Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Lancohet botimi në shqip i axhendës së re urbane, Gjermeni: Orienton zhvillimin e qyteteve

Pak muaj pas miratimit në Konferencën e Kombeve të Bashkuara mbi Strehimin dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm Urban (Habitati III) në Quito, (Equador), Ministria e Zhvillimit Urban në bashkëpunim me UN Habitat 3, lancuan  botimin në gjuhën shqipe të Axhendës së Re Urbane.

Ceremonia e lancimit të dokumentit të rëndësishëm u konceptua në formën e një mëngjesi pune (Urban Breakfast-Good Morning Tirana), me pjesëmarrjen e Ministres së Zhvillimit Urban, znj.Eglantina Gjermeni, Ministrit për Çështjet Vendore, z. Eduard Shalsi,  zv.Sekretari i Përgjitshëm i Habitat III,  z. Kumaresh Misra, Drejtorja Ekzekutive e PNUD në Shqipëri, znj. Limaya Eltayeb si dhe përfaqësues të institucioneve të linjës, partnerëve ndërkombëtare, medias e shoqërisë civile.

Ministrja Gjermei në fjalën e saj, e cilësoi Axhendën Urbane një platformë që përcakton parimet dhe angazhimet për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të qyteteve.

“Axhenda që ne sjellim sot të përkthyer në gjuhën shqipe është një dokument orientues për shtetet anëtare në hartimin e politikave kombëtare gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, që ju përgjigjen nevojave të qytetarëve për zhvillim të balancuar social dhe ekonomik,  përmirësimin e funksionalitetit të qyteteve si hapësira të shfrytëzueshme dhe miqësore për të gjithë grupëmoshat”, tha Ministrja Gjermeni.

Duke prezantuar reformat e ndërrmarra nga Qeveria në këto katër vite në fushën e zhvillimit urban, në sektorë si planifikimi, legalizimi, strehimi apo Rilindja Urbane, Ministrja Gjermeni bëri me dije se së shpejti do të miratohet ligji i ri i strehimit social, nëpërmjet të cilit rritet numri i programeve e kësisoj edhe i përfituesve në rradhët e familjeve në nevojë.

“Zhvillimin urban nuk e kemi parë asnjëherë si një proces më vete dhe të izoluar nga zhvillimi social dhe ekonomik, por një platformë të gjallë ku çdo vendimmarrje e pamenduar apo çdo veprim i paligjshëm mund të rezultojë në cenim të aseteve të përbashkëta”, deklaroi Ministrja.

Përfaqësuesi i lartë i UN Habitat III, z. Mistra duke përshëndetur takimin, theksoi se, duke ritrajtuar mënyrën se si janë planifikuar, financuar, zhvilluar, qeverisur dhe menaxhuar qytetet dhe vendbanimet, Agjenda e Re Urbane do të ndihmojë për t'i dhënë fund varfërisë dhe urisë në të gjitha format dhe dimensionet e saj; do të zvogëlojë pabarazitë; do të nxisë rritjen ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme; do të arrijë barazinë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave, me qëllimin që ato të japin sa më të plotë kontributin e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm; do të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve; do të nxisë aftësitë ripërtëritëse; dhe do të mbrojë mjedisin.

Më tej, në një diskutim të hapur mbi prioritetet që Axhenda e Re Urbane orienton, pjesëmarrësit këmbyen informacion për secilën prej shtyllave kryesore që kjo axhendë përfshin. 

Mirëmëngjes Tirana!

6 muaj më parë, në Tetor 2016, 65 krerë  Shtetesh dhe Qeverish, Ministra dhe Përfaqësues të Lartë, u mblodhën në Konferencën e Kombeve të Bashkuara mbi Strehimin dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm Urban (Habitati III) në Quito, me pjesëmarrjen e qeverive rajonale dhe lokale, parlamentarëve, shoqërisë civile, popullsisë indigjene dhe komuniteteve lokale, sektorit privat, profesionistëve, komunitetit shkencor dhe akademik, dhe palëve të tjera të interesuara, për të miratuar Agjendën e Re Urbane. Qeveria Shqiptare u përfaqësua në Habitat III nga Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni.

Pjesëmarrësit ndanë qëndrimin e përbashkët se, deri në vitin 2050, popullsia urbane në botë pritet thuajse të dyfishohet, duke e bërë urbanizimin një nga tendencat më transformuese të shekullit të 21-të.

Në përfundim të takimit disaditor të nivelit të lartë, vendet pjesëmarrëse, mes të cilave edhe Shqipëria, miratuan Agjendën e re Urbane (Deklarata e Quito-s mbi qytetet e qëndrueshme  dhe vendbanimet për të gjithë).

Duke ritrajtuar mënyrën se si janë planifikuar, financuar, zhvilluar, qeverisur dhe menaxhuar qytetet dhe vendbanimet, Agjenda e Re Urbane do të ndihmojë për t'i dhënë fund varfërisë dhe urisë në të gjitha format dhe dimensionet e saj; do të zvogëlojë pabarazitë; do të nxisë rritjen ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme; do të arrijë barazinë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave, me qëllimin që ato të japin sa më të plotë kontributin e tyre për zhvillimin e qëndrueshëm; do të përmirësojë shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve; do të nxisë aftësitë ripërtëritëse; dhe do të mbrojë mjedisin.

Në funksion të njohjes dhe respektimit të Agjendës së Re Urbane, Ministria e Zhvillimit Urban do të organizojë më 11 Prill 2017, një mëngjes pune ku do të marrë pjesë, zj. Ana Moreno, Koordinatore e Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara Habitat III.

Eventi më temë  “Agjenda e re Urbane – Zhvillimi i qëndrueshëm dhe sfidat e urbanizimit’, është mes të tjerash edhe një mundësi për lancimin e Agjendës së Re Urbane në gjuhën shqipe dhe një pikëtakimi për të diskutuar mbi sfidat që e presin Shqipërinë gjatë 20 viteve të ardhshme.

(Për materialin e plotë të Agjendës Urbane në gjuhën shqipe klikoni këtu ndërsa programi i eventit që do të mbahet në Tiranë, gjendet në këtë link. )

Ftesë për pjesëmarrje në Takimin e Parë Kombëtar në kuadër të projektit BRIGAID më 21/04/2017

Në datën 21 Prill 2017, do të zhvillohet takimi i Parë Kombëtar për Krijimin e Rrjetit të Bashkëpunëtorëve në kuadër të projektit BRIGAID ( Bridging the Gap for Innovations in Disaster Resilience). Ky projekt është pjesë e programit “Horizon2020” i Komisionit Europian, ku Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është përzgjedhur partnere.

Qëllimi i BRIGAID është të përthithë ide inovative mbi 3 komponentë kryesorë të ndryshimeve klimatike si, përmbytjet, thatësirat dhe moti ekstrem. Mes ideve të ndryshme, projekti do të përzgjedhë disa prej tyre, të cilat do të zhvillohen dhe do të testohen. Idetë e suksesshme do të ndihmohen që të dalin në treg dhe të bëhen të disponueshme në mënyrë që në momente fatkeqësish natyrore të luajnë rolin e tyre për të zbutur apo shmangur dëmet e mundshme. 

Roli final i AKPT-së në kuadër të BRIGAID do të jetë komunikimi dhe përhapja e njohurive dhe promovimi i risive/produkteve të përfituara nga projekti tek bashkëpunëtorët lokalë, grupet e interesit, autoritetet vendore, rajonale e qëndrore, të cilët janë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve klimatike. Gjithashtu, AKPT do të ndihmojë projektin BRIGAID edhe gjatë fazës së testimit të produkteve on-site, ku sipas problematikës do të planifikohet dhe projektohet një hapësirë e posaçme në Shqipëri.

Në këtë kuadër, AKPT organizon takimin e parë kombëtar, objektivi kryesor i të cilitështë evidentimi i interesave të përbashkëta dhe krijimi i rrjetit të bashkëpunëtorëve dhe grupeve të interesit, të cilët do të jenë baza mbështetëse e projektit dhe garanci për suksesin e tij.

lllkljk

Axhenda e Takimit

Njoftim për pezullim të përkohshëm të funksionimit të Regjistrit të Integruar të Territorit

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) ju  njofton se Regjistri i Integruar i Territorit (RIT) do të jetë përkohësisht jashtë shërbimit (offline), pasi do të realizohet transferimi i të dhënave të tij në një infrastrukturë të re fizike, pranë AKSHIT. Sapo të përfundojë proçesi i transferimit dhe rivendosja në funksion i RIT do të njoftoheni sërish nëpërmjet një komunikimi të dytë.
Për të mos penguar proçesin e hartimit dhe miratimit të Planeve të Përgjithshme Vendore të Bashkive, si edhe botimin në RIT të draft-akteve dhe akteve që krijohen nga autoritetet e planifikimit dhe të zhvillimit të territorit, AKPT ju kërkon që materialet për publikim në RIT t'i dërgoni pranë AKPT-së me shkresë zyrtare.
Për çdo paqartësi mund të kontaktoni në: info@planifikimi.gov.al
Ju falenderojmë për mirëkuptimin!

MZHU udhëzim bashkive për procedurat e zbatimit të Planeve të Përgjithshme Vendore

Me miratimin e Planeve të Përgjithshme Vendore, 43 prej të cilave do të jenë gati për 43 bashki deri në fund të vitit 2017, rritet edhe përgjegjësia e bashkive lidhur me procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, Ministria e Zhvillimit Urban ka detajuar mënyrën se si bashkitë duhet të veprojnë për dhënien e këtyre lejeve, në kuadër të zbatimit të planit vendor për secilën bashki. Udhëzimi është i vlefshëm edhe për bashkitë, të cilat ende nuk kanë një plan vendor por që do ta kenë ata në të ardhmen.

Sipas këtij udhëzimi, që mban firmën e Ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, brenda datës 5 (pesë) të çdo muaji, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si autoritet përgjegjës, përgatit dhe i dërgon Ministrisë së Zhvillimit Urban raportin mujor të zhvillimeve në territor që përmban të dhëna mbi lejet e zhvillimit dhe lejet e ndërtimit të miratuara nga Bashkitë gjatë muajit paraardhës, si dhe kushtet zhvillimore përkatëse në raport me përcaktimet e PPV-ve. Raporti evidenton, në një seksion të veçantë, lejet e ndërtimit të miratuara në tokë të ndërtueshme të kategorive të resurseve tokë bujqësore, tokë natyrore, pyll ose kullotë, sipas Planit të Përgjithshëm Vendor, si dhe sipërfaqet e miratuara për ndërtim.

Ministria e Zhvillimit Urban, në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues,  harton, sipas rastit, projektligjin ose projektvendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin e kategorisë së resursit “tokë bujqësore” në tokë urbane (truall), për sipërfaqet ndërtimore që janë objekt i lejeve të ndërtimit, të miratuara nga Bashkitë gjatë muajit paraardhës, dhe ia dërgon paraprakisht, për mendim, Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (MBZHRAU).

Në rast se bashkitë miratojnë, në përputhje me Planin e Përgjithshëm Vendor, leje ndërtimi në tokë të kategorive të resursit “tokë natyrore”, “pyll” ose “kullotë”, Ministria e  Zhvillimit Urban ndjek procedurat ligjore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për ndryshimin e këtyre kategorive, duke bashkërenduar punën me autoritetet përgjegjëse.

  • Ndërkohë, sa i takon bashkive, me miratimin e PPV-ve, (Planit të përgjithshëm vendor), ato hartojnë dhe miratojnë:
  • projektet e infrastrukturës dhe të hapësirës publike,
  • PDV-të, dhe/ose
  • studime të thelluara që përmbajnë informacionin e nevojshëm për saktësinë e zbatimit të gjurmës së infrastrukturës përkatëse  për territoret e zëna me ndërtime pa leje.

Bashkia njofton zyrtarisht ALUIZNI-n për projektet, PDV-të dhe/ose studimet e miratuara për këto territore. Në rastet kur bashkitë nuk e kanë përgatitur këtë dokumentacion, ALUIZNI i merr vendimet mbi bazën e procesit të bashkërendimit institucional, përfshirë bashkërendimin me Ministrinë e Zhvillimit Urban.

Udhëzimin e plotë e gjeni në linkun: 

http://www.zhvillimiurban.gov.al/files/pages_files/Udhezim_MZHU.pdf