Me miratimin e Planeve të Përgjithshme Vendore, 43 prej të cilave do të jenë gati për 43 bashki deri në fund të vitit 2017, rritet edhe përgjegjësia e bashkive lidhur me procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, Ministria e Zhvillimit Urban ka detajuar mënyrën se si bashkitë duhet të veprojnë për dhënien e këtyre lejeve, në kuadër të zbatimit të planit vendor për secilën bashki. Udhëzimi është i vlefshëm edhe për bashkitë, të cilat ende nuk kanë një plan vendor por që do ta kenë ata në të ardhmen.

Sipas këtij udhëzimi, që mban firmën e Ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, brenda datës 5 (pesë) të çdo muaji, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si autoritet përgjegjës, përgatit dhe i dërgon Ministrisë së Zhvillimit Urban raportin mujor të zhvillimeve në territor që përmban të dhëna mbi lejet e zhvillimit dhe lejet e ndërtimit të miratuara nga Bashkitë gjatë muajit paraardhës, si dhe kushtet zhvillimore përkatëse në raport me përcaktimet e PPV-ve. Raporti evidenton, në një seksion të veçantë, lejet e ndërtimit të miratuara në tokë të ndërtueshme të kategorive të resurseve tokë bujqësore, tokë natyrore, pyll ose kullotë, sipas Planit të Përgjithshëm Vendor, si dhe sipërfaqet e miratuara për ndërtim.

Ministria e Zhvillimit Urban, në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues,  harton, sipas rastit, projektligjin ose projektvendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin e kategorisë së resursit “tokë bujqësore” në tokë urbane (truall), për sipërfaqet ndërtimore që janë objekt i lejeve të ndërtimit, të miratuara nga Bashkitë gjatë muajit paraardhës, dhe ia dërgon paraprakisht, për mendim, Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave (MBZHRAU).

Në rast se bashkitë miratojnë, në përputhje me Planin e Përgjithshëm Vendor, leje ndërtimi në tokë të kategorive të resursit “tokë natyrore”, “pyll” ose “kullotë”, Ministria e  Zhvillimit Urban ndjek procedurat ligjore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për ndryshimin e këtyre kategorive, duke bashkërenduar punën me autoritetet përgjegjëse.

  • Ndërkohë, sa i takon bashkive, me miratimin e PPV-ve, (Planit të përgjithshëm vendor), ato hartojnë dhe miratojnë:
  • projektet e infrastrukturës dhe të hapësirës publike,
  • PDV-të, dhe/ose
  • studime të thelluara që përmbajnë informacionin e nevojshëm për saktësinë e zbatimit të gjurmës së infrastrukturës përkatëse  për territoret e zëna me ndërtime pa leje.

Bashkia njofton zyrtarisht ALUIZNI-n për projektet, PDV-të dhe/ose studimet e miratuara për këto territore. Në rastet kur bashkitë nuk e kanë përgatitur këtë dokumentacion, ALUIZNI i merr vendimet mbi bazën e procesit të bashkërendimit institucional, përfshirë bashkërendimin me Ministrinë e Zhvillimit Urban.

Udhëzimin e plotë e gjeni në linkun: 

http://www.zhvillimiurban.gov.al/files/pages_files/Udhezim_MZHU.pdf