar i Territorit të Shqipërisë, më 29.12.2016 miratoi nismën për hartimin e Planit Kombëtar Sektorial në fushën e turizmit për rajonin e Alpeve Shqiptare, me arsyen për të zhvilluar në mënyrë optimale dhe të kontrolluar këtë pasuri kombëtare, të evidentojë vlerat e saj natyrore dhe të shtuara, të kërkojë një strategji veprimi, e cila do të përcaktojë mënyrën optimale të zhvillimit të rajonit nëpërmjet zhvillimit të qendrueshëm të turizmit, përdorimit racional të territorit dhe burimeve e pasurive të tij me fokus të veçantë kujdesin për ekosistemet.

Lexo më shumë