Pjesëmarrje në leksionin e hapur “Urbanistika në zhvillim”

E martë, 24 October 2017

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit është ftuar të marrë pjesë duke prezantuar, në leksionin e hapur me temë “Urbanistika në Zhvillim”. Leksioni u zhvillua pranë mjediseve të Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, më datë 24 Tetor, inicuar nga Prof. Giuseppe De Luca (docent i lëndës Laboratori i Urbanistikës, UKZKM).  Prezent në takim ishte edhe Prof. Roberto Mascarucci, ideator i Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Krujë, Kurbin dhe Lezhë, si edhe studentët e arkitekturës, pranë UKZKM-së.

Qëllimi i takimit ishte prezantimi i rasteve konkrete të urbanistikës/ planifikimit në Shqipëri, të cilat përbëjnë edhe një ndër temat e studimit në Programin e Arkitekturës pranë këtij Universiteti. Diskutimi u përqëndrua në karakteristikat konkrete të PPV-ve të Bashkive Krujë, Kurbin dhe Lezhë, duke nisur nga procesi i hartimit të planeve, duke kaluar tek miratimi, dhe duke përfunduar me pritshmëritë për zbatimin e tyre.

Prezantimi i Prof. Roberto Mascarucci-n u përqëndrua në rëndësinë e bashkëpunimit mes pushtetit qëndror dhe atij vendor gjatë procesit të hartimit të planeve vendore. Një proces i suksesshëm i planifikimit strategjik, sipas tij, bazohet në gërshetimin e interesave lokale me ato kombëtare.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit u përfaqësua nga znj. Anisa Qorri, drejtore e Planifikimit Kombëtar dhe znj. Fiona Mali, drejtore e Planifikimit Vendor. Prezantimi i Znj. Qorri u përqëndrua në procesin e planifikimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit, rëndësinë e  hartimit të tij, si edhe në drejtimet kryesore të zhvillimit që propozon PPKT. Prezantimi i Znj. Mali u përqëndrua në procesin e hartimit të Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV), drejtimet që ato duhet t’i japin territorit dhe fazat e hartimit të tyre. U prezantua gjithashtu edhe procesi i hartimit të Planit të Detajuar të Zonave të Rëndësisë Kombëtare, si një instrument tjetër planifikimi që detajon si PPKT-në ashtu edhe PPV-në.