Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Lajme

Punëtori me Publikun në Lukovë

Në datën 10 Shtator, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, në bashkëpunim me Bashkinë Himarë dhe me mbështetjen e GIZ, organizoi punëtorinë e parë mbi përmbajtjen e Planit të Detajuar Vendor (PDV) për Lukovën, i cili hartohet në zbatim të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Himarë dhe i ndërthurur me aktivitetin e Akademisë 100+ Fshatrat.

Pjesëmarrja në punëtori ishte e gjerë dhe e plotë. Morën pjesë përfaqësues të Bashkisë Himarë, drejtoresha e AKPT-së dhe stafi i përfshirë në studim, drejtuesi i GIZ në Tiranë, z. Hans-Juergen Cassens, koordinatorja kombëtare e Programit “100 Fshatrat”, ekspertë dhe pedagogë të Universiteteve partnere, punonjës të administratës vendore e qendrore dhe sigurisht, mjaft banorë të Lukovës.

Diskutimet me pjesëmarrësit u zhvilluan kryesisht rreth nevojës për përmirësimin e infrastrukturës, shfrytëzimin e potencialit bujqësor, potencialit turistik dhe mundësive për përshtatje të godinave ekzistuese në funksione të reja. Vetë punëtoria u zhvillua në hapësirat e shkollës 9-vjeçare të Lukovës, duke dëshmuar në këtë mënyrë gjithashtu se si hapësirat ekzistuese në fshat mund t’u përshtaten programeve të ndryshme në mënyrë që të vendosin maksimalisht në përdorim potencialin e tyre.

Punëtoria me komunitetin rezultoi e frytshme dhe si rrjedhojë e vlerësojmë të suksesshme; nxiti mjaft diskutim mes banorëve,  duke frymëzuar disa prej tyre për sipërmarrje të reja. Gjatë aktivitetit u vu re qartë se Lukoviotët janë të vetëdijshëm dhe tejet krenarë për vlerat që mbart fshati i tyre, një faktor ky që është thelbësor dhe mund të mbështesë pozitivisht përpjekjet për rigjallërimin dhe zhvillimin e Lukovës, në kuadër të Programit Kombëtar “100 Fshatrat”.

DEKLARATË PËR SHTYP - PËRGËNJESHTRIM

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit përgënjeshtron deklaratën e zëdhënëses për shtyp të Partisë Demokratike, në lidhje me përfshirjen e një punonjësi të kësaj agjencie, në realizimin e videos së transmetuar më datë 01.09.2018, mbi përcaktimet e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë.

Sqarojmë se, informacioni i pretenduar si informacion i rezervuar nga zëdhënësja për shtyp e zyrës së Partisë Demokratike është informacion, i cili është lehtësisht i aksesueshëm në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit www.planifikimi.gov.al

Referuar përmbajtjes së videos së transmetuar nga zyra e Partisë Demokratike, saktësojmë se, për të aksesuar hartën GIS nuk është i nevojshëm logimi nëpërmjet serverit pasi, në faqen zyrtare të AKPT ofrohet ndër të tjera dhe Shërbimi e-Harta, i cili është një shërbim i hapur, në dispozicion të publikut të gjerë të interesuar mbi ecurinë e proceseve planifikuese në territor.

Kjo hartë në formatin GIS paraqet informacionet hapësinore për gjendjen ekzistuese dhe atë të planifikuar të territorit, mbi infrastrukturën, ndërtesat, infrastrukturën inxhinierike, projektet strategjike, etj. Gjithashtu, në e-Harta paraqiten informacione bazë të marra nga shërbimet e ASIG si: ortofotot, ndarjet administrative, zonat e mbrojtura, etj.

Ritheksojmë edhe njëherë se, asnjë punonjës i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, nuk është i përfshirë në realizimin e videos së transmetuar. Imazhet e shfaqura në video përmbajnë informacione të hapura për publikun, të cilat mund të aksesohen lehtësisht nga çdo person i interesuar, duke vizituar faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit.

Konsultimi mbi planin e detajuar vendor ka zbritur në Lukovë

"Konsultimi mbi planin e detajuar vendor, ka zbritur në Lukovë, kreun e Bashkisë së Himarës Gjergji Goro, Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe GIZ.

Lukova tashmë është në listen e 100 fshatrave të cilët do të kenë prioritet turizmin. E përzgjedhur jo vetëm për natyrën por dhe për arkitekturën e vecantë, Lukova do të jëtë një prej 4 fshatrave të Bashkisë Himarë të cilat do të njohin ndryshime në standartin e ofrimit të sherbimeve.

Natyra e mrekulleshme, deti, mali, agroturizmi dhe arkitektura e bëjnë këtë fshat të ketë shumë për të ofruar.

Kreu i Bashkisë se Himarës, Goro tha se nëpërmjet takimeve konsultuese me banorët, atyre u jepen orientimet e qarta për si dhe ku mund të investojnë, qoftë në turizëm apo dhe në guest house tashmë shumë të përhapura.

Valbona Koçi, kordinatore e programit GIZ, tha se puna do të jetë intensive përgjatë muajve në vijim për të orientuar dhe mbështetur banorët e zonës drejt një zhvillimi rural të qëndrueshëm.

Lukova, së bashku me Dhërmiun, Vunon dhe Kuçin janë 4 fshatra të Bashkisë së Himarës të cilat po mbështeten për zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit."

https://www.youtube.com/watch?v=zHPlHn5-rhg&feature=youtu.be

(Vloranews)

Përfundoi maratona e konsultimeve me institucionet publike, të nivelit qendror e vendor, i Platformës së Monitorimit të zbatimit të dokumenteve të planifikimit të territorit

Përfundoi maratona e konsultimeve me institucionet publike, të nivelit qendror e vendor, i Platformës së Monitorimit të zbatimit të dokumenteve të planifikimit të territorit.
Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve për inputin e tyre në diskutime.
Faleminderit grupit të punës në AKPT për produktin dhe angazhimin.
Faleminderit GIZ për mbështetjen teknike.

Kjo platformë, e cila u hartua me mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, do të sigurojë nëpërmjet të dhënave të përditësuara dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet vendore dhe qendrore të planifikimit, një mjet që do të ndihmojë në zhvillimin e planifikimit inteligjent në vend. AKPT prezantoi fazën aktuale të dokumentit të Platformës së Monitorimit, së bashku me limitet dhe mundësitë e kësaj platforme. 

BRIGAID/AKPT- Komunitet inovatorësh, koncepti dhe zgjidhja e tij në Shqipëri

Projektit BRIGAID ka për qëllim e tij kryesor përthithjen e inovacioneve me fokus përballjen, lehtësimin për kapërcimin e fatkeqësive natyrore: Përmbytje, Thatësirë dhe Moti Ektrem.

Paralel me punën e identifikimit dhe grumbullimit të ideve inovatore  lind nevoja për krijimin dhe menaxhimin e të ashtuquajturës “Komunitet inovatorësh” i cili nuk është veçse përshtatje e komunitet të praktikës.

Inovacioni është një terminologji mjaft e gjerë, sfida e menaxhimit të sistemit të inovacionit ka evoluar nga menaxhimi i produktit dhe procesit të bazuar në teknologji në atë të krijimit dhe mirëorganizmit të rrjetit të të menduarit dhe të vepruarit në ekosistem aktorësh, institucionesh dhe kërkuesish shkencor për të zhvilluar më tej ide inovatore.

AKPT si partnere e këtij projekti por edhe si iniciatore e komunitetit të inovatorëve në Shqipëri ka dhënë kontributin e saj në krijimin dhe mbarëvatjen e punës së komunitetit të inovatorevë në Shqipëri. Aktivitetet që janë zhvilluar tashmë dhe ato që priten të zhvillohen në vazhdim kanë ndër të tjera qëllimin e mbrojtjes dhe zhvillimit të këtij ekosistemi.

Nuk keni qënë të vëmendshëm për aktivitete dhe angazhimet tona në këtë projekt?

Liderët e paketave të punës së projektit e kanë përmbledhur këtë angazhim në një seksion të dedikuar në faqen zyrtare të projektit.

Ju ftojmë ta ndiqni!

https://brigaid.eu/coi-in-albania/