Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Turizmi

Qëllimi i këtij ligji është të promovojë Shqipërinë si destinacion turistik tërheqës për vizitorë vendas e të huaj, duke mbështetur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, duke siguruar që ofruesit e shërbimeve turistike të përmbushin kërkesat e turistëve, në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt, dhe duke respektuar nevojat e komuniteteve pritëse të sotme dhe të brezave të ardhshëm.

Objekt i këtij ligji janë:

1. Rregullimi i marrëdhënieve ndërmjet institucioneve publike dhe subjekteve private, personave fizikë e juridikë, vendas apo të huaj, që ushtrojnë veprimtari turistike dhe përcaktimi i të drejtave e detyrimeve të subjekteve pjesëmarrëse në këto veprimtari, në përputhje me standardet e përcaktuara në këtë ligj, si dhe çështje të tjera që lidhen me fushën e turizmit.

2. Rregullimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit e të ndërveprimit të organeve të qeverisjes qendrore me ato të qeverisjes vendore në përcaktimin e politikave dhe zhvillimit të strategjive në fushën e turizmit.

3. Përcaktimi i rregullave për bashkërendimin e punës dhe bashkëveprimin e institucioneve përgjegjëse në fushën e turizmit, me qëllim zhvillimin e industrisë së turizmit sipas rregullave dhe standardeve të përcaktuara në këtë ligj dhe në legjislacionin në fuqi.

4. Rregullimi i marrëdhënieve ndërmjet institucioneve shtetërore dhe investitorëve potencialë, bazuar në interesin publik për zhvillimin e turizmit.