Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Planet Vendore, Gjermeni: Së shpejti udhëzim për zbatimin e tyre

Ministria e Zhvillimit Urban (MZHU) dhe USAID, (Agjencia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar) përmes  një eventi festiv përmbyllën miratimin e pesë planeve të  para të përgjithshme vendore në Shqipëri. Eventi ishte edhe një mënyrë për të përgëzuar të gjitha palët e përfshira në këtë arritje historike, duke përfshirë stafin e Ministrisë, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, bashkitë Elbasan, Fier, Berat, Lushnjë dhe Kuçovë, dhe paneleve këshillimore të qytetarëve në bashkitë përkatëse.

Në këtë aktivitet u nënvizua edhe njëherë se planet nuk janë vetëm dokumentet teknike, por përbëjnë një qasje të rëndësishme strategjike për të përfshirë aktorët kryesorë lokale në zhvillimin e komuniteteve të tyre.

“Ministria e Zhvillimit Urban është duke përgatitur aktualisht një Udhëzim për mënyrën dhe procedurat e zbatimit të Planeve të Përgjithshme Vendore që po miratohen, më qellimin që t'u  vijë në ndihmë Bashkive për çështje që kërkojnë bashkërendim me institucionet qendrore. Udhëzimi fokusohet, në mënyrë të veçantë, në trajtimin e procedurave që lidhen me zhvillimet urbane, të parashikuara nga planet në tokë bujqësore dhe zonat e rëndësisë kombëtare. Vleresojmë se ky udhëzim do të lehtësojë punën e bashkive dhe do të forcojë bashkerendimin institucional, në nivel qendror dhe vendor, për zbatimin e planeve të miratuara, duke bërë sa më të ndjeshëm impaktin e planifikimit hapësinor në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Ministrja Gjermeni në fjalën përshëndetëse.

Planet e Përgjithshme Vendore, të cilat brenda vitit 2017 do t’i kenë 43 bashki në vend krijojë parakushtet për zhvillim të mirë të qytetit. Suksesi varet nga zbatimi i tyre, transparenca dhe llogaridhënia e procesit dhe se sa të hapur do të jenë aktorët për të monitoruar dhe vlerësuar zbatimin si dhe për të ndërmarrë veprime korrigjuese. Këto plane shërbejnë gjithashtu, si një platformë që u mundëson grupeve të interesuara të mbajnë  bashkitë  të përgjegjshme dhe të sigurojnë që vendimet për zhvillimin e qytetit janë marrë në mënyrë transparente dhe kostoja e përfitimet nga këto zhvillime janë të njohura për publikun e gjerë.

Që nga fillimi i vitit 2015 USAID ka mbështetur 5 bashki për përgatitjen e planeve të përgjithshme vendore duke organizuar mbi 63 konsultime publike dhe fokus grupet me mbi 550 aktorë lokalë.

KKT miraton Planet Vendore për 11 bashki, të financuara nga Qeveria

Sot u miratuan në Këshillin Kombëtar të Territorit, planet e përgjithshme vendore për 11 bashki. Lajmi i mirë për qytetarët e të 11 bashkive, Krujë, Kukës, Gjirokastër, Urë Vajgurore, Skrapar, Poliçan, Cërrik, Librazhd, Kurbin, Divjakë dhe Korçë është se, miratimi i planeve u ofron mundësinë e të jetuarit në territore, zhvillimi i të cilave nuk do të udhëhiqet më nga dëshira e një individi, por nga një vizion zhvillimi.

Ndaj dhe ne, prej fillimit të punës tonë ndoqëm një proces model të bashkëveprimit dhe komunikimit me qytetarët dhe grupet e interesit në të gjitha këto bashki, duke i bërë pjesë të kësaj pune njëvjeçare.

Është një angazhim i mbajtur i kësaj Qeverie që, përtej ofrimit të mbështetjes teknike dhe financiare për këto bashki, në hartimin e planeve vendore, të krijonim edhe një platformë komunikimi me qytetarët dhe grupet e interesit, duke i bërë pjesë të vendimmarrjes për zhvillimin e bashkisë ku jetojnë.

Vlen të theksohet se, zhvillimi i territorit nuk udhëhiqet më nga mendësia e “zapto një sipërfaqe tokë e ndërto çfarë të duash e si të duash”, por nga instrumente planifikimi që shërbejnë si udhërrëfyes të zhvillimit urban, investimeve dhe ndërtimit. 

Falë këtyre instrumenteve të rëndësishëm, që përcaktojnë vizionin dhe rregullat për një zhvillim të qëndrueshëm të territorit të këtyre bashkive, në respektim dhe mbrojtje të tokës, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, ne sigurojmë qëndrueshmëri dhe rritje të vlerës së investimit për qytetarët dhe sipërmarrësit.

Janë 16 bashki (nga të cilat 5 bashki Lushnjë, Berat, Kuçovë, Elbasan dhe Fier të mbështetura nga Programi i USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore) që kanë tashmë plane vendore.

Në 15 bashki të tjera, ky proces është drejt finalizimit dhe dorëzimit të planeve për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit.

Ndërkohë që, brenda këtij viti, numri total i bashkive që do të kenë të hartuar dhe miratuar planet e përgjithshme vendore do të jetë 43 nga 61 bashki (për vitin 2017 me buxhetin e shtetit do të mbështeten 7 bashki Përmet, Këlcyrë, Kolonjë, Gramsh, Belsh, Pukë dhe Mirditë, ndërsa nga Programi i qeverisë Zvicerane për Decentralizimin dhe Zhvillimin Lokal po mbështeten 5 bashki në veri të vendit Tropojë, Malësi e Madhe, Mat, Klos dhe Vau i Dejës).

Sigurisht që, puna për hartimin e planeve të përgjithshme vendore nuk është kontribut i dhënë nga një ministri apo nga një institucion, por është produkt i një bashkëpunimi të vazhdueshëm me stafet e bashkive, ekspertë të planifikimit vendas dhe të huaj, donatorë dhe organizata ndërkombëtare.

Vizioni ynë, qoftë në kuadër të planifikimit në nivel kombëtar por edhe vendor, nuk është për të shfrytëzuar maksimalisht burimet që ka vendi sot për sot, por për t’i vendosur ato në shërbim të rritjes së ekonomisë dhe mirëqenies së qytetarëve, duke i ruajtur si asete të vyera të trashëgimisë tonë.

Kjo punë e nisur është vetëm fillimi i mbarë i një procesi të vazhdueshëm që, në fakt simbolizon fundin e dy dekadave tranzicion, sa i përket zhvillimit të territorit.

Mbas reformës administrative territoriale që është alfa për miradministrimin e territorit, hartimi i instrumenteve vendore të planifikimit, është çelësi që garanton zhvillim të integruar, mirëplanifikim në administrimin e tokës dhe burimeve, e mbi të gjitha kohezion social dhe rritje ekonomike.

Ky rezultat në fakt, brenda një mandati qeverisës është një arritje shumë pozitive, e cila do i vijë në ndihmë këtyre bashkive për të punuar me një qasje tërësisht të re e të rregulluar për administrimin dhe zhvillimin e territorit.

I gjithë procesi është monitoruar dhe asistuar rigorozisht nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, që ka përballuar një volum të madh pune në një kohë të shkurtër.

Për të mbërritur deri këtu, procesi ka qenë tejet kompleks edhe për faktin se, një proces në të tilla përmasa ndodh për herë të parë, por edhe për shkak të zhvillimeve kaotike dhe të pakontrolluara urbane në territor.

Dua të falënderoj bashkitë dhe studiot që kanë punuar me ne, për finalizimin e këtij procesi me sukses.

Më duhet të ritheksoj edhe njëherë mesazhin për bashkitë që të jenë shumë të kujdesshme dhe të respektojnë me përgjegjshmëri zbatimin e planeve, të cilat i kanë hartuar vetë.

Sfida që kemi përpara, tani fill pas miratimit,  do të jetë monitorimi dhe nxitja për zbatimin e këtyre instrumenteve, për të garantuar që zhvillimi urban, ekonomik dhe social, të jetë sa më i qëndrueshëm.

Mbetem besimplotë se frutet e këtij procesi dhe zbatimi i planeve vendore, do të sjellë impakt shumë të prekshëm për qytetarët dhe grupet e biznesit, si dhe padyshim do të lehtësojë bashkitë për të operuar normalisht me procedurat e lejeve të zhvillimit, mbështetur në instrumente planifikimi të ligjëruara.

Çelja e Garës me objekt “Hartimi i Planeve të Përgjithshme Vendore për shtatë Bashki i ndarë në Lote

Për 7 bashkitë e reja, të cilat do të inicojnë procesin e hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore - Mirditë, Pukë, Gramsh, Belsh, Këlcyrë, Përmet dhe Kolonjë është çelur ditën e sotme gara e prokurimit publik me objekt “Hartimi i Planeve të Përgjithshme Vendore për shtatë Bashki i ndarë në Lote”. Këto bashki do të mbështeten financiarisht nga Qeveria Shqiptare duke iu bashkëngjitur 26 bashkive të tjera, të cilat janë në proces finalizimi të hartimit të PPV-së.

Gara është bërë publike në faqen zyrtare të prokurimeve elektronike. 7 bashkitë janë të ndara në 3 Lote, respektivisht:

Lot 1: Bashkia Mirditë, Bashkia Pukë

Lot 2: Bashkia Gramsh, Bashkia Belsh

Lot 3: Bashkia Kolonjë, Bashkia Këlcyrë, Bashkia Përmet

me një fond limit në total prej 106,641,667 lekë pa tvsh.

Kohëzgjatja e kontratës, nga data e  lidhjes së  kontratës është 25 javë.

Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është data 23.02.2017, ora 11:00. Në këtë moment nis edhe procesi i hapjes së kërkesave për pjesëmarrje.

Termat e referencës, kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës, kriteret e kualifikimit, si edhe udhëzimet për operatorët ekonomikë gjenden në dokumentin e tenderit të aksesueshëm në faqen e prokurimeve elektronike dhe në këtë link.

Dokumentat e proçedurës Shërbim Konsulence për “Hartimi i Planeve të Përgjithshme Vendore për shtatë Bashki, Mirditë, Pukë, Gramsh, Belsh, Kolonjë, Këlcyrë, Përmet”, i ndarë në Lote"

Shpallje për pozicione të lira pune në projektin BRIGAID

Njoftojmë se janë shpallur tre pozicione pune për ngritjen e njësisë së implemementimit të projektit “BRIGAID - BRIdging the Gap for Innovations in Disaster Resilience”, për 'Menaxher Projekti', 'Menaxher Finance' dhe 'Asistent Projekti'.

Termat e Referencës për secilin rol i gjeni në link:Njoftime Punësimi

Për të aplikuar në secilin pozicion nevojitet të nisen në adresën e institucionit apo në e-mail të institucionit dokumentat si më poshtë vijon:

  1. Letër për shprehje interesi;
  2. Curriculum Vitae – CV;
  3. Çertifikata apo kualifikime të mundshme.

Gjermeni takim me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës

Shqipëria dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin e tyre me produkte konkrete në fushën e planifikimit të territorit, në nivel kombëtar e vendor, strehimit, legalizimit dhe standardeve urbane.

Këtë qëndrim kanë ndarë Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni dhe Ministrin në detyrë të Ministrisë së Mjedisit  dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës Ferat Shala,  gjatë takimit të zhvilluar sot në Tiranë, në kuadër të zbatimit të memorandumit të mirëkuptimit nënshkruar ndërmjet dy ministrive në 15 prill 2014.

Ministrat dhe delegacionet që i shoqëronin, ranë dakord mbi piketat e bashkëpunimit për vitin 2017, në fushat që dy ministritë mbulojnë.

“Produkti konkret do të jetë krijimi i një Plani Veprimi të përbashkët me qëllim zbatimin e projekteve ndërkufitare.

Sa i takon planifikimit hapësinor një angazhim i ndërmarrë sot për t’u realizuar përgjatë vitit 2017 është dhe shkëmbimi i eksperiencës dhe procesit model që është ndërtuar tashmë në kuadër të hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore. Angazhimi ynë që të rakordojmë një Plan Veprimi me projekte konkrete me qëllim zhvillimin e potencialeve të zonave ndërkufitare dhe integrimin e qasjeve të përbashkëta.

Strehimi është sektori që ka nevojë për më shumë intensitet në shkëmbimin e eksperiencave, veçanërisht për partneritetin  publik – privat, pas Strategjisë 10 vjeçare dhe draft-ligjit të ri të strehimit që ne kemi hartuar”, tha Ministrja Gjermeni gjatë konferencës për shtyp pas takimit.

Ministri Shala vlerësoi bashkëpunimin me Ministren Gjermeni dhe MZHU për realizimin e projekteve ndërkufitare, të unifikimin të euro kodeve etj.

“Po krijojmë një agjendë produktesh me afate të sakta kohore në disa sektorë, sidomos për legalizimin, çështje kjo që për ne në Kosovë kërkon një vëmendje të posaçme. Kemi gjetur frymë pozitive dhe jam optimist se shumë shpejt do të ndajmë me qytetarët fryte konkrete të bashkëpunimit”, deklaroi Ministri Shala.

Pala kosovare tregoi interes për tu mbështetur në eksperiencën e MZHU lidhur me sistemin on-line për lejet e ndërtimit që ka nisur të aplikohet me sukses në Shqipëri që prej shtatorit të vitit të kaluar.

Një tjetër pikë e rëndësishme e takimit ishte aplikimi me projekte të përbashkëta në kuadër të Programit IPA II Bashkëpunim Ndërkufitar Shqipëri –Kosovë 2014-2020.

Takimi  i parë i përbashkët me grupet e punës respektive, do të organizohet shumë shpejt në Prizren, në të cilin është parashikuar edhe një sesion informues gjatë javës së parë të shkurti nga Ministria e Integrimit Europian  dhe Delegacioni Europian.

Ministri i Mjedisit  dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës, Ferat Shala dhe delegacioni që e shoqëron atë kanë mbërritur në Tiranë me ftesë të Ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni