KKT miraton Planet e Përgjithshme Vendore për 7 bashki, të financuara nga Qeveria

E hënë, 16 October 2017

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi sot 7 Planet e Përgjithshme Vendore të mbështetura financiarisht nga qeveria shqiptare, për bashkitë Shkodër, Lezhë, Rrogozhinë, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol. Nga 44 bashki të cilat kanë filluar procesin e hartimit të PPV-ve, 26 prej tyre i kanë miratuar planet në KKT.

 

Angazhimi i Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, përtej ofrimit të mbështetjes teknike dhe financiare për këto bashki, në hartimin e planeve vendore, me instrumente planifikimi që shërbejnë si udhërrëfyes të zhvillimit urban, investimeve dhe ndërtimit , qëndron edhe në krijimin e një platforme komunikimi me qytetarët dhe grupet e interesit, duke i bërë pjesë të vendimmarrjes për zhvillimin e bashkisë ku jetojnë. Plani i Përgjithshëm Vendor siguron një zhvillim të qëndrueshëm të territorit, respektim dhe mbrojtje të tokës me vlera natyrore, bujqësore, kulturore.

 

Procesi i hartimit të planeve, gjatë rrugëtimit të tij, ka marrë kontributin, me komentet dhe sugjerimet, jo vetëm nga palët e përfshira në këtë proces, por edhe nga të gjithë ministritë e prekura nga plani, nga agjencitë qendrore dhe rajonale, nga forumet këshillimore të mbledhura vullnetarisht pranë çdo bashkie hartuese të planit, si edhe nga banorët të cilët preken drejtpërdrejt nga mbarëvajtja dhe hartimi i drejtë i planeve.

 

7 Planet e Përgjithshme Vendore, të miratuara ditën e sotme, kanë  nisur procesin e hartimit të tyre, në Janar të vitit 2016, së bashku me 19 bashki të tjera, të mbështetura financiarisht dhe me asistencë teknike nga Qeveria Shqiptare. Të miratuara në Këshillin Kombëtar të Territorit janë edhe 5 planet e mbështetura finaciarisht dhe teknikisht nga USAID (Fier, Lushnje, Berat, Kuçovë dhe Elbasan) si edhe 14 plane të mbështetura nga Qeveria Shqiptare, të miratuara në fillim të vitit 2017 (Krujë, Kurbin, Dibër, Kukës, Divjakë, Gjirokastër, Skrapar, Ura Vajgurore, Poliçan, Librazhd, Cërrik, Prrenjas, Korçë dhe Tiranë).

 

Në proces miratimi janë 5 Plane të Përgjithshme Vendore, të mbështetura nga Qeveria Shqiptare (Durrës, Shijak, Vorë, Pogradec dhe Kavajë). Në proces hartimi janë 5 plane të mbështetura nga

Programi për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal i Qeverisë Zviceriane (Malësi e Madhe, Mat, Tropojë, Vau Dejës dhe Klos) dhe 7 Bashki të mbështetura nga Qeveria Shqiptare (Pukë, Mirditë, Gramsh, Belsh, Përmet, Kolonjë dhe Këlcyrë)

 

Gjatë vitit 2018-2019 pritet financimi për të filluar procesin e hartimit të planit edhe për 17 bashkitë e mbetura.