Agjensia Kombëtare e Planifikimit të Territorit
Search Menu

Zhvillimi i Rajoneve

1. Ky vendim përcakton krijimin e Agjencisë Kombëtare për Zhvillimin Rajonal (AKZHR), të agjencive të zhvillimit rajonal (AZHR) dhe Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Rajonal (AZHER).

2. AKZHR-ja, AZHR-të dhe AZHER-ja kanë misionin e promovimit të një politike të përbashkët investimesh, të integruara, për zhvillimin e rajoneve dhe të potencialeve të tyre, të inkurajimit të një modeli sa më të gjerë bashkëpunimi, krijimit të partneriteteve publike-private, me interes të përbashkët zhvillimi, ngritjen e rrjetëzimeve rajonale dhe ndërrajonale, zvogëlimin e dallimit, hendekut, ndërmjet zonave të zhvilluara dhe të pazhvilluara, si dhe zbatimin e projekteve publike e private.

3. Agjencitë kryejnë veprimtaritë e tyre në rolin e një institucioni ekspert për zbatimin dhe arritjen e objektivave për politikën e zhvillimit rajonal, si dhe kontribuojnë për të harmonizuar dhe integruar faktorët ekonomikë, socialë dhe ambientalë, për zhvillimin e balancuar të të gjitha rajoneve të Shqipërisë.

4. Në përputhje me parimin e bashkëpunimit, agjencitë nxitin bashkëpunime ndërvendore, ndërrajonale dhe ndërkufitare, me qëllim nxitjen e konkurueshmërisë, përmirësimin e eficiencës së burimeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike. Agjencitë përshtatin aktivitetet e tyre, duke vepruar në formë të pavarur dhe duke nxitur bashkëpunime me organizma të tjerë shtetërorë, ndërkombëtarë ose privatë, për zbatimin e programeve apo projekteve të përbashkëta, të cilët kontribuojnë në zhvillimin dhe integrimin e balancuar të rajoneve të Shqipërisë.

5. Në përputhje me parimin e reciprocitetit, agjencitë ngrenë dhe përdorin instrumente të ndërsjella e ligjore në marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe me të tjerë, për të siguruar të drejtën e barazisë e të respektit të ndërsjellë ndërmjet palëve, organeve e institucioneve që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.